Konjufca: Serbia e ka goditur Kosovën në mirëbesim

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka deklaruar se procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë po vazhdon të mbetet i brishtë për shkak të mungesës së mirëbesimit mes palëve.

Duke folur pas takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, të drejtuar nga përfaqësuesja e BE-së Kaja Kallas, Konjufca ka akuzuar Serbinë për veprime që, sipas tij, cenojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

Ai përmendi sulmet në Banjskë dhe në kanalin Iber-Lepenc, duke theksuar se ekzistojnë lidhje të drejtpërdrejta mes grupeve të përfshira dhe institucioneve serbe.

“Si mund të ulemi në dialog kur paralelisht ndërmerren veprime që e godasin Kosovën në sovranitetin e saj,” u shpreh Konjufca.

Ai gjithashtu reagoi ndaj deklaratave të Kaja Kallas, e cila kishte vlerësuar se proceset zgjedhore në Kosovë po ndikojnë në ngadalësimin e dialogut, duke thënë se zgjedhjet janë pjesë e demokracisë dhe funksionimit institucional të vendit.

Konjufca theksoi se situata aktuale politike ndikon edhe në zbatimin e Planit të Rritjes së BE-së, pasi disa marrëveshje kërkojnë funksionimin e plotë të institucioneve, përfshirë Kuvendin.

Ai u shpreh skeptik për përparim të shpejtë në dialog në muajt në vijim, duke përmendur edhe mundësinë e zhvillimeve zgjedhore në Serbi.

“Nuk pres ndonjë zhvillim të madh këtë vit. Mund të shohim lëvizje më serioze në vitin 2027,” tha ai.

Në fund, Konjufca kërkoi që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke theksuar se integrimi i Ballkanit Perëndimor nuk mund të konsiderohet i plotë pa përfshirjen e saj.

Të tjera