Ekspertja gjermane Deimel: Moszgjedhja e presidentit do të ishte fatale për Kosovën

Ekspertja gjermane për Ballkanin, Johanna Deimel analizon rezultatin e zgjedhjeve në Kosovë dhe paralajmëron, se një dështim i zgjedhjeve presidenciale në mars do të ishte fatal për Kosovën.

Ajo ka thënë edhe se, fitorja e VV’së mund të shikohet nga disa aspekte, duke përfshirë këtu bllokimin politik, zgjedhjet e shkurtit, mosmiratimin e buxhetit, dhe se, mund të ketë qenë ‘’ një votë për funksionimin e shtetit ajo që mund të ketë kontribuar në fitoren e Albin Kurtit’’.

Deimel, po ashtu ka thënë se duhet të ketë kompromis me opozitën për zgjedhjen e presidentit.

Intervista e plotë:

DW: Vetëvendosje fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Prishtinë. Si e shikoni këtë triumf të Kurtit dhe LVV?

Kjo fitore mund të shpjegohet në disa aspekte. Së pari, bllokimi politik prej muajsh që nga zgjedhjet e shkurtit 2025 u përshkallëzua në një krizë ekzistenciale. Nuk u miratua asnjë buxhet për vitin 2026, legjislacioni u ngri, fondet e BE-së dhe Bankës Botërore nuk u shpërndanë, pozicionet kyçe drejtuese mbetën të pazëna dhe institucionet shtetërore u paralizuan. Ishte një votë për funksionimin e shtetit ajo që mund të ketë kontribuar në fitoren e Albin Kurtit. Së dyti, pavarësisht krizës politike, Kosova siguroi katër njohje vitin e kaluar (nga Kenia, Sudani, Siria dhe Bahamas), dhe qeveria e Albin Kurtit publikoi të dhëna relativisht të forta ekonomike për vitin 2024, me një rritje prej 4.4 përqind.

Për Brukselin, fitorja e qartë zgjedhore e VV-së është një lehtësim nga njëra anë, sepse së shpejti do të ketë një qeveri funksionale. Nga ana tjetër, BE-ja dhe Albin Kurti nuk kanë marrëdhëniet më të mira mes tyre. Qasja e tij e njëanshme, veçanërisht në lidhje me veriun e Kosovës, ka shkaktuar dëme të konsiderueshme diplomatike. Pas zgjedhjeve lokale në tetor, kryetarët e bashkive në katër komunat me shumicë serbe në veri janë rivendosur dhe sanksionet e BE-së kundër Kosovës po hiqen gradualisht. Megjithatë, shumë njerëz në Kosovë ende ndihen të trajtuar padrejtësisht nga BE-ja. Për më tepër, perspektiva e pranimit në BE mbetet e largët dhe ka ende pesë shtete anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën. Albin Kurti me kursin e tij me nuanca nacionaliste i shërbeu ndjenjës së krenarisë të shumë votuesve, pavarësisht tensioneve me Brukselin.

Sipas Eurobarometrit të shtatorit 2025, SHBA-të mbeten partneri më i rëndësishëm i Kosovës. Ndaj pezullimi i dialogut strategjik nga SHBA-të ishte shokues. Megjithatë, pak para zgjedhjeve, SHBA-të e kthyen vëmendjen nga Kosova dhe Serbia me “National Defense Authorization Act”. Kjo ishte me rëndësi! Aty janë përcaktuar objektiva të qarta – siç është kërkesa për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe një udhërrëfyes i qartë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Por më me rëndësi është se SHBA-të janë kundër shkëmbimeve të territoreve, ndarjes ose ndryshimeve të tjera kufitare përgjatë vijave etnike. Kjo konfirmoi integritetin territorial të Kosovës dhe, në sytë e disa votuesve, ndoshta në mënyrë jodirekte konfirmoi edhe Albin Kurtin dhe veprimet e tij të ashpra për të siguruar sovranitetin e Prishtinës në veri të Kosovës. Ndoshta disa votues kosovarë arsyetuan, se nëse një President i SHBA-së, Donald Trump, mund të ndryshojë rendin botëror për shkak të interesit të pastër kombëtar, atëherë Kosova ia del më mirë me një qasje nacional-populiste që e ndjek Albin Kurti ndaj Serbisë.

DW: Fitoren e Albin Kurtit e përforcoi vota e diasporës. Si e shikoni rolin e diasporës? Në mediat sociale ka pasur debate midis kundërshtarëve të Kurtit në Kosovë dhe atyre në diasporë që e mbështesin atë në lidhje me rolin e diasporës…

Vërtet që diaspora ka shumë peshë në vend. Sipas Bankës Botërore, afërsisht 700.000 kosovarë jetojnë jashtë vendit. Vetëm remitancat e tyre, që arrijnë në 1.2 miliardë euro, përfaqësojnë 12.7 përqind të PBB-së. Albin Kurti llogariti me votat e tyre kur caktoi strategjikisht zgjedhjet më 28 dhjetor, kohën e festave. Megjithatë, sipas rezultateve paraprake që janë tani në dispozicion, VV e arriti performancën e saj të fortë edhe pa diasporën. Ata që jetojnë jashtë vendit janë kryesisht kosovarë të rinj, në moshë pune, të cilët me sa duket ndërkohë kanë më pak lidhje me luftën për pavarësi dhe luftën e vitit 1999. Për ta, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Partia Demokratike (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), strukturat dhe personeli i të cilave janë ende shumë të rrënjosura në atë epokë, ka të ngjarë të mos jenë më opsione.

Tendenca e diasporës për të votuar në linjë nacionaliste mund të vërehet edhe në vende të tjera. Albin Kurti duhet të bëjë gjithçka që është e mundur për ta çuar vendin përpara përmes reformave si në ekonomi, në drejtimin social, kujdesin shëndetësor dhe furnizimin me energji, dhe ta kthejë diasporën në vendlindje. Detyra e partive të opozitës është të përqendrohen në fitimin e mbështetjes së diasporës përmes programeve që orientohen nga e ardhmja dhe një roli konstruktiv opozitar. Vetëm kur remitancat nga diaspora nuk do të luajnë më një rol kaq të rëndësishë, ajo do ta humbasë rëndësinë politike në zgjedhje.

DW: Kurti konsiderohet një politikan i pakompromis, veçanërisht kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me Serbinë. A mund të çojë kjo fitore në një hapje të  tij, ndryshim të qëndrimit të Kurtit, duke e nxitur të bëjë më shumë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, apo do të vazhdojë qasjen e tij konfrontuese?

Rezultati i zgjedhjeve për Albin Kurtin tregon se kursi që ndjek ka jep fryte. Ai sikur edhe Aleksandar Vuçiqi kanë nevojë për tensione politike dhe përfitojnë prej tyre. Ndërsa pozicioni i Kurtit tani është forcuar, Vuçiq është nën një presion të konsiderueshëm në Serbi. Prandaj, për të dyja palët, është joshëse të përshkallëzojnë në vend që t’i ulin tensionet për të siguruar pushtetin. Shumë do të varet nga mënyra se si do të zhvillohet situata e brendshme politike në Serbi dhe nëse Vuçiq do mund ta mbajë pushtetin. Një ndryshim regjimi në Beograd ka të ngjarë të ndryshojë shumë gjëra, duke përfshirë edhe marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë.

DW: Testi i parë i madh i bashkëpunimit midis qeverisë dhe opozitës do të jenë zgjedhjet presidenciale në mars. A mund të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme, apo qeveria dhe opozita kanë nxjerrë mësimet e nevojshme nga viti katastrofik 2025?

Zgjedhjet e ardhshme (të Presidentes apo Presidentit) në mars ishin një shqetësim i madh edhe në prag të zgjedhjeve parlamentare. Për zgjedhjet presidenciale nevojiten të paktën 80 nga 120 anëtarët e parlamentit në dy raundet e para, që do të thotë se Albin Kurti VV do të ketë nevojë patjetër edhe për votat e anëtarëve të opozitës. Në raundin e tretë, ku kërkohen të paktën 61 vota, do të jetë interesante të shihet nëse do të arrihet kuorumi prej të paktën 80 anëtarësh të pranishëm në parlament.

Duhet të negociohet një kandidat kompromisi me opozitën. Do të ishte katastrofike, nëse partitë opozitare nuk do të nxirrnin asnjë mësim nga rezultatet e zgjedhjeve – që do të thotë, se strategjia e pengimit në kurriz të stabilitetit të vendit në fund nuk ia vlen dhe se kompromisi është i domosdoshëm në një demokraci. Një dështim i zgjedhjeve presidenciale do të ishte fatale në disa aspekte: sepse do të duheshin zgjedhje të reja dhe kriza politike do ta çonte Kosovën më tej drejt greminës. Vetëm këto do të mjaftonin. Por nëse nuk as ka buxhet për vitin 2026 deri atëherë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thjesht nuk do të kishte më fonde për të organizuar zgjedhje të reja.

Johanna Deimel ka qenë zëvendësdrejtuese e Shoqatës së Europës Juglindore në Gjermani, sot anëtare e bordit dhe analiste e pavarur për Ballkanin dhe Europën Juglindore

Të tjera