Gazetari Krasniqi nxjerr një artikull skandaloz të Dimal Bashës

Gazetari Besnik Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, ka publikuar një artikull të publikuar në 2012, ku tani kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha ‘‘po dezinformonte botën’’ duke thënë se fondet për UÇK-në vinin nga trafikantë droge.

Në artikull thuhet se mbështetja nga trafikantët e drogës nuk kufizohej vetëm në para, por se, sipas artikullit të Bashës, ata dërgonin gjithashtu njerëz të armatosur për të luftuar përkrah UÇK-së dhe blinin armë në emër të UÇK-së.

‘‘Rekrutimi i ish-të burgosurve, banditëve patriotë dhe kriminelëve të karrierës në luftën kundër armiqve të shtetit ishte gjithashtu i zakonshëm gjatë luftërave jugosllave. Ka pasur akuza të shumta nga agjencitë perëndimore të zbatimit të ligjit se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), gjatë ngritjes së saj, bashkëpunoi me kriminelë shqiptarë etnikë brenda dhe jashtë Kosovës. Ngjashëm me rastin e Bosnjë-Hercegovinës, që qeveria në hije e Kosovës të funksiononte dhe UÇK-ja të armatosej, nevojiteshin shuma të mëdha parash. UÇK-ja nuk mbështetej zyrtarisht nga asnjë shtet, kështu që duhej të mbështetej në burime të tjera alternative financimi (Raufer, 2003; Lewis, 2011; Lowen, 2011). Sipas rasteve të hetuara, fondet për UÇK-në vinin nga shqiptarë të zakonshëm në diasporë, si dhe nga trafikantë droge që vepronin në të gjithë Evropën Perëndimore dhe SHBA-në. Kjo mbështetje nuk kufizohej vetëm në para, por trafikantët e drogës dërgonin gjithashtu njerëz të armatosur për të luftuar përkrah UÇK-së dhe blinin armë në emër të UÇK-së. Ndërsa lidhja midis UÇK-së dhe krimit të organizuar është e vështirë të përcaktohet, ka raste gjyqësore të njohura nga Gjermania, Italia, Belgjika dhe Republika Çeke, të cilat sugjerojnë fuqimisht një lidhje midis trafikantëve të drogës dhe UÇK-së (Jonsson, 2013)’’, thuhet mes tjerash në artikull.

Në artikull po ashtu pretendohet se, një ‘’shef i mafias shqiptare’’ në Belgjikë, linte plumba para dyerve të shqiptarëve atje si kujtesë për ‘’taksat vullnetare’’ që dërgoheshin te ‘’Vendlindja Thërret’’.

‘‘Në Belgjikë, i ashtuquajturi shef i “mafias shqiptare” VH la plumba para dyerve të njerëzve nga diaspora shqiptare si një kujtesë se taksat “vullnetare” që ata duhej të paguanin në mbështetje të qeverisë në hije dhe UÇK-së nuk ishin në të vërtetë “vullnetare”. Mbijetesa e UÇK-së varej nga financimi i ofruar nga banditët patriotë që vepronin përtej kufijve. Të ashtuquajturat taksa vullnetare u dërgoheshin organizatave humanitare si Vendlindja Thërret “Atdheu thërret”. Xhavit Haliti ishte ish-kreu i logjistikës për UÇK-në dhe deri në vitin 2011 ishte një deputet i lartë për partinë PDK në Kosovë. Sipas një raporti të inteligjencës së KFOR-it, Haliti drejtoi Fondin Atdheu Thërret dhe kur financimi u tha, “u drejtua ndaj krimit të organizuar në një shkallë të gjerë” (Lewis, 2011)’’, thuhet mes tjerash aty.

Tutje, në artikull shkruhet edhe se, agjencitë perëndimore të inteligjencës i mbyllën sytë rreth lidhjes kriminalo-politike që po shfaqej në Kosovë, dhe se, sipas këtij artikulli, shumë veta kanë qenë të vetëdijshëm për lidhjen midis UÇK-së dhe trafikantëve të drogës

‘‘Ngjashëm me Bosnjë-Hercegovinën, konflikti etnik legjitimoi dhe mbështeti lidhjen ndërkombëtare kriminalo-politike të Kosovës në emër të “ndërtimit të kombit”. Konflikti u dha kriminelëve një mundësi për çlirim episodik nga kufizimet morale. Për më tepër, agjencitë perëndimore të inteligjencës gjithashtu mbyllën sytë ndaj lidhjes kriminalo-politike që po shfaqej në Kosovë. Që nga fillimi i viteve 1990, shumë veta kanë qenë të vetëdijshëm për lidhjen midis UÇK-së dhe trafikantëve të drogës (Layne, 1999). Pas përfundimit të luftës së Kosovës, u raportua se Kosova u bë tokë pjellore për trafikantët e drogës dhe se sasitë e heroinës së trafikuar përmes Kosovës u dyfishuan (Klebnikov, 2000; Qendra për Studime Gjeopolitike të Drogës 2011). Pas konfliktit, vetë UÇK-ja u shpërbë zyrtarisht, megjithatë, shumë nga ish-komandantët e UÇK-së shpejt vunë një kapelë tjetër dhe u futën në politikë. Me politikën erdhi edhe krimi (Jonsson, 2013; Mitchell, 2002; Marty, 2010; Brunnwasser, 2011; ICG, 1999). Ish-komandantët e UÇK-së shpesh pretendojnë se të gjitha akuzat kundër tyre janë vepër e komploteve të huaja’’, shtohet më tej.

Kurse, Krasniqi ka thënë se ‘‘ky pamflet propagande kundër UÇK-së’’, do të duhej të shërbente që menjëherë të iniciohej shkarkimi i Bashës.

‘‘Bizare çka më lexuan sytë.

Një “studim” i kryeparlamentarit Dimal Basha, i publikuar në 2012-n, po e dezinformon botën se UÇK-ja është ngritë me ndihmën e kriminelëve dhe banditëve shqiptarë e të huaj, se UÇK-në na e paskan financu bandat kriminale e trafikantët e drogës dhe se diaspora është detyru të japë para për UÇK-në, nën kërcënimin e bandave të krimit. Ky pamflet propagande kundër UÇK-së, do të duhej të shërbente që menjëherë të iniciohej shkarkimi i tij, e në të kundërtën të bojkotohej puna e Kuvendit për aq kohë sa Basha është në krye të këtij institucioni. Linkun me përmbajtjen e pamfletit denigrues për UÇK-në e gjeni në koment’’, ka shkruar ai.

Të tjera