Anipse afati për zgjedhjen e presidentit të ri përfundon për pak ditë, zgjidhja e kësaj situate, që mund të shndërrohet në ngërç të ri politik, ende s’po shihet. As takimet e para mes tre liderëve të tri partive më të mëdha shqiptare nuk rezultuan të suksesshme në çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës. Asgjë më shumë se sa thirrje për ‘’reflektim’’, ‘’konsensus’’, dhe, kandidat që gëzon përkrahjen e së paku 84/85 deputetëve, s’doli nga takimet ndaras që lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i pati me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, dhe me atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, shkruan Gazeta Express.
Në fakt, për të gjetur zgjidhje është lënë që këta liderë të takohen sërish në ditët në vijim. Kështu të paktën potencoi Abdixhiku pas takimit me Kurtin.
Edhe pse s’pati dakordancë për emër të presidentit, lideri i LDK’së, bëri të ditur se me Kurtin ai ka pasur një ‘’dakordim të përgjithshëm’’ lidhur me këtë çështje.
“Dakordimi i përgjithshëm është se ka vetëm dy rrugë përpara. Ose duhet konsensus i përgjithshëm mes faktorëve të vendit…ose duhet një marrëveshje klasike politike mes partive për çështjen e presidentit’’, deklaroi kryetari i LDK’së pas takimit.
Në anën tjetër, Kurti që i bëri ftesat drejtuar Hamzës e Abdixhikut, deklarimet e tij i koncentroi kryesisht në numra. Edhe pse qeverisja e tij gëzon 66 vota, tha se të vetëm s’mund ta zgjedhin presidentin.
Në fakt, Kurti, deklaroi se edhe ‘’një formulë’’ VV-LDK s’është e sigurt se ofron zgjedhje të presidentit, kësisoj, duhet një bashkëpunim edhe me PDK’në.
“…për të pasur sukses zgjedhja e Presidentit, shfaqet e nevojshme që t’i kemi diku 84-85 deputetë, jo 80 ose 81, sepse është rrezik i madh që mungojnë një ose dy dhe s’ia del dot, duhet të shkosh në zgjedhje në prill”.
Sa i përket kandidaturës së Vjosa Osmanit, për një mandat të dytë, apo edhe një emri nga familja Jashari, Kurti nuk shfaqi qëndrim të qartë ‘’pro’’ këtyre dyjave.
Për kandidaturën e Osmanit, Kurti tha se për VV’në është e ‘’kotë’’ të nxjerrin kandidat dhe se kjo parti ‘’nuk ka mbledhur nënshkrime për askënd’’.
Sa i përket një kandidati nga familja Jashari, Kurti, teksa komentoi një vizitë në Prekaz, te Rifat Jashari, tha se zgjidhja ‘’është në mesin e këtyre tri subjekteve politike’’.
Sot, Arbërie Nagavci, shefe e re e Grupit Parlamentar tha se VV s’ka emra kandidatësh për President.
Sa i përket kësaj çështje, është deklaruar edhe Hamza. Kryetari i PDK’së, pas takimit me Kurtin, ka bërë të ditur se partia që udhëheq ai ‘’nuk mbështet kandidatura që nuk përfaqësojnë unitetin qytetar’’, dhe se i njëjti, ka uruar ‘’që të ketë reflektim’’ nga ata që e kanë përgjegjësinë kushtetuese për të propozuar kandidatura.
Ndryshe, takimi Kurti – Hamza është mbajtur ditën e diel, kurse ai mes Kurtit dhe Abdixhikut të hënën. I pari në zyrën e Kurtit, i dyti në Kuvend. Ndërsa nuk ka pasur takim mes Kurtit dhe liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Nga ana tjetër, presidenti i ri duhet të zgjidhet deri me 4 mars. Sa i përket një raundi të dytë takimesh mes Kurtit dhe dy liderëve, Hamza, Abdixhiku, ende s’është bërë ndonjë njoftim.



Të tjera
Aktuale
Kurti takohet me ambasadorë, çka u diskutua?
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin
Aktuale
Nisin përgatitjet për Epopenë e UÇK-së, miratohet edhe logoja zyrtare
Është mbajtur takimi i parë i
Kosova Lajme
Nga 1 marsi – 15 kategori do të lejohen të udhëtojnë falas me trafik urban në Prishtinë
Nga 1 marsi 2026, Trafiku