Muaji vendimtar për zgjedhjen e Presidentit po afrohet, ndërsa rezultatet e fundit zgjedhore kanë zbehur dilemat që për muaj me radhë rëndonin mbi skenën politike. Ndryshe nga periudha para 28 dhjetorit 2025, kur flitej për rrezikun e mbajtjes së zgjedhjeve të reja para prillit 2026, tani parashikimet janë se çështja e kreut të shtetit mund të mbyllet pa e kthyer vendin sërish drejt kutive të votimit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka bërë tashmë të qartë synimin për një mandat të dytë në postin më të lartë shtetëror dhe deri më tani nuk ka sinjale publike për kandidatë të tjerë që do t’i hyjnë kësaj gare.
Osmani ka deklaruar se do të zhvillojë diskutime edhe me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për mënyrën se si, sipas saj, mund “të vazhdojnë punët e mira bashkërisht”. Megjithatë, vendimi final do të varet nga aritmetika parlamentare, pasi për procedimin e votimit nevojitet prania e të paktën 80 deputetëve në sallë.
Mandati i Presidentes përfundon në prill të vitit 2026. Ajo e nisi këtë detyrë më 4 prill 2021, kur u zgjodh nga Kuvendi i Kosovës me 71 vota për, nga 82 deputetë pjesëmarrës në votim.
Si Presidentja e dytë grua në historinë e Kosovës dhe e gjashta në radhën e krerëve të shtetit që nga paslufta, Osmani synon vazhdimësinë në krye të institucionit.
Sipas Kushtetutës, Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave të 120 deputetëve në dy raundet e para. Nëse kjo shumicë nuk arrihet, raundi i tretë e ul pragun në 61 vota, por vetëm nëse në sallë janë të pranishëm së paku 80 deputetë.
Sipas përllogaritjeve me rezultatet e tanishme, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 56 ulëse në Kuvend. Bashkë me 11 deputetë nga komunitetet jo-shumicë në të cilin LVV-ja llogaritë edhe për formimin e Qeverisë, përfshirë edhe Nenad Rashiqin nga komuniteti serb, ky bllok do të arrinte në 67 deputetë. Bazuar në këtë shifër, nëse nuk arrihet konsensusi në dy raundet e para, në raundin e tretë të votimit – mjaftojnë 13 deputetë të opozitës të qëndrojnë në sallë vetëm sa për ta bërë kuorimin prej 80 vetash dhe të mundësohet rizgjedhja e presidentes.
Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) numëron 23 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 15, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) gjashtë. Për ta nuk dihet nëse kanë votë për Osmanin, meqenëse në bazë të deklarimeve nuk shprehin pëlqime që e njëjta të rizgjidhet. Megjithatë, kjo përbërje mund të pësojë lëvizje minimale prej një ose dy ulësesh, pasi të jenë certifikuar rezultatet e zgjedhjeve. Ndërkohë, Lista Serbe ka siguruar deri tani nëntë deputetë. /Kallxo



Të tjera
Aktuale
Në rrugën Mitrovicë–Bajgorë shembet një pjesë e dheut
Ka rrëshqitur një pjesë e dheut
Aktuale
Haradinaj pas vërshimeve: Janë shkaktuar dëme të mëdha, kjo gjendje nuk pret
Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për
Aktuale
Deklarimi për Thaçin, Abdixhiku përkrah Mustafën: I ke trazuar mercenarët Besian
Besian Mustafa nga Lidhja Demokratike e