Gazeta Sinjali ka siguruar dhe analizuar në tërësi dosjen voluminoze të Prokurorisë Themelore në Prizren, e cila përshkruan një skemë të ndërtuar me metodë, role të qarta dhe veprimtari të përsëritur financiare, përmes së cilës dyshohet se janë shpërndarë qindra mijëra euro nga fondet e Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS) pa bazë ligjore dhe jashtë çdo standardi institucional.
Nuk bëhet fjalë për një rast të izoluar, as për neglizhencë administrative. Dosja flet për një arkitekturë veprimi të ndërtuar me kujdes, që ka funksionuar për më shumë se një vit, nga korriku 2022 deri në tetor 2023, përmes dhjetëra transfereve bankare të njëpasnjëshme, të miratuara nga nivelet më të larta drejtuese të institucionit .
Bërthama e skemës: vendimmarrja brenda BKS-së
Në qendër të hetimit janë dy pozita kyçe: drejtuesi ekzekutiv i BKS-së dhe drejtuesi i financave dhe kontabilitetit.
Sipas Prokurorisë, këta zyrtarë nuk kanë qenë thjesht nënshkrues formalë. Ata:
kishin kontroll real mbi qarkullimin e mjeteve financiare;
kishin qasje të plotë në të dhënat për pagesat e mëhershme të dëmeve;
dhe kishin obligim ligjor të mbronin interesin pasuror të institucionit.
Megjithatë, dosja përshkruan se pikërisht nga ky nivel janë miratuar pagesa të shumta pa verifikim faktik, duke anashkaluar rregulloret e brendshme dhe duke lejuar që nga llogaria e BKS-së të dalin mjete për raste që, sipas të dhënave ekzistuese, ishin mbyllur më herët me kompensim .
Mekanizmi i veprimit: një model që përsëritet
Analiza e dosjes tregon se skema ka funksionuar sipas një modeli pothuajse identik:
Paraqitej një kërkesë për kompensim dëmi, zakonisht për aksidente të ndodhura vite më parë.
Në skenë hynte një person i tretë, i paraqitur si “përfaqësues” i të dëmtuarit.
Nuk kryhej verifikim substancial nëse dëmi ishte kompensuar më herët.
Kryhej miratimi financiar në nivel drejtues.
Ekzekutohej transferi bankar.
Ky cikël është përsëritur dhjetëra herë, me ndryshime vetëm në emra dhe shuma, por jo në mënyrën e veprimit. Prokuroria e cilëson këtë si vazhdimësi penale, element që e rëndon ndjeshëm përgjegjësinë juridike .
Skema e mashtrimit: “Ujdi fiktive” për aksidente të vjetra
Sipas dosjes, dyshja Mazreku-Berisha,, kanë miratuar dhjetëra transaksione. Metoda kryesore e përdorur ishte lidhja e “ujdive fiktive jashtëgjyqësore” për kompensim dëmesh nga aksidente komunikacioni që kishin ndodhur vite më parë.
Në shumë raste, personat që supozohej se po kompensoheshin ishin paguar më parë nga BKS-ja, por llogaritë bankare ku transferoheshin paratë të bashkëpandehurve të tjerë, të cilët shërbenin si “ndihmës” në këtë skemë.
“Me datë 5 korrik 2022, në Prishtinë, me dashje, në bashkëveprim përpilojnë dokument të falsifikuar me qëllim të shfrytëzim të atij dokument si origjinal, në atë mënyrë që i pandehuri Valon Berisha si përfaqësues i të dëmtuarës Byroja Kosovare e Sigurimit dhe i pandehuri Agon Bardhi në cilësinë si i autorizuari për palën e dëmtuar Gjon Palokaj, kanë nënshkruar dhe vulosur ujdi fiktive jashtëgjyqësore përmes së cilës e dëmtuara BKS ka marrë përsipër që palën e dëmtuar Gjon Palokaj ta kompensojë në shumë prej 7,961.00 Euro, për shkak të aksidenti të trafikut të datës 24.12.2017 dhe atë përmes llogarisë bankare të të pandehurit Agon Bardhi, edhe pse personi Gjon Palokaj paraprakisht ishte kompensuar për aksidentin në fjalë“, është një nga rastet që përmendet në dosje.

Shifrat që flasin vetë
Dosja përmban një listë të gjatë transaksionesh, secili i përshkruar me datë, shumë dhe përfitues. Vetëm disa nga shumat e dokumentuara përfshijnë transfere prej:
7,961 euro,
8,540 euro,
12,705 euro,
10,915 euro,
9,343 euro,
8,745 euro,
7,699 euro,
9,235 euro
Pagesat janë realizuar gjatë periudhës korrik 2022 – tetor 2023, pa dokumentacion përkatës, shpesh në emër të kompensimit të dëmeve nga aksidente trafiku, edhe pse palët përfituese kishin qenë paraprakisht të kompensuara.
Në shumë raste, dy apo tre pagesa janë kryer në të njëjtën ditë ose brenda pak ditësh, për të njëjtin përfitues ose për raste të lidhura, çka sipas Prokurorisë përjashton çdo mundësi gabimi të rastësishëm .
Vlera totale e transaksioneve të pajustifikuara arrin në 1,043,284.00 Euro. Këto mjete dyshohet se janë transferuar përmes marrëveshjeve fiktive dhe në disa raste edhe pa asnjë bazë ligjore, duke u shpërndarë te një rrjet i gjerë prej rreth 40 personash të përfshirë.
Në shumë raste, mjetet financiare janë transferuar në llogaritë e personave të tretë, të cilët dyshohet se kanë shërbyer si përfaqësues fiktivë të palëve të dëmtuara.
Prokuroria thekson se vetëm përmes këtyre veprimeve i është shkaktuar dëm material i madh BKS-së, ndërsa shumat e veçanta të transfereve variojnë nga disa mijëra deri në mbi 12 mijë euro për pagesë individuale, me qindra transaksione të regjistruara në dosje.
Në dosjen e siguruar nga Sinjali, përmendet edhe Reforma” SH.P.K., si dhe e personit përgjegjës të kësaj kompanie, të cilët dyshohen se kanë ndihmuar në keqpërdorimin e besimit përmes skemës së pagesave të dyshimta.
Detaje nga dosja:

Rrjeti i përfituesve dhe roli i personit juridik
Përfituesit nuk janë të rastësishëm. Dosja përfshin:
persona fizikë që shfaqen në mënyrë të përsëritur si përfitues;
individë që figurojnë si “përfaqësues” në shumë raste të ndryshme;
si dhe person juridik, për të cilin Prokuroria ka ngritur dyshime për përfshirje në skemë, bashkë me personin përgjegjës të tij.
Përfshirja e personit juridik është element kyç, sepse rasti nuk trajtohet vetëm si abuzim individual, por si skemë me përfitim ekonomik të organizuar, ku përgjegjësia shtrihet edhe mbi struktura biznesore .
Dimensioni penal: Pse kjo dosje është e rëndë
Prokuroria ka ndërtuar hetimin mbi disa vepra penale njëkohësisht:
keqpërdorim i besimit, keqpërdorim i autorizimeve ekonomike, falsifikim dokumentesh, bashkëkryerje,
vazhdimësi e veprës, dhe përgjegjësi penale e personit juridik.
Ky kombinim nënkupton se çdo pagesë trajtohet si akt penal i veçantë, por edhe si pjesë e një zinxhiri të qëllimshëm veprimesh, duke e rritur ndjeshëm ekspozimin penal të të dyshuarve .
Pse Prokuroria kërkon paraburgim
Në kërkesën drejtuar Gjykatës Themelore në Prizren, Prokuroria thekson: rrezikun e ndikimit në dëshmitarë, mundësinë e manipulimit të provave financiare, dhe rrezikun e përsëritjes së veprës, duke pasur parasysh natyrën e organizuar të skemës.
Këto rrethana janë përdorur si bazë për kërkesën e masës më të rëndë të sigurisë, duke e cilësuar rastin si rrezik serioz procedural .
Një dosje që tejkalon një rast individual
Ajo që e bën këtë dosje të veçantë nuk është vetëm numri i transaksioneve, por:
struktura e qartë e roleve,
përsëritja e njëjtë e metodës,
përfshirja e personit juridik,
dhe dyshimi për kompensime të dyfishta apo trefishta për të njëjtat raste.
Hetimet janë në vazhdim, ndërsa pritet që gjatë fazave të ardhshme të saktësohet shuma përfundimtare e dëmit dhe përgjegjësia individuale e secilit të dyshuar.







Të tjera
Aktuale
Vërshimet e Sitnicës zhysin dhjetëra shtëpi në ujë
Pas daljes nga shtrati të lumit
Aktuale
Nis depërtimi i masave të ftohta ajrore me origjinë polare, reshje bore gati në gjithë Kosovën
Tashmë ka nisur depërtimin gradual i
Aktuale
Në rrugën Mitrovicë–Bajgorë shembet një pjesë e dheut
Ka rrëshqitur një pjesë e dheut