Rritja e çmimeve në Kosovë po vazhdon pothuajse në çdo sektor. Të dhënat e fundit tregojnë se janë shtrenjtuar si produktet që importohen nga jashtë, ashtu edhe ato që prodhohen brenda vendit, duke e rënduar edhe më shumë jetën e qytetarëve dhe kostot për bizneset.
Statistikat për tremujorin e parë të vitit 2026 tregojnë se çmimet e importit janë rritur mesatarisht për 2.7 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

Rritjet më të mëdha janë regjistruar te lëkura dhe artikujt e saj me 23.2 për qind, produktet minerale me 11.5 për qind, instrumentet optike, medicinale dhe fotografike me 7.2 për qind, artikujt e ndryshëm të prodhuar me 7 për qind, këpucët me 5.2 për qind dhe vajrat ushqyese me 5.1 për qind.
“Indeksi i tërësishëm i çmimeve të importit në Kosovë pati rënje për 0.3% në TM1 2026 krahasuar me TM4 2025. Ndërkaq,krahasuar me TM1 2025, Indeksi pati rritje prej 2.7%. Ngritje më të mëdha të çmimeve sipas sektorëve ishin te: produktet minerale (4,2%), letra dhe artikujt e saj (4,0%),instrumentet optike, fotografike, matëse, medicinal, muzikorë dhe mekanizmat e orës (3,0%),pajisjet e makinerisë dhe pajisjet elektrike 0.9%, plastika, kauçuku dhe artikujt e tyre (0,7%),etj”.

Shtrenjtim ka pasur edhe te produktet shtazore, ndërsa ulje të lehta janë regjistruar te produktet bimore, tekstili, plastika dhe metalet bazë. Megjithatë, këto rënie nuk kanë arritur ta zbusin trendin e përgjithshëm të rritjes së çmimeve.
Edhe krahasuar me tremujorin paraprak, çmimet e importit kanë mbetur të larta. Produktet minerale janë shtrenjtuar për 4.2 për qind, letra dhe artikujt e saj për 4 për qind, ndërsa pajisjet elektrike dhe instrumentet medicinale kanë vazhduar trendin e ngritjes.
Në të njëjtën kohë, edhe prodhimi vendor po bëhet gjithnjë e më i kushtueshëm. Çmimet e prodhimit në Kosovë janë rritur për 7.9 për qind krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa vetëm në raport me tremujorin paraprak rritja ka qenë 2.3 për qind.
Rritjet më të mëdha janë regjistruar te grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë me plot 32.2 për qind, energjia elektrike, gazi dhe furnizimi me ajër të kondicionuar me 18.1 për qind, prodhimi i letrës me 15.5 për qind dhe prodhimi i pijeve me 15.2 për qind.
“ Çmimet e prodhimit në Kosovë patën një ngritje prej 2,3% në mes TM1 2026 dhe TM4 2025. Ngritjet më të mëdha sipas degëve të veprimtarive ekonomike vërehen te: grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë (34,4%); prodhimi i pijeve (15,9%); prodhimi i letrës dhe produkteve prej letrës (9,6%); prodhimi tjetër p.k.t (6,0%); prodhimi i metaleve (4,9%); prodhimi i produkteve minerale jo metalike (2,2%); prodhimi i produkteve kimike (2,2%); përpunimi i produkteve ushqimore (2,1%); prodhimi i produkteve të gomës dhe të plastikës (1,7%); xeherorët dhe guroret tjera (0,9%); prodhimi i tekstilit (0,8%); prodhimi i mjeteve motorike (të transportit), rimorkiove dhe gjysmë rimorkiove (0,5%); prodhimi i mobilieve (0,1%)”

Shtrenjtim është vërejtur edhe në përpunimin e ushqimeve, prodhimin e tekstilit, mobilieve, pajisjeve elektrike, produkteve kimike, plastikës dhe sektorëve të tjerë prodhues.
Edhe pse në disa fusha ka pasur ulje të vogla të çmimeve, si te prodhimi i metaleve apo menaxhimi i mbeturinave, ato nuk kanë mjaftuar për ta ndalur trendin e përgjithshëm të ngritjes./gazetametro



Të tjera
Aktuale
Hoti: Sot ekzekutohen shtesat prej 100 euro për pensionistët dhe fëmijët
Ministri në detyrë i Punës dhe
Aktuale
Abdixhiku poston një video me përkrahje të madhe në tubimin me mërgatën
Kandidati për Kryeministër nga LDK Lumir
Aktuale
Publikohen çmimet e derivateve për sot, nafta pak më lirë
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë