E goditi bashkëshorten në stomak përpara vajzës 2-vjeçare – arrestohet

Një tjetër rast i dhunës në familje është regjistruar në komunën e Klinës, ku një grua e re është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj, përballë fëmijës së tyre të mitur.

Sipas informacioneve të Sinjalit, ngjarja ka ndodhur më 7 tetor 2025, rreth orës 13:30, në fshatin Dugujev të Klinës, ku Policia është njoftuar për një incident familjar në shtëpinë e B.B.

Në vendngjarje, policia ka kontaktuar me viktimën F.B. e cila ka deklaruar se ka pasur probleme të vazhdueshme me bashkëshortin e saj, me të cilin bashkëjeton prej pesë vitesh.

Sipas saj, pas një fjalosjeje që kishte ndodhur një natë më parë, konflikti kishte vazhduar edhe të nesërmen, kur ajo kishte kërkuar nga burri i saj që t’ia jepte vajzën 2-vjeçare për ta ndërruar.

Në atë moment, i dyshuari e kishte goditur me shkelm në anën e majtë të stomakut, duke e lënduar.

Viktima është dërguar për kontroll mjekësor, ndërsa deklarata e saj është marrë në prani të punëtorit social. Pas përfundimit të procedurave policore, ajo bashkë me vajzën e saj është strehuar në Strehimoren e Pejës.

I dyshuari është arrestuar dhe intervistuar në prani të avokatit të caktuar sipas detyrës zyrtare, por ai ka mohuar të ketë ushtruar dhunë, duke pretenduar se bashkëshortja “e ofendon vazhdimisht atë dhe familjen e tij”.

Në lidhje me rastin është njoftuar Prokurorja kujdestare, e cila ka urdhëruar inicimin e rastit “Dhunë në familje”.

Të tjera