Prokuroria Themelore në Prizren ka caktuar tashmë masën e sigurisë prej 30 ditësh ndaj 39 të pandehurve rreth rastit që lidhet me Byronë Kosovare të Sigurimeve.
Kësisoj, ndaj katër të dyshuarve, S.M., V.B., F.S., dhe Y.Ç., është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Ndërsa 35 të dyshuarve të tjerë, gjykata i ka caktuar masën e paraqitjes në stacion policor, si dhe masa e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar.
Të njëjtit, obligohen që 1 herë në javë të paraqiten në Stacionin Policor përkatës ku e kanë vendbanimin, dhe i ndalohet të pandehurve që t ‘iu afrohen të dëmtuarës BKS, si dhe të pandehurve të tjerë. Nëse të këta 35 të dyshuar, nuk e respektojnë masën e paraqitjes në stacion Policor, si dhe masën e ndalimit, ndaj të njëjtëve do të caktohet masa e paraburgimit.
Njoftimi:
Caktohet masa e sigurisë ndaj 39 (tridhjetenëntë) të pandehurve, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer disa vepra penale
Prizren, 09 Janar 2026, Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm Penal gjyqtari i procedurës paraprake – Fatmir Krasniqi, ka caktuar masën e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një (1) muaji, për të pandehurve S.M., V.B., F.S., dhe Y.Ç., e cila mund të zgjasë deri më datën 08.02.2026 për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale si në vijim: S.M., dhe V.B., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale: Keqpërdorimi i besimit, në vazhdimësi, nga neni 330, par. 2 lidhur me par.1, e lidhur me nenin 31 dhe 77 të KP-së, dhe veprën penale Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike, nga neni 284, par. 2 lidhur me par. 1, pika 1.2 në lidhje me nenin 31 të KP-së. V.B., (së bashku me të pandehur të tjerë), veprën penale Falsifikimi i dokumenteve në bashkëkryerje në vazhdimësi nga neni 390, par. 1 lidhur me nenin 31 dhe 77 të KP-së.
F.S, veprat penale Falsifikimi i dokumenteve në bashkëkryerje në vazhdimësi nga neni 390, par. 1 lidhur me nenin 31 dhe 77 të KP-së. Keqpërdorimi i besimit, në vazhdimësi, nga neni 330, par. 1 lidhur me nenin 33 dhe 77 të KP-së.
Y.Ç., veprën penale Keqpërdorimi i besimit në vazhdimësi, nga neni 330, par. 1 lidhur me nenin 33 dhe 77 të KP-së. Kurse, 35 (tridhjetepesë) të pandehurit e tjerë, dyshohen për veprat penale Keqpërdorimi i besimit, në ndihmë, nga neni 330, par. 1 lidhur me nenin 33 të KP-së.
Ndaj 35 (tridhjetepesë) të pandehurve, është caktuar masa e paraqitjes në stacion policor, si dhe masa e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar, në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila masë mund të zgjasë deri më datë 08.02.2026, ashtu që obligohen të pandehurit një (1) herë në javë të paraqiten në Stacionin Policor përkatës ku e kanë vendbanimin, dhe i ndalohet të pandehurve që t ‘iu afrohen të dëmtuarës BKS, si dhe të pandehurve të tjerë. Nëse të pandehurit nuk e respektojnë masën e paraqitjes në stacion Policor, si dhe masën e ndalimit, ndaj të njëjtëve do të caktohet masa e paraburgimit.
Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit, ndaj të pandehurve ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së sigurisë për secilin të pandehur veç e veç, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen.
Caktimi i paraburgimit për katër (4) të pandehurit në këtë fazë të procedurës është i domosdoshëm me qëllim të parandalimit të arratisjes apo të pengojnë zhvillimin e procedurës hetimore.
Nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, Gjykata ka ardhur në përfundim se në rastin konkret caktimi i masës së sigurisë për të pandehurit është oportune dhe e nevojshme, për mbarëvajtjen e procedurës hetimore, sigurimin e prezencën së të pandehurve në procedurë hetimore, parandalimin që të pandehuri të arratisen apo të ndikojë në dëshmitaret dhe provat e rastit.
SHËNIM: Referuar kërkesave të mediave për deklarim, Gjykata Themelore në Prizren ju njofton, se me rastin e përfundimit të seancës dëgjimore për caktimin e masë së sigurisë ndaj 39 (tridhjetenëntë) të pandehurve, Gjyqtari i procedurës paraprake, në përfundim të seancës (ora 22.10), ka konstatuar në procesverbal se të pandehurit do të kthehen në qendrat e ndalimit në mënyrë që Gjykata do ti njofton lidhur me aktvendimit për propozimin/kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren.
Ky vendim i Gjyqtarit të procedurës paraprake është marrë konform neni 162 të Kodit të Procedurës Penale, paragrafi 8 ku thuhet se “ Sa më parë që të jetë e mundur, por jo më vonë se brenda dyzetetetë (48) orëve nga arresti, gjyqtari i procedurës paraprake mban seancën dëgjimore për të vendosur nëse i pandehuri duhet të mbahet në paraburgim (në rastin konkret brenda 48 orësh është mbajtur seanca dëgjimore në Gjykatën Themelore Prizren), dhe në vazhdim të paragrafit thuhet se “Në pritje të vendimit të gjykatës, i pandehuri mund të mbahet nën ndalim”, çka edhe Gjyqtari i procedurës paraprake ka konstatuar në procesverbal në rastin konkret.
Gjithashtu paragrafi 11 i këtij neni përcakton se “Sa më parë që të jetë e mundur, por jo më vonë se pas dyzet e tetë (48) orëve nga seanca dëgjimore (në rastin konkret ende nuk kanë kaluar 48 orë nga mbajtja e seancës e cila është mbajtur me datë 08.01.2026), sipas paragrafit 8 të këtij neni, gjyqtari i procedurës paraprake e nxjerr një vendim i cili përcakton nëse të pandehurit i caktohet njëra nga masat nga neni 171 i këtij Kodi” e që neni 171 parasheh të gjitha masat për sigurimin e pranisë së të pandehurit, jo vetëm për paraburgimin..
Vendimi nga ana e Gjyqtari të procedurës paraprake për ndalim deri në marrjen dhe përpilimin e vendimit është marrë edhe konform nenit 19 të Kodit të Procedurës Penale, paragrafi 1.2, ku përcaktohet çështja e ndërlikuar, çdo rast që përfshin më shumë se 10 (dhjetë) të pandehur, e që në rastin konkret kanë qenë 39 të pandehur.



Të tjera
Aktuale
Kush janë ‘Top 20’ më të votuarit e ish-opozitës në zgjedhjet e 28 dhjetorit
Me të gjitha votat tashmë
Aktuale
Vërshimet e Sitnicës zhysin dhjetëra shtëpi në ujë
Pas daljes nga shtrati të lumit
Aktuale
Nis depërtimi i masave të ftohta ajrore me origjinë polare, reshje bore gati në gjithë Kosovën
Tashmë ka nisur depërtimin gradual i