Bilanc tragjik në Kosovë: Akoma pa u bërë 24 orë, katër persona humbin jetën

Akoma pa u bërë 24 orë, Kosova është përballur me disa ngjarje tragjike, ku katër persona kanë humbur jetën në incidente të ndara.

Prishtina u trondit mbrëmjen e së mërkurës nga një vrasje në lagjen “Bregu i Diellit”, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri mbeti i vrarë Agron Hajdari.

Siç raportoi Sinjali, i dyshuari për rastin është Arblind Pireva, i cili ndodhet në arrati.

Lidhur me rastin është deklaruar edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila bëri të ditur se në kuadër të veprimeve hetimore është mundësuar sigurimi dhe analizimi i video-incizimeve nga kamerat e sigurisë, të cilat pritet të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rastit.

Vetëm rreth një orë më vonë, një tjetër ngjarje e rëndë ndodhi në Mitrovicën e Jugut, ku një sulm me thikë i mori jetën Erduan Ibrahimit, ndërsa një person tjetër mbeti i plagosur(vëllai i viktimës).

I dyshuari për këtë rast është Arben Spasolli, i cili është arrestuar nga Policia, ndërsa thika që dyshohet se është përdorur në krim është sekuestruar.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit për Krime të Rënda, rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë”, ndërsa të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Edhe mëngjesi i së enjtes nisi tragjikisht, ku dy persona humbën jetën në aksidente të ndara trafiku.

Rasti i parë ndodhi në rrugën Viti-Ramnishtë, ku si pasojë e një aksidenti mes dy veturave, një 70-vjeçar pësoi lëndime të rënda trupore.

Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë në spital.

Ndërkaq, në rastin tjetër, një veturë goditi për vdekje një këmbësor në Ramnishtë të Vitisë.

Shoferi fillimisht u largua nga vendi i ngjarjes, por disa orë më vonë u paraqit në polici, ku më pas u ndalua për 48 orë.

Të tjera