Ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në prag të shpalljes së rezultateve për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025, numrat e deritanishëm po kristalizojnë një realitet të çuditshëm dhe gati paradoksal për partitë ish-opozitare.
Trajektorja e dy proceseve zgjedhore brenda vitit të kaluar zhvesh dështimin e këtyre partive për të gjeneruar momentum nga rezultatet e fillimvitit. Me parti që dështuan të ruajnë rritjen dhe të tjera që prekën njëlloj tavanin, ish-opozita përfundimisht dështoi të imponojë qoftë edhe një rikonfigurim minimal të realitetit elektoral në vend.
Tronditja më e madhe e këtij procesi mbetet pa dyshim performanca e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Me një rezultat preliminar prej vetëm 13.27 për qind, partia më e vjetër në vend nuk ka shënuar thjesht një rënie krahasuar me rezultatin e shkurtit, por një rikthim në traumën e saj elektorale të para pesë viteve.
Ky rezultat është pothuajse identik me pikën më të ulët historike të shënuar në shkurtin e vitit 2021. Edhe pse LDK-ja në dhjetor 2025 arriti të regjistrojë një rritje margjinale prej rreth 15 mijë votash krahasuar me katër vite më parë, kjo shifër zbehet tërësisht kur analizohet në kontekstin afatshkurtër.
Krahasuar me rezultatin relativisht premtues të shkurtit të vitit të kaluar, LDK-ja pësoi një regres të çuditshëm, duke humbur rreth 45 mijë vota brenda dhjetë muajve.
| Partia | Shkurt 2021 | Shkurt 2025 | Dhjetor 2025 |
|---|---|---|---|
| PDK | 17.01% | 20.95% | 20.28%* |
| LDK | 12.73% | 18.27% | 13.27%* |
| AAK | 7.12% | 7.06% | 5.51%* |
| NISMA | 2.52% | (Me AAK) | 1.60%* |
Partia Demokratike e Kosovës, nga ana tjetër, nuk përjetoi regresin dramatik të LDK-së, por tregoi një lloj stagnimi. PDK u ndal, pak a shumë, në të njëjtin nivel me shkurtin 2025, duke iu afruar pragut të 200 mijë votave.
Megjithatë, krahasuar me vitin 2021, PDK-ja e ruajti rritjen në shkurtin e vitit të kaluar: rreth 42 mijë vota më shumë, ose afërsisht +3.27 pikë përqindjeje. Pra, stabilitet në afat të shkurtër, por pa fuqi për t’u rritur mbi tavanin e vendosur në fillim të vitit të kaluar.
Në një situatë të ngjashme u gjet edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ndonëse pësoi një rënie prej rreth 14 mijë votash, këtë herë kjo parti garoi e vetme, çka e bën krahasimin më kompleks. Megjithatë, AAK rezulton rreth 10 mijë vota më poshtë se performanca e shkurtit 2021, duke sinjalizuar një tkurrje.
Ndërsa Nisma Socialdemokrate, jo vetëm që nuk arriti ta rrisë votën, por pati performancë më negative se në 2021: rreth 15 mijë vota në dhjetor 2025, kundrejt rreth 22 mijë votave në 2021.



Të tjera
Aktuale
Vdes ish-ministri i Financave
Ka vdekur në moshën 75-vjeçare, Ali
Aktuale
Kandidatët që mbeten jashtë Kuvendit si pasojë e kuotës gjinore
Kuota gjinore i ka lënë pa
Aktuale
Abdixhiku: Shtëpia nuk goditet e braktiset në ditët më të vështira
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës,