Gazeta Sinjali ka raportuar sot për një bastisje që është duke u kryer nga Policia e Kosovës dhe Njësia e Krimeve Ekonomike në Prishtinë, Gjilan dhe Gjakovë.
Sinjali ka zbuluar më parë identitetin e të arrestuarve gjatë këtij aksioni.
Të ndaluarit janë: Kamer Shabani, drejtor i Qendrës për Patentë Shofer në Gjakovë, Kader Saber Arifaj, pronar i një autoshkolle në Gjakovë, Sadri Sutaj, ekzaminer, Avni Avdyli, drejtor i Qendrës për Patentë Shofer në Gjilan, Trim Avdyli, ekzaminer dhe njëherësh djali i drejtorit, Emsh Ahmeti, ekzaminer, Drilon Ahmeti, punëtor i autoshkollës dhe dy të tjerë me pozita të përfshira në procedurat e testimit.
Dhe, nga Podujeva: Afrim Toçani, 59 vjeçar dhe Naim Murseli.
Ndërda, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje të reja lidhur me operacionin policor “Patenta”, që u zhvillua sot në dhjetë lokacione të ndryshme në Prishtinë, Gjilan dhe Gjakovë, ku janë arrestuar 11 persona, prej të cilëve një është liruar, ndërsa dhjetë janë ndalur për 48 orë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, të dyshuarit janë zyrtarë publikë të cilët dyshohen se kanë kërkuar ryshfet nga kandidatë për t’u pajisur me patentë shofer, duke ua mundësuar marrjen e saj në mënyrë të kundërligjshme.
“Me kërkesë të prokurorit të shtetit dhe me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake, për disa muaj janë zbatuar masa të fshehta të hetimit”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë, duke shtuar se brenda afatit ligjor do të parashtrohet kërkesë për caktimin e paraburgimit për të ndaluarit.
Në njoftim thuhet se gjatë aksionit janë sekuestruar prova materiale si: një armë automatike e llojit kallashnikov, armë gjahu, municion, para të gatshme, telefona mobilë dhe pajisje kompjuterike.
Të arrestuarit po hetohen për disa vepra penale, përfshirë: “Ushtrimi i ndikimit”, “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit”, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Të tjera
Aktuale
KQZ nuk e certifikon Listën Srpska për pjesëmarrje në zgjedhjet e 12 tetorit- 2 vota për, 2 kundër dhe 7 abstenime
Lista Srpska nuk është certifikuar për
Aktuale
Supremja ia kthen Apelit për përmirësim rastin ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut
Prishtinë- Gjykata Supreme ia ka kthyer
Aktuale
Flasin nga Komuna e Pejës, japin detaje për rastin e zyrtarit që u xhirua duke konsumuar narkotikë
Zëdhënësi për Media i Komunës së