Gjoshi: PDK-së i takojnë dy anëtarë në KQZ, mosemërimi nga Osmani është shkelje kushtetuese

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Betim Gjoshi, ka akuzuar presidenten Vjosa Osmani për shkelje kushtetuese, duke thënë se mosemërimi i anëtarit të dytë të kësaj partie në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve përbën cenim të demokracisë dhe të procesit zgjedhor.

Në një konferencë për media, Gjoshi deklaroi se refuzimi i presidentes për të emëruar përfaqësuesin e dytë të PDK-së dhe referimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese është veprim i qëllimshëm.

“Refuzimi i Osmanit dhe fshehja pas referimit të çështjes në Gjykatën Kushtetuese është dëmtim i qëllimshëm i përfaqësimit të PDK-së në KQZ dhe i dobësimit të rolit të opozitës në këtë fazë kritike politike për shtetin tonë”, tha ai.

Gjoshi shtoi se kërkesa e presidentes ka qenë për më shumë se një kandidat, duke kërkuar sqarime për ndryshimin e qëndrimit.

“Presidentja Osmani… ka kërkuar që t’i propozojmë me shkrim kandidatët për anëtarë të KQZ-së. Prandaj, ajo ka përgjegjësinë që para qytetarëve të sqarojë se çfarë e shtyri që në momentet e fundit të tërhiqej nga rruga kushtetuese dhe ligjore”, theksoi ai.

Sipas tij, mosemërimi bie ndesh me nenin 139 të Kushtetutës, që garanton përfaqësim proporcional të subjekteve parlamentare.

“Kushtetuta e Kosovës është e qartë, anëtarët shtesë emërohen nga grupet më të mëdha parlamentare, që në këtë rast janë Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës”, u shpreh Gjoshi.

Ai paralajmëroi se ky veprim rrezikon legjitimitetin e zgjedhjeve dhe standardet demokratike në vend.

“Ky zhvillim jo vetëm që cenon opozitën, por rrezikon vetë legjitimitetin e zgjedhjeve dhe standardet demokratike të Republikës së Kosovës”, deklaroi ai.

Gjoshi gjithashtu tha se PDK-ja do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të siguruar përfaqësimin në KQZ.

“Partia Demokratike e Kosovës do të përdorë të gjitha mjetet e ligjshme në kërkim të zbatimit të së drejtës së saj për t’u përfaqësuar në KQZ”, theksoi ai.

Në fund, ai ngriti shqetësime edhe për zhvillimet e ardhshme politike, duke përmendur mundësinë që pas 4 prillit, vendimmarrja të kalojë te ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu.

“Një person me bagazh të madh antikushtetues dhe antiligjor, e cila sigurisht se është e gatshme për kapitalizimin e shkeljes së radhës të Kushetutës së Kosovës dhe të vendosë në mënyrë arbitrare që PDK-së të mos i takojë e drejta për përfaqësim në KQZ me dy anëtarë, duke na detyruar kështu që t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese, e cila deri sa do ta trajtonte juridikisht çështjen, Lëvizja Vetëvendosje praktikisht do të bënte një mori shkeljesh dhe abuzimesh në organizimin e zgjedhjeve”, tha ai.

Të tjera