Gati 16 vjet burgim për njërin, e 11 vjet për të akuzuarin tjetër për vrasjen në Fushë Kosovë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Atdhe Musliu dhe Labinot Bajrami, lidhur me akuzën për rastin e vrasjes së A.H., më 2023 në Fushë-Kosovë. Musliu u dënua me dënim unik prej 16 vjet e 8 muaj burgim, ndërkaq Bajrami me 11 vjet burgim.

Në këtë rast, Atdhe Musliu dhe Labinot Bajrami akuzoheshin se kanë privuar nga jeta A.H., me ç’rast ngarkoheshin se kanë kryer veprën penale “Vrasje” në bashkëkryerje, ndërsa Musliu akuzohej edhe për armëmbajtje pa leje, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Aktgjykimi u shpall të hënën nga kryetari i trupit gjykues, Gent Beka dhe anëtarët Medie Bytyqi dhe Agim Kuçi, pas aprovimit të marrëveshjes për pranim fajësie të arritur mes Prokurorisë dhe dy të akuzuarve.

Gjykatësi Beka tha se dy të akuzuarit shpallen fajtorë sipas marrëveshjes së arritur për pranim fajësie për veprën penale “Vrasje” dhe i akuzuari Musliu edhe për armëmbajtje pa leje.

I akuzuari Musliu për veprën penale “Vrasje” u dënua me 16 vjet burgim, ndërkaq për armëmbajtje pa leje me 10 muaj burgim. Ndaj tij, u shpall dënim unik me 16 vjet e 8 muaj burgim.

Kurse, i akuzuari Bajrami për veprën penale “Vrasje” u dënua me 11 vjet burgim.

Dy të akuzuarve iu vazhdohet masa e paraburgimit, por jo më gjatë sesa dënimi i shqiptuar. Pala e dëmtuar udhëzohet në kontest të rregullt juridiko-civil.

Obligohet secili i akuzuar që në emër të paushallit gjyqësor të paguajnë nga 200 euro dhe 50 euro të tjera për Fondin për kompensimin e viktimave të krimit, në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimt.

Meqenëse kemi dënim të rekomanduar, Gjykata u dha të drejtën e ankesës brenda afatit ligjor.

Të pranishëm në shpallje ishin dy të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre, avokatët Taulant Broqi dhe Fehmije Gashi-Bytyqi.

Paraprakisht, Gjykata në seancën dëgjimore për shqyrtimin e marrëveshjes për pranimin e fajësisë, pas marrjes së mendimit të palëve, mori aktvendim me të cilin aprovoi marrëveshjen për pranimin e fajësisë e lidhur në mes Prokurorisë dhe dy të akuzuarve Atdhe Musliu dhe Labinot Bajrami.

Ndryshe, më 5 shtator 2023 i akuzuari Musliu e kishte pranuar fajësinë, kurse i akuzuari Bajrami ishte deklaruar i pafajshëm. Andaj, ndaj të akuzuarit Musliu ishte veçuar procedura, i cili ishte dënuar me 22 vite burgim, më 2 tetor 2023.  Ky aktgjykim ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit përmes aktgjykimit të 6 shkurtit 2024.

Ndërsa, Gjykata Supreme përmes aktgjykimit të 27 majit 2024 e ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe atë të Gjykatës së Apelit për të akuzuarin Atdhe Musliu, duke e kthyer çështjen në rigjykim.

Në seancën e 20 qershorit 2024, ishte propozuar të bëhet bashkimi i procedurës penale ndaj dy të akuzuarve.

Andaj, më pas, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Gent Beka kishte njoftuar se në këtë çështje penale është bërë bashkimi i procedurës penale ndaj të pandehurit Atdhe Musliu, për të cilin ka qenë duke u vazhduar procedurë e veçantë. Kështu, ndaj dy të pandehurve Labinot Bajrami dhe Atdhe Musliu procedura vazhdon si një.

Sipas aktakuzës së ngritur më 9 gusht 2023, të akuzuarit Atdhe Musliu dhe Labinot Bajrami më 12 shkurt 2023, në rrugën “Pjetër Budi” në Fushë-Kosovë, për shkak të mosmarrëveshjeve të atëçastshme, fillimisht i akuzuari Bajrami e ka sulmuar dhe goditur me grushte e shqelma dhe me sende të forta të dëmtuarin A.H., i cili tenton të ikë t’i shmanget sulmit, por të akuzuarit Atdhe dhe Labinot e ndjekin dhe vazhdojnë përsëri ta godasin me grushte e shqelma dhe me sende të forta, e më pas me qëllim të privimit nga jeta, i akuzuari Musliu e ka goditur me thikë në pjesën e kraharorit – anën e majtë, duke e privuar nga jeta të dëmtuarin- tani të ndjerin A.H.

Me këtë, akuzoheshin se në bashkëkryerje të akuzuarit Musliu dhe Bajrami kanë kryer veprën penale “Vrasje” nga neni 172 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas dispozitivit të dytë të së njëjtës aktakuzë, i akuzuari Musliu me datë, kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitivin e parë, është gjetur se pa autorizim e në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, ka mbajtur në pronësi armën – thikën, ku me vërtetimin mbi konfiskimin e përkohshëm të gjësendeve i është konfiskuar.

Me këtë, Musliu akuzohej se ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK-së.

Të tjera

Lajme

Lladrovci rikthehet në PDK: Do angazhohemi për fitoren e Bedri Hamzës

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, është

Lajme

Kurti e nis fushatën për votat e mërgatës nga Oslo

Ambasadorja e Kosovës në Norvegji, Nita