Sot ka filluar mësimi plotësues për nxënësit që kanë ngecje në arritjen e rezultateve si pasojë e pandemisë COVID-19, bazuar në vendimin e datës 20 prill të Ministrisë së Arsimit.
Shumica e drejtorive komunale të arsimit i kanë dërguar në MASHTI raportet e tyre të cilat konfirmojnë se ky proces ka nisur ashtu siç është paraparë.
Drejtoritë Komunale të Arsimit do të raportojnë dy herë brenda muajit për mbarëvajtjen e mësimit plotësues.
“Mësimi plotësues për nxënësit që kanë ngecje në arritjen e rezultateve si pasojë e pandemisë COVID-19 po organizohet në të mirë të këtyre fëmijëve. Prioritet i MASHTI-t mbetet përmirësimi i rezultateve dhe dëmeve të shkaktuara nga pandemia. MASHTI do të jetë në mbështetje të mësimdhënësve dhe nxënësve që ky proces të ketë sukses”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit.Mësimi plotësues po organizohet në objekte shkollore dhe do të vazhdojë deri në përfundim të vitit shkollor 2020-2021.