Në Gazë – një nga zonat më të rrezikshme dhe më të paqëndrueshme në botë – Kosova po hyn për herë të parë në një mision ndërkombëtar stabilizues, të mandatuar nga Kombet e Bashkuara.
Ushtarët e saj po vendosen në një terren, ku kufiri mes kontrollit dhe kaosit është i paqartë.
Në këto kushte, Kosova afrohet më shumë me skenën globale, por, njëkohësisht, edhe me rreziqet që e shoqërojnë atë.
Forca Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF) buron nga një plan 20-pikësh i presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës së Izraelit në Gazë.
Ajo parashihet si një forcë shumëkombëshe, që do të vendoset në këtë enklavë për të trajnuar policinë, për të ndihmuar në sigurimin e kufijve dhe ruajtjen e rendit, si dhe për të mbështetur çmilitarizimin e territorit nga Hamasi.
Ky grup palestinez, i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi të tjera, kontrollon Gazën që nga viti 2006 dhe e ndezi luftën me sulmin e tij masiv në territorin izraelit në tetor të vitit 2023.
Ai sinjalizon gatishmëri për të hequr dorë nga qeverisja e Gazës, por jo edhe nga armët, ndërsa Trump e mban të prerë qëndrimin e tij.
“Nëse [Hamasi] nuk e bën atë që ka thënë, nëse nuk sillet siç duhet, atëherë do të përballet me një problem të madh – një problem vërtet të madh, që nuk e ka përjetuar kurrë më parë”, është zotuar presidenti amerikan.
Përbërja e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese nuk është përcaktuar ende plotësisht, por, sipas Rezolutës 2803 të OKB-së, ajo pritet të veprojë në koordinim me Izraelin dhe Egjiptin, si dhe me një forcë policore palestineze të trajnuar rishtas.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti – tani në detyrë – njoftoi qysh në fund të janarit se Forca e Sigurisë së Kosovës do të marrë pjesë në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën.
Më pak se tre muaj më vonë, Kuvendi i Kosovës e miratoi dërgimin e saj në këtë zonë konflikti dhe, fundjavën e kaluar, u bë e ditur se një ekip ushtarësh është dërguar tashmë atje, për të bërë vlerësimin e vendit ku do të veprojë si pjesë e misionit paqeruajtës.
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, tani në detyrë, e paraqet këtë si një moment kthese për shtetin e Kosovës.
“Është hera e parë që Kosova është pjesë e një misioni të mandatuar nga OKB-ja. Kjo tregon edhe besimin që kanë partnerët tanë në kapacitetet tona ushtarake, për të ofruar mbështetje në një zonë me ndjeshmëri të lartë, siç është Lindja e Mesme”, thotë Maqedonci për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.
Përfshirja e FSK-së në këtë mision nuk është e rastësishme.
Maqedonci shpjegon se që nga fundi i vitit të kaluar, Kosova ka qenë pjesë e përgatitjeve për krijimin e një force ndërkombëtare stabilizuese, në koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara. Madje, një oficer amerikan ndërlidhës është i përfshirë drejtpërdrejt edhe në FSK.
“Pra, shkuarja e ekipit tonë në Gazë është në koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e në veçanti me komandën e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese, e cila do ta drejtojë gjithë operacionin në Lindjen e Mesme”, thekson ministri.
Sipas planeve, ekipi i Forcës së Sigurisë së Kosovës për verifikim të gjendjes do të qëndronte disa ditë në Gazë dhe më pas do të hartonte një raport. Nuk është ende e qartë se kur do të dislokohen kontingjentet e para, por, sipas disa raportimeve, kjo mund të ndodhë në muajin maj.
Radio Evropa e Lirë kërkoi konfirmim nga Departamenti i Luftës në SHBA, por nuk mori përgjigje.
Maqedonci, për arsye sigurie, thotë se nuk mund të japë shumë detaje, por konfirmon se kontingjenti i parë kosovar do të përbëhet nga 22 pjesëtarë. Sipas tij, ata do t’i nënshtrohen rotacionit deri në fund të vitit 2027, kur edhe pritet të përfundojë misioni i Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese.
“Normalisht, ne jemi të vetëdijshëm për rreziqet me të cilat mund të ballafaqohet kontingjenti ynë, por po bëjmë gjithçka të mundur për t’i zbutur këto rreziqe, për të krijuar kushte logjistike, në mënyrë që kontingjenti i FSK-së në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese të arrijë të performojë në mënyrë profesionale dhe të ofrojë mbështetje për Gazën”, thotë Maqedonci.
Khaled Elgindy, ekspert i Lindjes së Mesme, argumenton se në një konflikt si Gaza – i rrënjosur në një histori të gjatë përplasjesh dhe luftërash të përsëritura – Forca Ndërkombëtare Stabilizuese përballet me dy rreziqe kryesore: të përfshihet drejtpërdrejt në luftime, ose të përdoret – për shkak të pabarazisë së theksuar të fuqisë – si mjet për të avancuar agjendën e sigurisë së Izraelit, në vend që t’i mbrojë realisht palestinezët.
“Ajo nuk mund të ndahet nga konteksti politik. Hamasi është një lëvizje rezistence dhe do të përpiqet të mos i dorëzojë të gjitha armët. Popullsia, në anën tjetër, është jashtëzakonisht e cenueshme. Kemi parë se çfarë ka bërë ushtria izraelite në Gazë – atë që shumë ekspertë e konsiderojnë gjenocid. Prandaj, si mund të veprohet në një mjedis, ku një lëvizje ushtarake si Hamasi, ashtu edhe popullsia, në përgjithësi, besojnë se po përballen me një rrezik ekzistencial?”, thotë Elgindy për Exposenë.
Charles Kupchan, nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë në Uashington, vlerëson se misioni i Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese mbetet ende “i papërcaktuar”.
Sipas tij, nuk dihet qartë se çfarë roli do të kenë trupat dhe nëse ato do të angazhohen edhe në çarmatosjen me forcë të Hamasit – një situatë që, siç thotë ai, mund t’i ekspozojë seriozisht ndaj rrezikut në terren.
Megjithatë, për Kosovën, Kupchan e minimizon rrezikun, duke e përshkruar misionin e saj si të kufizuar në përmasa dhe kryesisht simbolik.
“Do të thosha se nuk ka shumë rreziqe serioze, përveç mundësisë që ndonjë ushtar të lëndohet ose të vritet gjatë misionit, si dhe mundësisë së një reagimi politik kundër këtij angazhimi. Në përgjithësi, ky është një kontribut me rrezik të ulët”, thotë Kupchan për Exposenë.
Përveç Kosovës, edhe Shqipëria është zotuar të dërgojë trupa në Gazë, së bashku me vende si Turqia, Indonezia, Maroku, Kazakistani dhe Azerbajxhani.
Gjenerali amerikan, Jasper Jeffers, i caktuar në krye të Forcës Stabilizuese, ka deklaruar se ajo pritet të numërojë rreth 20.000 ushtarë.
Mandati i saj përfshin edhe mbështetjen e Bordit të Paqes në monitorimin e armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit.
Kosova është bërë pjesë e këtij Bordi, pasi ka nënshkruar Kartën e tij në Davos, në muajin shkurt, dhe është përfshirë edhe në strukturën e iniciativës.
Javën e kaluar, marrëveshja për anëtarësimin në Bord u ratifikua edhe në Kuvendin e Kosovës
Kupchan e sheh gjithë këtë angazhim të Kosovës si investim në marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara, e sidomos me administratën e presidentit Donald Trump.
“Ideja është që Kosova po synon të tregojë se nuk është vetëm një aleate besnike, por edhe një aleate aktive – një vend që është i gatshëm të bëjë sakrifica me gjak dhe me mjete për të kontribuar në të mirën e përbashkët. Qëllimi nuk është vetëm të dëshmojë gatishmërinë për të kontribuar, por edhe të krijojë mirëbesim që mund t’i shërbejë në të ardhmen, kur ajo të ketë nevojë për mbështetje ndërkombëtare, sidomos në proceset e anëtarësimit në BE apo në NATO”, thotë Kupchan.
Në një kohë kur shumë vende evropiane kanë hezituar të përfshihen drejtpërdrejt, angazhimi i Kosovës në Gazë shihet si një rreshtim i qartë me SHBA-në në Lindjen e Mesme.
Megjithatë, Kupchan e relativizon këtë qasje, duke thënë se për një shtet të vogël, ajo është kryesisht pragmatike.
Ai këmbëngul se bëhet fjalë për një mision paqeruajtës me përfitim të ndërsjellë, apo për një situatë “win-win” për Kosovën.
Elgindy pajtohet se, pavarësisht misionit ende të paqartë të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese dhe kontekstit të rrezikshëm në terren, shumë vende po i bashkohen asaj kryesisht për të fituar avantazhe politike në raport me Uashingtonin.
“Në rastin e Azerbajxhanit, për shembull, e dimë se ai ka marrëdhënie të afërta me Izraelin dhe ushtrinë izraelite. Pra, secili i ka arsyet dhe interesat e veta, përtej dëshirës për ta parë Gazën të stabilizuar”, vlerëson Elgindy.
Ai, megjithatë, paralajmëron se nismat e tilla kanë pak gjasa të sjellin paqe të qëndrueshme mes izraelitëve dhe palestinezëve, sepse merren vetëm me menaxhimin e Gazës dhe lënë jashtë problemet rrënjësore mes palëve, si: okupimi, vendbanimet dhe shtetësia palestineze.
Ai shton se, për shkak të pabarazisë së madhe të fuqisë dhe mungesës së një plani të përbashkët për të ardhmen e Gazës, Forca Stabilizuese mund t’u shërbejë më shumë interesave të sigurisë së Izraelit sesa një paqeje të drejtë.
Pa i adresuar shkaqet rrënjësore të konfliktit, çdo mision stabilizues rrezikon të mbetet i përkohshëm – ose madje të bëhet pjesë e problemit, sipas tij.
Por, për presidentin Trump, plani i dakorduar për paqe në Gazë është dhe do të mbetet një pikë kthese historike.
“Janë dashur 3.000 vjet për të arritur deri në këtë pikë, a mund të besoni? Dhe, kjo do të mbetet kështu”, ka thënë ai pas nënshkrimit të tij.
Ajo që është e sigurt, sipas ministrit në detyrë, Maqedonci, është se, për një shtet të vogël si Kosova, hyrja në një konflikt të madh si ai në Gazë nuk është vetëm një çështje sigurie, por një provë e vetë rolit që synon të luajë Kosova në rendin ndërkombëtar. Rel



Të tjera
Lajme Opinione
Alba Berisha: Diasporë e dashtun, patriotizmi nuk është me bë status prej Zvicre, Gjermanie a Amerike, por me jetu në Kosovë!
Diasporë e dashtun, me
Ekskluzive Lajme
U martua me të dënuarin me vdekje, shqiptarja e thyer shpirtërisht gjatë ekzekutimit të Broadnax
Tiana Krasniqi, është
Aktuale
Kosova aleate e SHBA-së në Gaza
Në Gazë – një nga