Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë paralajmëron se zvarritja e ngërçit politik po i kushton vendit që të ketë “zë të plotë e të besueshëm” në arenën ndërkombëtare dhe po bllokon prioritetet jetike – nga buxheti deri te reformat.
Ai u kërkon të gjitha palëve ta lejojnë Gjykatën Kushtetuese të bëjë punën e saj, të respektojnë pa mëdyshje vendimet e saj dhe të mundësojnë funksionalizimin e Kuvendit, zgjedhjen e qeverisë dhe të presidentit në fillim të pranverës.
Sipas tij, përgjegjësia për zgjidhje është e përbashkët – ligjore dhe politike – duke shtuar se nëse kjo nuk arrihet, atëherë zgjedhjet e reja mbeten opsion, por me kusht që fillimisht zgjedhjet lokale të zhvillohen mirë dhe rezultatet të respektohen.
Deri më 30 shtator, Gjykata Kushtetuese pritet të dalë me vendim të ri lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, pas ankesës së Listës Serbe për ndarjen e votimit të nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve.
Hargreaves po ashtu thotë se është “zhgënjyese dhe shqetësuese” që dialogu me Serbinë po ecën ngadalë për shkak të mungesës së institucioneve në Kosovë dhe zhvillimeve politike në Serbi.
Duke komentuar kushtin e vendosur nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, për vazhdimin e dialogut – ekstradimin e Millan Radoiçiqit – Hargreaves thotë se është thelbësore që Radoiçiq dhe autorët e tjerë të sulmit në Banjskë të dalin para drejtësisë sa më shpejt që të jetë e mundur, pasi pandëshkueshmëria për këtë sulm “nuk mund të vazhdojë”.
Diplomati britanik po ashtu foli edhe për çështjen e integrimit të institucioneve serbe të arsimit dhe shëndetësisë, duke thënë se integrimi i tyre është “jashtëzakonisht e ndjeshme, duke theksuar zgjidhja duhet të gjendet brenda kuadrit ligjor të Kosovës, përmes themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Radio Evropa e Lirë: Çdo ditë tani presim një vendim tjetër nga Gjykata Kushtetuese, në lidhje me konstituimin e Kuvendit dhe çështjen e zgjedhjes së nënkryetarëve që vijnë nga komunitetet. Cilat janë pritshmëritë tuaja?
Jonathan Hargreaves: Faleminderit shumë për ftesën! Para se të kaloj në këtë temë, dua të theksoj se kjo javë shënon përvjetorin e dytë të sulmit të tmerrshëm në Banjskë. Dua të shpreh ngushëllimet e mia për familjen [e policit të vrarë, Afrim] Bunjaku dhe të siguroj, gjithashtu, se ne vazhdojmë të insistojmë që autorët e këtij sulmi të gjurmohen dhe të sillen para drejtësisë.
Sa i përket Gjykatës Kushtetuese, po, të gjithë po presim me padurim vendimin javën e ardhshme, dhe shpresoj që Gjykata të jetë në gjendje ta japë në kohë.
Natyrisht, nuk e di se çfarë do të jetë, dhe nuk mendoj se ndonjëri prej nesh e di me siguri.
Mendoj se më e rëndësishmja është që të gjitha palët e përfshira ta marrin shumë seriozisht, të deklarojnë publikisht se do të zbatojnë çdo gjë që sugjeron ose urdhëron Gjykata dhe, mbi të gjitha, të veprojnë për ta zbatuar.
Kemi qenë në këtë situatë – pa Kuvend dhe pa qeveri të plotë – për një kohë shumë të gjatë për interesin e Kosovës. Dhe, mendoj se tani është me të vërtetë urgjente. Ka qenë urgjente për një kohë të gjatë që Kuvendi të formohej siç duhej dhe të kishte një qeveri funksionale.
Mendoj se Kosova po humb gjatë kësaj periudhe, duke mos pasur një zë të plotë dhe të besueshëm ndërkombëtar.
Mësa kuptoj, pothuajse një miliard euro grante dhe hua janë të bllokuara në Kuvend. Janë, gjithashtu, shumë ligje që duhet të kalojnë. Pra, populli i Kosovës po humb nga mungesa e një kuvendi dhe qeverie të plotë.
Shqetësim për gjuhën ndaj Gjykatës Kushtetuese
Radio Evropa e Lirë:Por, pse Mbretëria e Bashkuar ndjen nevojën të theksojë respektimin e vendimeve të Gjykatës? A ka ndonjë shqetësim se një pjesë nuk do t’i respektojë?
Jonathan Hargreaves: Natyrisht, ajo është një pjesë thelbësore e Kushtetutës së Kosovës dhe një pjesë thelbësore e zbatimit të sundimit të ligjit, ku Kosova ka bërë shumë përparim gjatë periudhës së fundit. Dhe, është diçka për të cilën Kosova duhet të jetë shumë krenare. Që nga pavarësia, është bërë një përparim i madh në zbatimin e fortë të sundimit të ligjit.
Jemi shqetësuar, sikurse të tjerët, për disa fjalë që janë thënë rreth Gjykatës Kushtetuese dhe për pasojat që mund t’i kishin, nëse Gjykata do të mund ta bënte punën e saj siç duhet dhe nëse vendimet e saj do të respektoheshin plotësisht.
Ndaj, shpresoj shumë dhe pres që të gjitha partitë politike dhe gjithë shoqëria ta lejojnë Gjykatën të punojë dhe, më e rëndësishmja, t’i zbatojnë vendimet që ajo merr.
Radio Evropa e Lirë: A po i referoheni gjuhës së përdorur nga partia fituese e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti?
Jonathan Hargreaves: Mendoj se është shumë e rëndësishme që të gjitha palët ta bëjnë të qartë se, pavarësisht bindjeve politike, janë në të njëjtën linjë, kur bëhet fjalë për Gjykatën Kushtetuese – ta lënë ta bëjë punën e saj dhe t’i respektojnë vendimet e saj.
Mundësia e zgjedhjeve të reja për zgjidhjen e ngërçit politik në Kosovë
Radio Evropa e Lirë: Çfarë rreziqesh shihni nëse ky ngërç zgjatet?
Jonathan Hargreaves: Mendoj se ka shumë rreziqe. Një ka të bëjë me kohën. Ne kemi vërtet nevojë që Kuvendi të jetë funksional dhe në gjendje të zgjedhë një president të ri në fillim të pranverës.
Kosovës i duhet patjetër një buxhet i miratuar. I duhet të jetë aktive në skenën ndërkombëtare. Ne kemi punuar me Kosovën për shumë vite, jo vetëm këtu, por edhe në plan ndërkombëtar.
Duam ta shohim Kosovën pjesë të më shumë organizatave ndërkombëtare. Duam ta shohim si partnere në sigurinë evropiane. Duam të shohim që Qeveria e Kosovës bën gjëra që kanë vërtet rëndësi për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.
Dhe, të gjitha këto janë bllokuar tani. Unë nuk mendoj se kjo është në interesin e Kosovës.
Radio Evropa e Lirë: Por, kemi dëgjuar edhe opsionin e mbajtjes së një cikli tjetër zgjedhjesh. A mund ta përballojë Kosova këtë?
Jonathan Hargreaves: Nëse duhen dhe nëse partitë arrijnë në përfundimin se janë të nevojshme për ta lëvizur situatën përpara, atëherë le të mbahen. Para së gjithash, mendoj se është shumë e rëndësishme që zgjedhjet lokale të kalojnë mirë. Po punojmë shumë me Komisionin [Qendror] të Zgjedhjeve dhe të tjerët, për t’u siguruar që zgjedhjet lokale të organizohen siç duhet. Dhe shpresoj që do të jenë të tilla. Shpresoj vërtet që shumë qytetarë në mbarë vendin do të marrin pjesë. Shpresoj shumë që rezultatet të respektohen dhe të zbatohen. Mendoj se ky është hapi i parë.
Nëse më pas ka nevojë për zgjedhje të reja nacionale, sepse janë mënyra e vetme që Kosova të dalë nga ngërçi aktual, atëherë le të mbahen.
Kam besim se të gjitha partitë dhe institucionet do t’i organizonin ato të paktën po aq mirë sa zgjedhjet e shkurtit të kaluar.
Radio Evropa e Lirë: Ku e shihni përgjegjësinë kryesore kur bëhet fjalë për zgjidhjen e këtij ngërçi?
Jonathan Hargreaves: Mendoj se është e të gjitha partive politike. Sigurisht që ka çështje ligjore dhe institucionale, dhe kjo është puna e Gjykatës Kushtetuese. Por, nevojitet të ketë një kombinim të qasjeve ligjore dhe atyre politike.
Unë nuk mendoj se do të shkojmë përtej kësaj, nëse partitë nuk bëjnë atë për të cilën është ndërtuar sistemi kozmopolitik – që njerëzit dhe partitë të punojnë së bashku, të gjejnë zgjidhje politike në interes të vendit, duke respektuar dhe zbatuar Kushtetutën.
Prandaj, po u bëj thirrje të gjitha partive politike që të gjejnë së bashku çfarëdo zgjidhjeje që munden.
Nuk e di se cili është kombinimi më i mirë, por besoj se, përveç ndjekjes së procedurave ligjore, nevojitet shumë punë, shumë guxim politik nga udhëheqësit e këtij vendi.
E di se nuk është e lehtë dhe se situata është e vështirë për secilin prej tyre, por pikërisht ky guxim politik për të bërë kompromise dhe për të punuar bashkë për interesin e vendit, është ajo që na duhet.
“Shqetësime për gjuhën ndaj Gjykatës Kushtetuese”
Radio Evropa e Lirë: Përmendët më herët gjuhën që po përdoret. Kritikat ndaj Gjykatës Kushtetuese janë pikërisht ato që nxitën Shtetet e Bashkuara ta pezullonin Dialogun e planifikuar Strategjik me Kosovën. Masat e BE-së ndaj Kosovës, të vëna dy vjet më parë, janë ende në fuqi. Cili është partneriteti aktual apo marrëdhëniet ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës?
Jonathan Hargreaves: Unë ndodhem në këtë vend që 18 muaj. Jam tejet i privilegjuar që ndodhem këtu, në këtë rol, si ambasador britanik. Gjëja e parë që më ka lënë përshtypje, në pothuajse çdo takim që kam zhvilluar gjatë kohës time këtu, është thellësia dhe ngrohtësia e marrëdhënies ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, e cila, siç e dini, daton nga viti 1999, kur trupat britanike ishin ndër të parat që erdhën si pjesë e operacionit të NATO-s. Më 2008, Mbretëria e Bashkuar ishte vendi i parë që njohu pavarësinë e Kosovës. Kemi bashkëpunuar gjatë dhe thellësisht për sigurinë, dhe ne besojmë se Kosova duhet të jetë dhe është vend i pavarur dhe sovran. Prandaj, mendoj se marrëdhënia mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës i ka rrënjët shumë të forta, dhe ne jemi shumë krenarë për këtë e vazhdojmë të jemi, dhe do të vazhdojmë kësisoj.
I kemi disa shqetësime, që i ndajmë me partnerët e tjerë ndërkombëtarë. I përmenda disa prej këtyre shqetësimeve për gjuhën ndaj Gjykatës Kushtetuese. I kemi thënë publikisht. E kam thënë publikisht se jam i shqetësuar për disa prej veprimeve që janë ndërmarrë, veçanërisht në veri të Kosovës gjatë muajve të fundit, të cilat nuk janë bërë në konsultim të mirëfilltë me komunitetet e prekura, dhe të cilat kanë nxitur frikë dhe paqëndrueshmëri në këto komunitete.
Brengosem kur dëgjoj njerëzit duke vënë në pikëpyetje themelin e këtij shteti, i cili, nga këndvështrimi ynë, mbështetet në Planin e Ahtisaarit, siç pasqyrohet në Deklaratën e Pavarësisë dhe në Kushtetutë; i cili formon lidhjen themelore ndërmjet vendeve tona, sepse pikërisht mbi këtë themel ne e mbështetëm ndihmën tonë thelbësore që Kosova të fitonte njohje nga mbi 100 vende.
Radio Evropa e Lirë: A mendoni se Kosova nuk po mbështetet sa duhet mbi të?
Jonathan Hargreaves: Brengosem kur i dëgjoj njerëzit duke e hapur atë diskutim, sepse unë mendoj që është shumë e rëndësishme që Kosova të vazhdojë të mbështetet mbi atë themel që i solli njohjet shtetit. Në veçanti, është tejet e rëndësishme mbrojtja e komuniteteve joshumicë, që ishte në thelb të të tri dokumenteve që i përmenda. I kemi disa… Do të donim të shihnim një zbatim më aktiv të atyre parimeve, të mbrojtjes së njëmendtë të të drejtave të komuniteteve joshumicë, një gjuhë dhe veprime vërtet aktive, që garanton se të gjitha komunitetet joshumicë që jetojnë në këtë vend ndihen vërtet të mbrojtura, ndihen se kanë të ardhme këtu, ndihen se janë pjesë e këtij vendi.
Radio Evropa e Lirë: Besoj se ia keni përcjellë këto mesazhe kryeministrit në detyrë, Kurti, gjatë takimeve tuaja. A shihni gatishmëri?
Jonathan Hargreaves: Mendoj se njerëzit më kanë dëgjuar duke i thënë këto gjëra shpesh në publik dhe, sigurisht, i them të njëjtat edhe privatisht. U inkurajova nga ajo që tha kryeministri në videomesazhin e tij për komunitetin serb, para rreth një jave, ku ai foli për angazhimin e tij për komunitetin serb të Kosovës, në veçanti për angazhimin e tij për bashkëpunim me kryetarët e rinj serbë të komunave të Kosovës, nëse dhe kur ata të zgjidhen, veçanërisht në katër komunat veriore.
Ai foli për diskutime të mirëfillta me ta për disa prej vendimeve që mund të prekin jetën e tyre. Prandaj, ajo që dëgjova ishte vërtet inkurajuese. Ajo që ne do të donim të shihnim tani dhe gjatë muajve dhe viteve të ardhshme janë veprat, përtej fjalëve, të cilat demonstrojnë vërtet se ai dhe qeveria e kanë përnjëmend. Dhe, që serbët e Kosovës dhe komunitetet e tjera joshumicë të ndihen se ky është një vend në të cilin ata kanë të ardhme, i kanë të njëjtat të drejta për shërbime dhe mbrojtje, si çdokush tjetër.
Radio Evropa e Lirë: Besoni se ky duhet të jetë ndër prioritetet e qeverisë së ardhshme? Dhe, çfarë prioritetesh tjera mendoni se duhet të ketë qeveria e ardhshme?
Jonathan Hargreaves: Sigurisht se mendoj që kjo është ndër gjërat vërtet të rëndësishme, dhe një gjë ku ne, si komunitet ndërkombëtar, përqendrohemi shumë, për arsyen që e përmenda, se ishte aq thelbësore për themelin e marrëdhënies sonë. Por, natyrisht, tani, jam i lumtur ta them, kam vizituar gati çdo komunë në Kosovë. Më kanë mbetur vetëm edhe disa të cilat më duhet t’i vizitoj. Në vizitat në këto komuna kam biseduar me kryetarët dhe me banorët. Sigurisht, dëgjoj shumë gjëra të tjera që i preokupojnë ata. Dëgjoj hallet e njerëzve për ujin dhe menaxhimin e mbeturinave.
Radio Evropa e Lirë: Këto i dëgjojmë edhe gjatë fushatës zgjedhore…
Jonathan Hargreaves: Pikërisht. I dëgjoj njerëzit që flasin për cilësinë e arsimit. Dhe, i dëgjoj të rinjtë, sikurse javën e kaluar, në një nga ngjarjet e Procesit të Berlinit këtu, që flasin për ato që i shtyjnë të rrinë dhe të punojnë dhe të jenë produktivë në këtë vend, në vend se të ndihen se mund të kenë një jetë më të mirë diku tjetër. Bisedoj shpesh me grupet e grave, të cilat i shqetëson dhuna mbi bazë gjinore. Janë shumë gjëra në këtë vend, me të cilat cilado qeveri e re duhet të merret, krahas disa prej gjërave themelore që, siç them unë, formojnë themelin e këtij shteti.
Të tjera
Aktuale
Policia me aksion në veri, zbulohet depo ilegale armësh pranë sheshit
Policia e Kosovës ka ndërmarrë një
Aktuale
Rritja e kamatave për kredi – ekspertët përmendin politikat e BQK
Normat e interesit në bankat komerciale
Aktuale
Raportohet se është aksidentuar vetura e eskortës së kryekuvendarit Dimal Basha
Një aksident trafiku ka ndodhur në