ARBEN KURTESHI: KUR MENDIMI I VOGËL BËHET FUQI E MADHE

x

Mendimi mund të jetë i lehtë, i vogël, i shpejtë, por edhe shumë i fuqishëm.
Dikur e çlironim vendin fillimisht në mendjet tona; e imagjinonim ashtu siç edhe e krijuam më pas. Me një fjalë, e mbanim tërë shtetin tonë në mendjet tona. Mendimet tona ishin progresive, atdhetare dhe të harmonizuara me njëri-tjetrin; dhe i gjithë ky vullnet, i shndërruar në veprime, sakrifica e përpjekje, solli lirinë.
Ashtu siç menduam, ashtu vepruam, dhe ashtu arritëm.
Si çdo gjë tjetër, edhe liria filloi në kokat tona, duke kultivuar idealin dhe duke përdorur çdo mundësi si shteg drejt çlirimit.
Kur koha përdorej për shprehjen e vizionit dhe idealit për shtetndërtim, liria ishte manifestimi i mendimeve tona në vepër.
Po sot, si shfrytëzohet koha në Kuvend?
Mosformimi i Qeverisë për gati një vit, dështimi dhjetëra herë për formimin e Kuvendit, është pasqyrim i mendimeve të vetë kuvendarëve.
Kur mendimet bëhen të dukshme për popullin, ato shfaqen në formë fyerjesh ndaj njëri-tjetrit, nënçmimesh, mospërputhjesh, mungese respekti dhe, së fundmi, si dështime. Mendimet destruktive sjellin dështime, ato konstruktive arritje.
Pra, dështimet e përsëritura nuk janë rastësi. Të gjitha këto janë rezultat i mendimeve paraprake, i mungesës së vizionit të përbashkët dhe i mungesës së përkushtimit për prosperitetin e vendit. Kur emëruesi i përbashkët bëhet kapja e pushtetit, atëherë shfaqen pikërisht mendimet në format që shihen sot për kapjen e kolltukut dhe humbësi i vetëm mbetet qytetari, siç u pa së fundmi me shembullin e punonjësve të RTK-së.

Vetëm atëherë kur emëruesi dhe mendimi i përbashkët të jetë vizioni për zhvillimin e shtetit, do të manifestohet vepra e harmonizuar, respekti dhe afërsia drejt arritjes së madhe për vendin.

Të tjera