Arrestohet në Kolumbi kosovari Arian Lluka, kërkohej për vrasje në Kosovë

Autoritetet kolumbiane kanë arrestuar shtetasin kosovar, Arian Lluka, i cili kërkohej nga autoritetet e Kosovës për veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Lajmin e ka bërë të ditur të martën ministri i Mbrojtjes i Kolumbisë, Pedro Sanchez, i cili ka thënë se arrestimi është kryer në Aeroportin Ndërkombëtar “El Dorado” nga policia kolumbiane, në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar të INTERPOL-it.

Sipas tij, Lluka konsiderohej objektiv me vlerë të lartë për rajonin e Ballkanit dhe për misionin paqeruajtës të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, duke e cilësuar arrestimin si rezultat të rëndësishëm të bashkëpunimit ndërkombëtar kundër krimit ndërkombëtar.

Autoritetet kolumbiane kanë bërë të ditur se hetimet tregojnë se gjatë periudhës 2023–2026, i dyshuari ka lëvizur nëpër shtete të ndryshme duke përdorur dokumente me identitet serb, në përpjekje për t’iu shmangur kontrolleve ndërkombëtare dhe drejtësisë.

Ministri kolumbian ka theksuar se ky operacion dëshmon kapacitetin e Kolumbisë për bashkëpunim ndërkombëtar dhe kontroll efektiv të migracionit përballë kërcënimeve globale, duke përgëzuar policinë dhe autoritetet e përfshira për profesionalizmin dhe koordinimin ndërkombëtar.

Siç raportohet, Lluka është i dënuar për një vrasje të rëndë para disa vitesh në Pejë.

Të tjera

Aktuale

Lista për deputetë, kjo është 10-tshja e parë e PDK-së

Partia Demokratike e Kosovës ka vendosur

Aktuale

Sulmet ndaj LDK-së, Haziri: Veç harxhojnë kohë, nuk ndalemi

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës