Anise bëjnë pjesë në partinë e themeluar nga ajo, asnjë nga deputetët dhe zyrtarët e lartë të “Guxo” nuk ka guxuar t’i dalë publikisht në përkrahje presidentes Vjosa Osmani, pas përplasjeve që po vazhdojnë tash e disa ditë me kryeministrin Albin Kurti.
Albin Kurti e la jashtë garës për presidente Vjosa Osmani. Në vend të saj, ai propozoi Glauk Konjufcën dhe Fatmire Kollçakun, në një seancë që u mbajt në orët e vona të së enjtes.
Kjo nxiti edhe reagimin e presidencës. Këshilltarë të Osmanit bënë me dije se kandidimi iu ofrua vetëm një natë para mbajtjes së seancës së jashtëzakonshme.
Mëngjesin e së premtes, ndërkohë, Osmani doli në një konferencë ku njoftoi për nënshkrimin e dekretit për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.
Derisa foli para mediave, presidentja e vendit tha se kjo situatë ka ardhur nga “njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme”, duke aluduar në Albin Kurtin.
“Natyrisht që qytetarët nuk kanë dashur zgjedhje; e ka krijuar dështimi i Kuvendit për ta kryer detyrën e tyre. Askush nuk do të duhej të dëshironte një cikël tjetër politik, kur vendi ka nevojë për stabilitet. Këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme”, tha ajo.
Ditëve të fundit, Osmani është përballur me akuza e kritika nga zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët publikisht e kanë sulmuar atë. Presidentes i është thënë se këtë pozitë “ia dhuroi” Kurti.
Në krejt këtë situatë, e mes sulmesh nga ish-partnerët e saj, Osmani nuk ka pasur mbështetje as nga Guxo, parti kjo që e themeloi vetë.
Deri më tani, asnjë nga deputetët e këtij subjekti, që ndodhen në grupin parlamentar të VV-së, nuk ka guxuar të thotë asnjë fjalë përkrahje për Osmanin.
As Faton Peci, i cili tash ndodhet në krye të komunës së Mitrovicës së Jugut, nuk ka dhënë ndonjë qëndrim.
Ndërkohë, siç raportoi “Nacionale” ditë më parë, një nga kundërshtaret më të mëdha të Vjosa Osmanit për një mandat të dytë presidencial ka qenë pikërisht Donika Gërvalla.
Kjo e fundit ka qenë pjesë e linjës së një refuzimi të fortë ndaj Osmanit.
Para pak ditësh, Gërvalla u përgjigj mbi arsyet e moskandidimit të Osmanit, duke thënë se: “Opozita nuk pati votë për zonjën Osmani.”
“Sepse opozita nuk pati votë për zonjën Osmani, prandaj ne proceduam sot si grup parlamentar për amandamentimin e Kushtetueses, me qëllim që presidentja të zgjidhet nga qytetari, duke parë një përkrahje të madhe të presidentes Osmani nga qytetarët.”



Të tjera
Lajme Opinione
Kriza e zgjedhjes së presidentit: kalkulimet politike dhe frika nga përgjegjësia
Nga Ramiz TAFILAJ Texas, SHBA
Kosova Lajme
Deputetët e Guxo, “qele gurë gojën”: S’i dalin në përkrahje Vjosa Osmanit
Anise bëjnë pjesë në partinë
Aktuale
Përplasjet Presidencë–Qeveri vazhdojnë, Kabineti i Osmanit publikon videon – Murati reagon ashpër
Polemikat mes Qeverisë dhe Presidencës