Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka thënë se problemi më i madh në procesin e dialogut është goditja në mirëbesim që Serbia ia ka bërë Kosovës.
Konjufca, pas takimit të ministrave të jashtëm të shteteve të BE-së me ata të Ballkanit Perëndimor, të hënën në Bruksel, ka theksuar se Serbia e ka shkelur integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës.
Ai ka përmendur sulmet terroriste në Banjskë dhe në kanalin e Ibër-Lepencit, që sipas tij, tregojnë se Serbia ishte e involvuar drejtpërdrejt.
“Sulmet e tilla si ai i Banjskes dhe sulmet në kanalin e Iber-Lepencit, të gjitha tregojnë se involvimi i Serbisë në këto dy sulme është i drejtpërdrejtë. Relacionet që i kanë pasur këto grupe me institucionet e Serbisë është i drejtpërdrejtë. Prandaj si mund të ulemi ne me një palë e cila derisa ne ulemi në tavolinën e dialogut, ata prapa shpinës organizojnë aksione të cilat e godasin Kosovën në integritetin territorial dhe sovranitetin e saj”, është shprehur Konjufca.
Këto qëndrime Konjufca i ka dhënë pasi paraprakisht shefja për politikë të jashtme dhe siguri e BE-së, Kaja Kallas ka deklaruar se takimet e nivelit të lartë në dialog janë duke u shtyrë për shkak të cikleve të shpeshta zgjedhore në Kosovë.
Por sipas Konjufcës, kjo nuk qëndron.
“Kjo nuk është me fajin tonë. Edhe zgjedhjet në Kosovë duhet t’i kuptojnë nga një aspekt i demokracisë, edhe i kapaciteteve tona shtetërore që kanë kërkuar kohë të gjatë të ndërtohen, ashtu që sistemi politik dhe demokracia të mund t’i absorbojë edhe krizat politike. Ne jemi të vetëdijshëm që kjo Kosovën e ngadalëson sepse bëhet edhe një dëm sa i përket sekuencimit të implementimit të planit të rritjes që e ka Kosova. Ne e kemi miratuar por në mënyrën se si do të zbatohet dhe obligimet financiare që BE-ja i zbaton në kuadër të këtij plani, ky plan dëmtohet”, ka thënë ai pas takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor, i kryesuar nga Kallas.
Ministri në detyrë Konjufca është shprehur skeptik se do të ketë lëvizje pozitive në mbajtjen e takimeve në kuadër të dialogut me Serbinë, duke shtuar se Kosova është në proces zgjedhor, e po ashtu edhe Serbia do ta mbajë një të tillë në fund të vitit.
“Zonja Kallas dhe të gjitha shtetet u shprehen të gatshme të kontribuojnë në ndërtimin e këtij besimi, por Kosova është në cikël zgjedhor edhe Serbia nga fundi i vitit i ka zgjedhjet. Unë nuk pres shumë nga ky dimension së shpejti. Të shohim në vitin 2027 se si do të zhvillohen gjërat. Por nuk pres ndonjë iniciativë në këto muajt e këtij viti”, ka thënë ai.
E përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka thënë se proceset e shpeshta zgjedhore kanë ndikuar në shtyrjen e një raundi të ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në nivel liderësh.
Ajo ka thënë se pati pajtueshmëri nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq për takim, porse tash në Kosovë po afron një cikël i ri zgjedhjesh, çka sipas saj, e shtyn procesin.
“Ne në fakt kishim planifikuar dialogun Beograd-Prishtinë në nivel të lartë politik. Kisha marrë pajtimin nga të dy liderët, si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia, por tani në Kosovë po afrohen sërish zgjedhjet, gjë që natyrisht e shtyn këtë proces”, ka thënë ajo para nisjes së takimit me ministrat e Jashtëm të shteteve të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor.
Kallas megjithatë ka thënë se po punon me palët lidhur me zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tash në dialog.
Takimi i fundit në nivel liderësh është mbajtur pak ditë para sulmit terrorist të serbëve në Banjskë të Zveçanit, kur më 24 shtator 2023 është vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Ndërkohë Konjufca ka folur edhe për procesin e integrimit evropian. Sipas tij, Kosova ka bërë hapa të mirë në këtë drejtim.
Konjufca ka theksuar se Ballkani Perëndimor nuk mund të jetë i kompletuar si projekt i integrimit në Bashkimin Evropian, pa e marrë Kosova statusin e vendit kandidat për anëtarësim.
Kosova ka aplikuar në dhjetor të vitit 2022 për statusin e vendit kandidat, por aplikacioni nuk është shqyrtuar ende.
“Unë u bëra thirrja të gjitha shteteve dhe Kallasit që të konsiderohet ky hap sa më shpejt që të jetë e mundshme. Ne kemi nevojë që të hapen negociatat për anëtarësim në BE dhe në të njëjtën kohë paraqita edhe sfidat kryesore të sigurisë sa i përket Ballkanit Perëndimor. Theksova që për Kosovën kërcënimi më i madh janë politikat e shtetit serb. Po ashtu ua bëra të ditur se mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë dhe përfshirja e saj e drejtpërdrejt ose për mes grupeve si ai në Banjskë, po ashtu edhe financimit të disa prej strukturave janë kërcënim për Kosovën. Në të njëjtën kohë bëra të ditur se një ndikim rus vërehet se vjen në Ballkanin Perëndimor përmes Serbisë”, ka thënë Konjufca.
Konjufca ka folur edhe për marrëveshjet ndërkombëtare dhe fondet nga Plani i Rritjes i BE-së, që varen nga funksionaliteti i Kuvendit, e që tash nuk është aktiv pasi janë shpallur zgjedhjet e reja. Por sipas Konjufcës, Kosova ka Qeveri funksionale.
“Një pjesë e atyre që mund t’i bëjmë së bashku si përkrahje financiare nuk kanë nevojë për Kuvendin, por disa janë të lidhura drejtpërdrejtë me funksionalizimin e Kuvendit. Ne nuk kemi Kuvend për momentin. Për të gjitha ato pjesë që parashihet plani i rritjes që të ketë një marrëveshje ndërkombëtare apo ofrohet si formë e kredive që mundësohen si fonde drejtpërdrejt nga BE-ja dhe që është e domosdoshme marrja e vendimeve në Kuvend, këto do t’i humbim. E këto që janë të lidhura si marrëveshje qeveritare me BE-në, ne e kemi qeverinë është funksionale në çdo aspekt, dhe këto do të ndodhin , por një pjesë e dëmit do të ndodhë sepse ne po detyrohemi të shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat kanë qenë plotësisht të shmangshme”, ka thënë ai.
Një pjesë e konsiderueshme e kohës në takimin e ministrave të jashtëm në Bruksel i është kushtuar Bosnjë-Hercegovinës dhe zhvillimet e fundit në këtë vend pas paralajmërimit për dorëheqje të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt nga kjo pozitë.



Të tjera
Uncategorized
Jak Janusz Casino wspiera różnorodność i inkluzywność w świecie hazardu
W dzisiejszych czasach coraz więcej uwagi
Lajme
Pas bashkimit, Abdixhiku e Osmani dalin në terren bashkërisht
Kandidati për kryeministër, nga LDK, Lumir
Aktuale
Hamza i kërkon Limajt ta mbështes PDK-në në zgjedhjet e 7 qershorit
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri