Gazeta Sinjali raportoi për një aksion të madh të Krimeve Ekonomike dhe Prokurorisë Speciale që “zbarkoi” mëngjesin e sotëm në Prishtinë, ku disa persona kanë përfunduar në pranga nën dyshimet për korrupsion, ryshfet dhe manipulime me shpronësime të tokave.
Në mesin e të arrestuarve është edhe ish-kandidati për kryetar të Prishtinës, Vegim Gashi.
Gashi, pronar i një kompanie të specializuar në fushën e inxhinierisë, dyshohet për veprën penale “dhënie e ryshfetit”.
Bashkë me ish-kandidatin e Aleancës Kosova e Re (AKR) për kryetar të Prishtinës, nën pranga ka rënë edhe Nexhat Raifi, një bashkëpunëtor i afërt i tij në biznes.
Ata dyshohen për përfshirje në ryshfet për një rast të shpronësimeve të kundërligjshme të pronave vite më parë.
“V.G dhe N.R [janë arrestuar, v.j] për veprën penale ‘Dhënia e ryshfetit’”, tha Prokuroria Speciale në një njoftim për media të mërkurën.
Aksioni i Prokurorisë është zhvilluar në tri komuna: Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Obiliq.
Edhe pesë të tjerë, përfshirë tre zyrtarë publikë, janë arrestuar gjatë operacionit, sipas njoftimit të Prokurorisë.
Në mesin e të arrestuarve është edhe Avdi Pireva, një ish-kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputet. Pireva dyshohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale ‘Dhënie dhe marrje e ryshfetit’. Ai, kishte kandiduar për deputet në zgjedhjet e vitit 2021.
Në uebsajtin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Pireva figuron edhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.
Portali Sinjali raportoi sot bazuar në burime se në këtë rast është arrestuar edhe Nexhmije Karaqi.
Paparaci mëson se Karaqi, zyrtare e Avokaturës Shtetërore, dyshohet se ka lidhje familjare me Pirevën.
“H.M., Sh.S dhe H.M., për veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar. N.K për veprën penale Marrja e ryshfetit, dhe A.P, për veprën penale Ndihmë në kryerjen e veprës penale – Dhënia e ryshfetit dhe Marrja e ryshfetit”, tha Prokuroria në komunikatë.
Gjatë zbatimit të urdhër kontrollit, Prokuroria ka njoftuar se janë sekuestruar pajisje teknologjike, “para të gatshme në vlerë prej 6,450 (gjashtë mijë e katërqind e pesëdhjetë) eurosh, dhe dokumentacion i ndryshëm”.
Lidhur me të njëjtin rast, në dhjetor të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale dhe Policia, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, arrestuan shtatë persona të tjerë lidhur me të njëjtin rast.
Në aksionin e parë ishte arrestuar ish-ministri i Tregtisë, Fadil Ismajli, po ashtu ish-zyrtar i AKR-së dhe mik me Vegim Gashin. Ismajli, para se të bëhej ministër i Tregtisë në vitin 2010, kishte qenë pronar i kompanisë Komtel Project Engineering.

Sot, pronar i të njëjtës kompani është Vegim Gashi. Ai zotëron 100% të aksioneve të kompanisë Komtel, sipas të dhënave publike pranë Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve.
Komtel Project Engineering është përfolur në të kaluarën për përfitime nga tenderët publikë.



Të tjera
Lajme
Banuesi nga Prishtina mbetet në det në Velipojë për shkak të defektit në motor, shpëtohet nga Policia Kufitare
Në Velipojë Policia Kufitare i ka
Lajme
Mbytet në det 50-vjeçari në Durrës
Një shtetas 50-vjeçar është mbytur pasditen
Lajme
Këto vende do të mbesin pa rrymë nesër e pasnesër
Njoftimet nga KEDS për punimet në