Hiqen dilemat për kandidaturën nga familja Jashari, deklarohet edhe Bekim Jashari

Anëtarë të familjes së heroit të Kosovës, Adem Jashari, e kanë mohuar se kanë ndonjë qëllim për të garuar për president të vendit, pasi ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, tha të mërkurën se, nëse do të vinte një emër për president nga kjo familje, do të ishte një “konsensus automatik” në shoqëri.

Kosovës i duhet të nxitojë ta zgjedhë presidentin e ri të vendit deri më 4 mars, për t’i shmangur edhe një palë zgjedhje të tjera të parakohshme, pasi presidentes së tanishme, Vjosa Osmani, i mbaron mandati më 4 prill.

Osmani nuk duket ta ketë mbështetjen e partive parlamentare për t’u rizgjedhur, ndërsa deri tani nuk janë përmendur emra të tjerë të mundshëm për president, pavarësisht se afti po soset.

Duke folur pas një takimi me kryediplomaten e Shqipërisë, Elisa Spiropali, Konjufca tha se mes partive politike deri tani ka konsensus vetëm për një president që do të vinte nga familja Jashari.

Por, Murat Jashari, djali i Rifat Jasharit, vëllait të Adem Jasharit, tha më vonë për VOX Kosova se nuk ka interesim apo qëllim për t’u bërë president i Kosovës, dhe se “ua kam bërë të qartë partive politike se cilat janë arsyet pse unë nuk e bëj, sepse mbi supet e mia rëndon një barrë e madhe”.

Më vonë, Bekim Jashari, ish-kryetari komunës së Skenderajt, i tha Radios Evropa e Lirë se ai mban qëndrimin e djalit të xhaxhait, duke shtuar “nuk kam çka t’i shtoj kësaj, asnjë pikë apo presje”.

Ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qëndruar në Prekaz të Skenderajt te familja Jashari. Ai ka konfirmuar për mediat se ka biseduar me Rifat Jasharin “për çështje politike”.

Emra nga kjo familje, në të kaluarën, janë përmendur si kandidatë potencialë për president, por asnjë prej tyre nuk ka përfunduar në propozim zyrtar.

Të tjera