Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje politikanëve që të përmbahen nga tendencat për ndërhyrje në gjyqësor. Reagimi i BE-së u bë pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, hodhi akuza të forta ndaj Gjykatës Kushtetuese duke e quajtur “hije politike të opozitës” ndaj Vetëvendosjes.
Bashkimi Evropian ka reaguar pas akuzave që iu bënë të dielën Gjykatës Kushtetuese nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe ish-kryeparlamentari Glauk Konjufca, të dy liderë të partisë fituese të zgjedhjeve – Vetëvendosje.
Zyra e BE-së në Kosovë u kanë bëtë thirrje politikanëve që të përmbahen nga tendencat për ndërhyrje në gjyqësor.
“Pikëpamja e Bashkimit Evropian në Kosovë është se një nga parimet themelore të sundimit të ligjit është pavarësia e gjyqësorit, dhe se roli i Gjykatës Kushtetuese është të interpretojë dhe të udhëzojë për zbatimin e plotë të Kushtetutës së Kosovës. Është përgjegjësi e të gjithëve, përfshirë aktorët politikë dhe institucionet të respektojnë këtë, dhe të përmbahen nga çdo formë e ndërhyrjes në punën e gjyqësorit, përfshirë përmes sulmeve personale”, ka thënë Nikola Gaon, zëdhënës i Zyrës së BE-së në Kosovë, për Kohën.
Po ashtu edhe shefi i misionit EULEX, Giovanni Pietro Barbano, ka kërkuar të ndalen sulmet ndaj gjyqtarëve.
Në një postim në profilin e tij në rrjetin “X” të hënën, ai ka thënë se pavarësia e gjyqësorit është gurthemel i sundimit të ligjit.
Sipas tij, ndërhyrja e panevojshme përmes sulmeve personale të drejtpërdrejta ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve është e papranueshme.
“Pavarësia gjyqësore është një nga gurthemelet e sundimit të ligjit: pavarësia e gjyqtarëve duhet të respektohet nga të gjithë, në çdo kohë. Ndërhyrja e panevojshme përmes sulmeve personale të drejtuara drejtpërdrejt ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve që i kryejnë detyrat e tyre është gjithmonë e papranueshme”, ka thënë Giovanni Pietro Barbano.
Për këto sulme, të hënën ka reaguar edhe vetë Kushtetuesja, duke i quajtur të papranueshme.
Kushtetuesja është sulmuar së fundi të dielën në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes.



Të tjera
Uncategorized
Guida Completa al Dolly Casino Italia per Giocatori Professionisti
In questo articolo, esploreremo in dettaglio
Lajme
Familja me tre fëmijë shpëtohet nga bora në zonën kufitare Kosovë–Mal i Zi
Një familje kosovare me tre fëmijë
Aktuale
KFOR-i për stërvitjet e ushtarëve serbë në kufi me Kosovën: Nuk përbën kërcënim, ishte e planifikuar
Gjatë ditës së mërkurë, qytetarë nga