Haxhi Shalës s’i modifikohet dënimi edhe pasi kaloi dy të tretat në burg

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Ekaterina Trendafilova ka vendosur të refuzojë modifikimin e dënimit ndaj Haxhi Shalës, i cili është dënuar me 3 vjet burgim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, ndonëse ka kaluar 2/3 e dënimit në burg.

Kryetarja e DhSK-së në vendimin e saj ka thënë se sipas raporteve nga administratorja dhe Qendra e Paraburgimit, Shala nuk ka shprehur pendesë apo keqardhje lidhur me ato se çfarë ka bërë dhe për të cilat është dënuar, si dhe nuk ka dhënë ndonjë tregues se nuk do të angazhohej në sjellje të ngjashme, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas raporteve, Shala kishte biseduar vetëm për çështje të përgjithshme me stafin e Qendrës së Paraburgimit dhe nuk është përfshirë në biseda rreth çështjes së tij apo veprave penale për të cilat është dënuar.

Mirëpo, thuhet se ai kishte pretenduar se ka shprehur keqardhje dhe pendesë përmes avokatit të tij, në seancën kur është shpallë dënimi.

Ndërsa, Trendafilova ka thënë se një marrëveshje për pranimin e fajësisë nuk duhet të bazohet me një shprehje pendese apo keqardhje për veprat penale, por është element kyç për të cilin Shala ka përfituar uljen e detyrueshme të dënimit.

Kryetarja gjithashtu vëren se, në kundërshtim me pretendimet e z. Shalës, procesverbali tregon se ai nuk ka shprehur pendesë gjatë seancës së marrëveshjes së pranimit të fajit. Avokati i Specializuar foli në emër të tij lidhur me rrethanat lehtësuese, pa prekur, megjithatë, këtë aspekt. Përkundrazi, procesverbali tregon se kur u pyet nga Kryetarja e Trupit Gjykues nëse dëshironte të shprehte ndonjë pendesë, Avokati i Specializuar për z. Shalën, pas konsultimit me klientin e tij, e informoi Panelin Gjyqësor I se z. Shala “nuk ishte në gjendje t’i përgjigjej [asaj] pyetjeje”, thuhet në vendim.

Ndërsa sa i përket raportit të Qendrës së Paraburgimit, thuhet se Shala ka treguar sjellje miqësore, të përgjegjshme dhe respektuese ndaj stafit. Gjithashtu, u tha se ai ka respektuar rregullat në këtë qendër përveç një incidenti që është i redaktuar në vendim.

Sipas vendimit, nuk është marrë asnjë masë disiplinore ndaj Shalës dhe se nuk kanë ndodhur incidente të tjera të kësaj natyre.

“Kryetarja gjithashtu konsideron se z. Shala ka mbajtur marrëdhënie pozitive dhe miqësore me të paraburgosurit e tjerë, dhe se, gjatë paraburgimit të tij, ai nuk ka qenë subjekt i ndonjë mase disiplinore, as nuk është paralajmëruar zyrtarisht”, thuhet në vendim.

Veç kësaj, thuhet se vizitat që ka pasur Shala nga familja dhe miqtë e tij tregojnë se ai ka lidhje familjare të konsoliduar dhe një rreth të gjerë shoqërorë që mund të mbështesë risocializimin e tij pas lirimit. Tutje, thuhet se familja, veçanërisht bashkëshortja dhe djemtë e Shalës duket se janë të rëndësishëm tek ai dhe rrjedhimisht mund të ushtrojnë ndikim pozitiv mbi të.

Por, duke marrë parasysh rrethanat që u përmenden, Trendafilova ka thënë se nuk konsideron se zbutja e dënimit të Shalës do të ishte e përshtatshme.

“Duke marrë parasysh natyrën e veprave penale për të cilat z. Shala është dënuar dhe efektin frikësues që veprimet e tij patën mbi një dëshmitar të veçantë, por edhe mbi dëshmitarë të mundshëm të ardhshëm para Dhomave të Specializuara, si dhe mungesën e çdo shkëputjeje domethënëse të z. Shalës nga veprat penale, dhe pasi ka shqyrtuar në mënyrë të rregullt interesat e drejtësisë dhe parimet e përgjithshme të së drejtës në dritën e fakteve të çështjes së tij, Presidentja nuk konsideron se zbutja e dënimit të tij do të ishte e përshtatshme”, thuhet në vendim.

Trendafilova ka thënë se veprat penale për të cilat Shala është dënuar, janë të rënda duke e pasur parasysh edhe ndikimin e pengimit dhe frikësimin e dëshmitarëve mbi administrimi e drejtësisë. Rrjedhimisht, ka thënë se ndonëse Shalës iu dhanë mundësi të shumta qoftë me shkrim apo edhe gojarisht, ai ka dështuar që të shprehë pendesë dhe të shkëputet nga këto vepra penale.

Por, kryetarja Trendafilova ka thënë se do e konsiderojë pas dy muajsh modifikimin e dënimit ndaj Shalës, konkretisht pas një raporti tjetër nga administrtaorja.

Ndryshe, edhe kërkesa e Shalës për mbajtjen e një seance para Trendafilovës ishte refuzuar, pasi ishte konsideruar e panevojshme.

Ndryshe, më 19 shkurt 2025 është marrë vendimi për lirimin me kusht të Ismet Bahtijarit dhe Sabit Januzit të cilët ishin dënuar me nga dy vite burgim pas marrëveshjes së pranimit të fajësisë në të njëjtin rast.

Më 4 shkurt 2025, është shpallur aktgjykimi ndaj tre të akuzuarve, me ç’rast trupi gjykues i pranoi marrëveshjet për pranimin e fajësisë. Kështu, Haxhi Shala u dënua me tri vite burgim dhe Bahtijari e Januzi me nga dy vite.

Trupi gjykues urdhëroi Shalën që të paguaj 400 euro për viktimën 1 ndërsa Januzin me 100 euro. Obligime financiare nuk u përcaktuan për Bahtijarin. Ky obligim është kryer dhe viktimës më 17 shkurt 2025 i janë dorëzuar mjetet.

Sabit Januzi, Haxhi Shala dhe Ismet Bahtijari pranuan fajësinë për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë dhe atë të frikësimit përmes një marrëveshje të arritur në mes tyre dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Kjo marrëveshje u arrit pak ditë para se të nisë gjykimi ndaj tyre në nëntor të 2024-ës. Shala ishte pajtuar për burgim me tri vite, Januzi me dy deri në dy vite e gjysmë, kurse Bahtijari për dy vite burgim.

Gjatë seancave për ndryshim të deklaratave të fajësisë, Bahtijari dhe Januzi ishin shprehur të penduar për krimet për të cilat e pranuan që i kanë bërë.

Të tjera