Përpjekja e Serbisë për të hapur “Kapitullin 3” në negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian ka dështuar, pasi tetë shtete anëtare bllokuan arritjen e konsensusit të nevojshëm.
Në takimin e ambasadorëve të BE-së në Bruksel, Holanda, Suedia, Finlanda, Belgjika, Estonia, Lituania, Bullgaria dhe Kroacia refuzuan të mbështesin hapjen e kapitullit të ri të negociatave.
Tre vende të tjera, Danimarka, Luksemburgu dhe Letonia, nuk e kundërshtuan hapur propozimin, por vlerësuan se Serbia ende nuk i ka përmbushur kushtet e kërkuara.
PEr hapjen ose mbylljen e çdo kapitulli negociues kërkohet miratimi unanim i të 27 shteteve anëtare të BE-së.
Kapitulli 3 mbulon fusha që lidhen me konkurrueshmërinë, rritjen gjithëpërfshirëse dhe përafrimin e ekonomisë serbe me tregun e vetëm evropian.
Vendimi përbën një “goditje” për Komisionin Evropian, i cili prej vitesh argumenton se Serbia i ka përmbushur kushtet teknike për hapjen e këtij kapitulli.
Pak ditë para takimit, Komisioni u shpërndau vendeve anëtare një dokument ku vlerësonte se Serbia kishte “zbatuar elemente thelbësore të angazhimeve” dhe se kishte “korrigjuar prapakthimin” e konstatuar më herët në disa fusha.
Sipas dokumentit që kanë parë mediat evropiane, Beogradi vlerësohet të ketë “përparim në reformën në drejtësi, lirinë e medias, kuadrin zgjedhor dhe bashkëpunimin me BE-në në politikën e jashtme dhe të sigurisë.”
Megjithatë, Komisioni pranonte se “nevojitet ende punë e mëtejshme” në reformën e sistemit gjyqësor dhe të prokurorisë.
Një tjetër pikë mosmarrëveshjeje mbetet politika e Serbisë ndaj Rusisë.
Edhe pse Komisioni vlerëson se Beogradi ka bashkëpunuar për të parandaluar shmangien e sanksioneve dhe ka rritur mbështetjen për Ukrainën, Serbia vazhdon të mos u bashkohet sanksioneve evropiane kundër Moskës.
Sipas diplomatëve evropianë, kundërshtimet e tetë vendeve lidhen kryesisht me “problemet në sundimin e ligjit” dhe “mosharmonizimin me sanksionet” ndaj Rusisë.
Një diplomat tha se, me “një grup kaq të madh shtetesh që kundërshtojnë për çështje kaq themelore”, është e vështirë të imagjinohet se propozimi do të rikthehet shpejt në tryezë.
Një tjetër diplomat argumentoi se avancimi i Serbisë do të dërgonte sinjal të gabuar, ndërsa Ukraina dhe Moldavia ende nuk kanë hapur të gjitha klasteret negociuese.
Një diplomat kritik ndaj propozimit të Komisionit tha se përdorimi i zgjerimit si instrument gjeopolitik funksionon “derisa vendi të hyjë në BE, e pastaj shndërrohet në një problem gjeopolitik me përmasa të mëdha”.
Serbia aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 2009 dhe fitoi statusin e vendit kandidat në vitin 2012.
Deri tani janë hapur 22 kapituj negociues dhe vetëm dy janë mbyllur përkohësisht.
Kapitulli i fundit u hap në fund të vitit 2021.
Katër vjet më vonë, procesi mbetet i bllokuar për shkak të mungesës së konsensusit politik mes vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.



Të tjera
Aktuale
Kryesia e LDK-së mblidhet të enjten
Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës
Uncategorized
Pocket Lights and Neon Nights: My Mobile Stroll Through Online Casino Entertainment
First Tap: The Lobby and Navigation
Lajme
Mjeku në Gjermani dënohet me burgim të përjetshëm
Sipas prokurorisë, viktimat ishin të moshës