Çka ka mbetur pa u numëruar? KQZ jep detaje

Rreth 120 mijë fletëvotime nga kategori të ndryshme të votimit nuk janë përfshirë ende në rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit, pasi paraprakisht duhet t’i nënshtrohen procedurave përgatitore dhe verifikuese para numërimit.

Vetëm ato që kalojnë këtë fazë do të përfshihen në numërim gjatë ditëve në vazhdim.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka shpjeguar për KosovaPress se çfarë ka mbetur pa u numëruar nga fletëvotimet që i takojnë këtyre zgjedhjeve dhe për të cilat KQZ nuk ofron rezultate preliminare, ashtu siç bëri më 7 qershor duke publikuar rezultatet preliminare për subjektet politike.

Sipas Elezit, fletëvotimet që kanë mbetur pa u numëruar i takojnë votimit jashtë Kosovës i mundësuar në përfaqësi diplomatike dhe përmes kutive postare, votimit me kusht në 52 vendvotime dhe votimit të personave me nevoja të veçanta i mundësuar përmes ekipeve mobile.

“Derisa në Qendrat Komunale të Numërimit po vazhdon verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime, për çfarë është paraqitur rezultati preliminar, dhe numërimi i votave të kandidatëve për deputetë, rezultati i të cilave po pasqyrohet në mënyrë progresive, fletëvotimet që i takojnë disa lloje të votimeve jashtë vendvotimeve të rregullta ende nuk janë numëruar. Bëhet fjalë për fletëvotimet nga votimi në 30 përfaqësi diplomatike ku kanë votuar 22 mijë e 414 qytetarë, fletëvotimet nga votimi me postë në 23 kutitë postare prej nga janë tërhequr mbi 85 mijë e 700 pako të supozuara me fletëvotime, fletëvotimet nga votimi me kusht ku në 52 vendvotime janë evidentuar 8 mijë e 751 votues dhe fletëvotimet nga votimi i personave me nevoja të veçanta ku kanë qenë të regjistruar 3 mijë e 144 votues”, tha Elezi.

Para fillimit të numërimit të tyre, KQZ do të bëjë verifikimin e vlefshmërisë së këtyre fletëvotimeve. Sipas Elezit, vetëm ato që kalojnë këtë ‘test’ do të përfshihen në procesin e numërimit dhe rrjedhimisht në rezultate.

“Para numërimit të fletëvotimeve nga votimi në përfaqësi diplomatike, fletëvotimeve nga votimi me postë, fletëvotimeve nga votimi me kusht dhe i personave me nevoja të veçanta, KQZ është duke ndërmarrë disa veprime. Në QNR është duke u bërë vlerësimi i pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi me postë jashtë Kosovës për t’u vërtetuar nëse ato janë dërguar nga votuesit e regjistruar. Gjithashtu, në QNR do të bëhet skanimi i listës së votuesve të përdorur në vendvotime të rregullta, në votimin e personave me nevoja të veçanta dhe në votimin në përfaqësi diplomatike. Qëllimi është për të krahasuar të dhënat dhe për të evidentuar rastet eventuale të votimit të dyfishtë”, sqaroi Elezi.

Aktualisht, KQZ është duke kryer vetëm verifikimin e pakove të supozuara me fletëvotime që i takojnë votimit me postë. Sipas të dhënave të KQZ-së, gjatë 24 orëve të fundit më shumë se 7 mijë pako të verifikuara, janë aprovuar 7,153, ndërkaq janë refuzuar vetëm 142. Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako është sepse në 114 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ. Sipas KQZ-së, në fund të procesit do të ofrohen të dhëna të sakta për secilin nga këto lloje të votimeve. /KP

Të tjera

Aktuale

Kush po prin me vota në LDK?

  Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ)

Aktuale

Çka ka mbetur pa u numëruar? KQZ jep detaje

Rreth 120 mijë fletëvotime nga kategori