​Fushata zgjedhore: Mbi 20 mijë euro gjoba për kandidatë e parti politike

Mbi 20 mijë euro është shuma e gjobave që Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka shqiptuar për disa kandidatë e subjekte politike gjatë fushatës për zgjedhjet lokale 2025.

PZAP në gjashtë vendime ka shqiptuar gjoba për shkak të shkeljeve të rregullave të fushatës zgjedhore, në mesin e tyre edhe për gjuhë nxitëse dhe të urrejtjes.

Mbi 20 mijë euro është shuma e gjobave që Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka shqiptuar për disa kandidatë e subjekte politike gjatë fushatës për zgjedhjet lokale 2025. PZAP në gjashtë vendime ka shqiptuar gjoba për shkak të shkeljeve të rregullave të fushatës zgjedhore, në mesin e tyre edhe për gjuhë nxitëse dhe të urrejtjes.

Fushata për zgjedhjet lokale të 12 tetorit tashmë është në ditën e trembëdhjetë dhe do të zgjasë 30 ditë. Janë 206 kandidatë që po garojnë për udhëheqës të komunave, ndërkaq, janë më shumë se 5600 kandidatë që synojnë ulëse në kuvende komunale.

Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) flet për vendimet e deritanishme të PZAP-së dhe gjobat e shqiptuara deri më tani për kandidatë e subjekte politike.

“Deri më tani në këtë moment, me sa vërejta nga platforma e PZAP-së, diku janë rreth gjashtë vendime me gjobë që janë shqiptuar disa kandidatëve dhe subjekteve politike për shkak të shkeljes së rregullave të fushatës zgjedhore. Nga 17 raste që unë evidentova, gjashtë prej tyre janë të vendosura me gjobë. Me shtatë mijë euro gjobë për gjuhë nxitëse dhe urrejtëse më së shumti deri më tani po prin iniciativa qytetare ‘Skenderaj’ e Sokol Halilit, i njëjti është i dënuar në dy raste nga PZAP për shkak të përdorimit të gjuhës nxitëse dhe urrejtëse. Pastaj e dyta është Partia Demokratike e Kosovës, e njëjta për shkak të bërjes së fushatës në institucione publike apo edhe për gjuhë nxitëse. Në këtë radhë vjen Faton Peci, kandidati për Mitrovicë dhe është i dënuar me 2500 euro gjobë për shkak të bërjes së fushatës në hapësira publike dhe së fundmi është edhe LDK – kandidati për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama i gjobitur me gjobë prej 2500 euro për shkak të bërjes së fushatës në institucione publike. Këto janë kategoria e gjobave deri më tani, në total prej 20 mijë e 500 euro gjobë ”, deklaron ai.

Në periudhën e njëjtë të fushatës për zgjedhje nacionale, Bugaqku thotë se ishin shqiptuar mbi 100 mijë euro gjobë.

“Për dallim prej zgjedhjeve parlamentare të datës 9 shkurt, vetëm në 10 ditët e para të atyre zgjedhjeve, PZAP pati shqiptuar diku mbi 100 mijë euro gjobë. Dhe numri i ankesave për gjuhë nxitëse dhe urrejtëse edhe më i madh se tani sa i përket aktualisht fazës së deritanishme. Diku në dy apo tri raste kemi dënimin mbi përdorimin e gjuhës nxitëse dhe urrejtëse, kurse në zgjedhjet parlamentare ju e dini që për 10 apo 12 ditë ka qenë numër i madh i vendimeve që i ka dënuar subjektet politike me gjoba tejet të larta sa i përket përdorimit të gjuhës nxitëse dhe urrejtëse”, shton ai.

Gjuhë nxitëse dhe të urrejtjes në rrjete sociale, Venera Gashi nga Demokracia për Zhvillim (D4D) thotë se kanë vërejtur gjatë monitorimeve. Ajo thotë se gjatë këtyre ditëve kanë monitoruar kandidatë për kryetar dhe atyre për asamble komunale, për të cilët thotë se kanë targetuar kundër kandidatët e tyre.

“Ne gjatë monitorimeve prej periudhës së para fushatës e deri më sot kemi hasur në gjuhe të urrejtjes kryesisht, për shembull periudha e monitorimit të javës së parë nga gjithsej 32 raste, 22 prej tyre kanë qenë me gjuhë të urrejtjes. Bullizëm personal kanë qenë tri, dezinformim tri, një sulm etnik fetar dhe tri raste tjera. Por edhe këtë javë edhe në përgjithësi kemi hasur në më shumë raste të gjuhë të urrejtjes”, thotë ajo për KosovaPress.

Kjo fushatë zgjedhore është më e zbehtë se sa parapraket, thotë ndër tjera Mexhide Demolli, e cila është drejtoreshë në “Lëvizja Fol”, ku mes tjerash shprehet se “programet e kandidatëve lënë shumë për të dëshiruar”.

“Edhe dy ditë është gjysma e fushatës që po kalon, ajo që është vënë re është një fushatë tepër e zbehtë pothuajse e gjithë kandidatëve. Ndoshta këtu ka ndikuar politika në nivelin qendror që ende nuk i kemi institucionet qendrore të konstituara dhe nuk është rëndësia që po i kushtohet aq sa duhet këtyre zgjedhjeve lokale sa do të duhej, duke i pasur problemet në nivel qendror. Ndoshta më shumë po vazhdojnë të marrin vëmendje ngjarjet në nivel qendror se sa në nivel lokal, e që konsideroj se është gabim sepse komuna është dera e parë e qytetarit ku duhet të adresojnë kërkesat e tyre. Por, programet e tyre lënë shumë për të dëshiruar. Niveli edhe i debateve në televizione dhe kronika që përcjellin fushatat zgjedhore lë shumë për të dëshiruar”, deklaron ajo.

Për trembëdhjetë ditë fushatë, Demolli shton se bazuar në monitorime kanë vënë re edhe debate me gjuhë jo të përshtatshme.

“Janë duke u monitoruar të gjitha, ka debate me shprehje të cilat nuk do të duhej të dëgjonim nga kandidatët, në ato pak debate që ka konfrontim të kandidatëve për kryetarë të komunave të ndryshme. Por, nuk është në nivelin më të rrezikshëm dhe më të madh të mundshëm që të alarmohemi deri në atë masë. Deri më tani, konsideroj që java e fundit do të jetë më e shprehur kjo gjuhë e dhunës”, përfundon ajo.

Në zgjedhjet lokale të 12 tetorit të drejtë vote kanë dy milionë e 69 mijë e 98 votues. Në mesin e tyre janë edhe mbi 43 mijë votues prej jashtë shtetit. Në këto zgjedhje lokale janë certifikuar 93 subjekte, prej tyre 32 parti politike, 32 iniciativa qytetarë, dy koalicione dhe 27 kandidatë të pavarur.

Zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë janë organizuar në vitin 2021.

Të tjera

Showbiz

A është fejuar Sara Hoxha, ky detaj thotë shumë

Sara Hoxha, ish-partnerja e reperit Ledri