Deputetët nuk kanë arritur ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës as pas për tentimit të shtatë radhazi, pasi kandidatja e partisë fituese Lëvizja Vetëvendosje nuk u votua përsëri të dielën.
Kuvendi i Kosovës ka dështuar sërish të konstituohet edhe pas tentimit të shtatë radhazi, pasi Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje nuk mori votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryetare e Kuvendit.
Në votimin e zhvilluar të dielën, 57 deputetë votuan në favor të Haxhiut, 41 ishin kundër dhe tre abstenuan, duke mos arritur kështu pragun e 61 votave të nevojshme.
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, njoftoi se seanca e radhës do të mbahet të martën, ndërkohë që Vetëvendosje ka vendosur të mos ndryshojë kandidaturën, duke propozuar përsëri Albulena Haxhiun për kryeparlamentare. Këtë e konfirmoi edhe deputeti i VV-së, Arben Vitia.
Deputetët e minoriteteve, sipas Elbert Krasniqit nga Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRD), janë deklaruar pro kandidaturës së Haxhiut dhe kanë konfirmuar mbështetjen e tyre, duke theksuar se nuk dëshirojnë të jenë pjesë e ndonjë koalicioni ku përfshihet Lista Serbe.
Nga ana tjetër, opozita vazhdon të refuzojë ta mbështesë kandidaturën e Haxhiut. Deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci, u bëri thirrje partive opozitare të reflektojnë dhe të votojnë për zhbllokimin e institucioneve, duke theksuar se i takon partisë fituese të zgjedhjeve të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, shpresoi publikisht se Vetëvendosje do të ndryshojë kandidatin për kryeparlamentar, duke deklaruar shkurt për gazetarët: “Ishalla lëviz diçka! Ndonjë kandidat”.
Edhe deputeti i VV-së, Faton Peci, theksoi nevojën urgjente që Kosova të formojë institucionet, ndërsa tha se gjithçka do të qartësohet përmes procesit të votimit.
Në anën tjetër, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, deklaroi se partia e saj nuk ka pranuar ndonjë ftesë nga Vetëvendosje për diskutime dhe se qëndrimi i AAK-së mbetet i pandryshuar: ata nuk do ta votojnë Albulena Haxhiun.
Skepticizëm për konstituimin e Kuvendit shfaqi edhe deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, i cili theksoi se çdo deputet ka përgjegjësinë e vet dhe se nuk është detyra e tij t’i bindë kolegët për të votuar.
Në dy javët e fundit, Kuvendi ka dështuar të konstituohet në shtatë tentime radhazi, duke e lënë Kosovën ende pa institucione të reja dhe pa mundësi për formimin e qeverisë së re./Telegrafi/



Të tjera
Uncategorized
REL: Sharje për vota – programet mbeten në hije
Termat ofendues dhe denigrues, si “hajvan”,
Uncategorized
Dogana zbulon barna të paligjshme në Prishtinë, sekuestron sasi të konsiderueshme
Zyrtarët doganorë, gjatë një kontrolli të
Uncategorized
Rukiqi godet pushtetin e Kurtit: Po blejnë energji elektrike që origjinën e ka në Serbi
Zyrtari i LDK-së, Berat Rukiqi, në