Basha e ndërpren seancën për të mos e “djegur” Rashiqin, shpreson që herën e tretë ai do të zgjidhet nënkryetar

Kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha, sot ndëpreu seancën pasi nuk u votua Nenad Rashiqi për nënkryetar të Kuvendit. Por një veprim të tillë nuk e bëri pasi “u dogjën” 4 deputetë të Listës Srpska. Vetëvendosje po e ruan Rashiqin që kur të kandidohet herën e tretë sipas shortit, ai t’i marrë votat për nënkryetar.

Slavko Simiq në seancën e kaluar e Zlatan Elek, Stefan Kovaceviq, Srdjan Popoviq e Branislav Nikoliq në seancën e sotme e humbën të drejtën për t’u zgjedhur nënkryetar pasi dështuan t’i marrin votat e nevojshme në tri herët që u hodhën në votim.

Mirëpo kryetari i kuvendit, Dimal Basha, vazhdonte të ngrehte short, deri në momentin që dështoi i preferuari i VV’së, Nenad Rashiq.

Ai atëherë ndërpreu seancën duke thënë se do të vazhdojnë diskutimet për ta zgjedhur Rashiqin nënkryetar.

“Unë si kryetar i kuvendit mendoj që, gjatë diskutimeve me kolegë që kemi ka pasur diskutime që mendoj se duhet të vazhdojnë më tej ku vlerësoj në seancën tjetër deputeti në fjalë [Nenad Rashiq] dhe mund t’ti merr votat e mjaftueshme për nënkryetar. Sa për njohurinë tuaj, jeni edhe dëshmitarë, është i vetmi deputet që po merr më së shumti vota për. Pra teoria e gjasave që të zgjidhet nga komuniteti serb, gjasat më të mëdha i ka Nenad Rashiq, prandaj unë e mbylli këtë seancë këtu dhe i vazhdojmë diskutimet mes grupeve parlamentare që ta votojnë deputetin Nenad Rashiqin”, tha ai.

Basha nuk tregoi se kur do të vazhdojë seanca, duke thënë se administrata njofton gjatë ditës.

“Meqenëse diskutimet kanë me vazhdu ndoshta edhe brenda ditës, kështu që administrata ju njofton brenda ditës për fillimin e seancës së ardhshme”.

Pro Rashiqit votuan vetëm Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa PDK ka abstenuar.

LDK nuk ka marrë pjesë në votimin për nënkryetarët nga komunitetet, pasi e konsiderojnë jokushtetuese ndarjen e dy nënkryetarëve për t’u votuar veçmas.

Të martën Lista Srpska e propozoi tri herë Slavko Simiqin për nënkryetar dhe pasi dështoi Basha i tha Igor Simiqit se Slavko Simiq s’mund të propozohet më. Ai u mbështet në aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese.

Në shenjë revolte ndaj kësaj, Lista Serbe refuzoi të propozojë kandidat tjetër përpos Slavko Simiq dhe pasi u vendos që të procedohet me short, ata thanë se nuk do të marrin pjesë në short.

Pas vazhdimit të sotëm të seancës deputetët e LS njoftuan se do të paraqesin ankesë në Gjykatën Kushtetuese.

Igor Simiq tha se po shkelen të drejtat themelore të njeriut të komunitetit serb, rendi kushtetues dhe Rregullorja e punës së Kuvendit.

“Ata e dinë mirë se çfarë po bëjnë. Në seancën e kaluar kam biseduar disa herë me kryetarin e Kuvendit dhe i kam tërhequr vërejtjen për shkeljet dhe parregullsitë. Nënkryetari duhet të ketë mbështetjen e shumicës së deputetëve serbë, dhe në këtë rast ai është Sllavko Simiq”, tha Igor Simiq.

Siç shtoi ai, e gjithë kjo po bëhet për t’u zgjedhur Nenad Rashiq, të cilin, megjithatë, Lista Serbe nuk e mbështet.

Rashiq para nisjes së seancës sot u pa duke biseduar me Memli Krasniqin e PDK’së dhe Fatmir Limajn e Nismës. Nuk dihet nëse ua ka kërkuar votat.

Nenad Rashiq është ministër në detyrë për Komunitete dhe Kthim.

Të tjera