Besiani prek zemrat e shqiptarëve me këtë rikujtim për babain e tij të vrarë Xhemajl Mustafën!

 

 

25 vjet pa ty, babë dhe prapë, ka ditë kur më duket se kur kthehem në banesë do të gjejë duke shkruar në dhomën tënde plot tym duhani.
Ka një boshllëk që s’ka ditë, vit apo sukses që e mbush. Është boshllëku i zërit tënd, i duarve të tua, i mënyrës si më shikoje kur si tinejxher flisja me pasion për diçka… më nxisje të mendoj e flas.
Me ty gjithmonë kam folur për historinë tonë si popull por në fakt, sot e kuptoj që ato biseda ishin edhe mënyra jote për të më mësuar jetën. Për të më mësuar që nuk ka dashuri më të madhe se ajo për familjen, për njerëzit, për vendin tënd.
Dhe pastaj janë ato 78 ditë të vitit ’99… ditët që nuk i harroj kurrë.
Qëndruam në Prishtinë, nën zhurmat e sirenave dhe shpërthimeve, ndërsa në dhomë mbretëronte ajo qetësia jote e çuditshme, që vetëm ti e kishe. Qetësi që si fëmijë ma jepte ndjenjën se gjithçka do të ishte mirë, edhe kur bota jashtë dukej sikur po shkatërrohej.
Mbaj mend një mbrëmje të fundit, në fund të bombardimeve, ishim veç ne dy… “Besian po jetojmë një moment historik. Këto ditë do t’i mbash mend gjithë jetën. Kosova do të jetë e lirë.”
Isha fëmijë, babë… por mënyra si e the, me bindje, me ëmbëlsinë tënde karakteristike, me atë dije të thellë që kishe për historinë dhe njeriun, bëri që unë ta besoja pa frikë.
Ato fjalë i mbaj të gdhendura brenda vetes. Janë fjalët që më rritën.
Sot, 25 vjet prej asaj dite kur na u more padrejtësisht, ajo që më mungon më së shumti nuk është vetëm babai im… por njeriu që më shpjegonte botën me durim, që më shihte thellë në sy kur flisja, që më mësonte ta dua këtë vend pa zhurmë, pa urrejtje, me dinjitet.
Më mungon mënyra si qeshje kur unë ngacmoja ndonjë detaj historik.
Më mungon aroma e duhanit tënd.
Më mungon mënyra si sfidat e punës i ktheje në mësime për mua e Berianën.
Më mungon gjithçka.
Sot nuk dua të flas për urrejtje, padrejtësi apo politikë. Sot dua vetëm të të kujtoj ty, njeriun e thjeshtë, të mençur, të përkushtuar, që më mësoi se liria dhe e mira jetojnë te njerëzit e butë, te ata që nuk dorëzohen.
Babë, u bënë 25 vjet pa ty…
Por çdo ditë jetoj me atë që më dhe në ato pak vite që patëm bashkë.
Do të shihemi përsëri.