Besnik Tahiri: Kjo Qeveri mbiemrin e ka krizë, e ka bllokuar Kosovën

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, ka kritikuar ashpër qeverinë, duke vlerësuar se ajo po e fut vendin në kriza të njëpasnjëshme dhe se nuk ka drejtim të qartë politik.

Tahiri theksoi se nesër bëhen dy muaj nga votimi i qeverisë, ndërsa akuzoi kabinetin qeverisës se ende nuk ka paraqitur program politik dhe program qeverisës.

“Kjo Qeveri e ka bllokuar Kosovën me kriza të njëpasnjëshme”.

Ai ngriti shqetësimin se vendi po bllokohet, ndërkohë që Kuvendit i kanë mbetur vetëm 17 ditë deri në shpërndarje dhe nuk ka marrëveshje për presidentin.

“Në vend të zgjidhjeve konkrete, qytetarëve po u ofrohet vetëm performancë publike për konsum politik”, tha ai, duke shtuar se krizat janë shndërruar në mënyrë qeverisjeje.

“Kjo Qeveri mbiemrin e ka krizë”, tha ai në foltoren e Kuvendit.

Tahiri kritikoi gjithashtu edhe politikën ekonomike të qeverisë, duke përmendur pagesën e pagës së trembëdhjetë që, sipas tij, i ka kushtuar buxhetit rreth 65 milionë euro.

Ai tha se kjo nuk shoqërohet me politika zhvillimore për sektorin privat, ndërtimtarinë, bujqësinë dhe ndërmarrjet e vogla.

Tahiri ngriti pyetjen nëse punëtorët e sektorit privat janë lënë “jetim”, duke theksuar se nuk ka masa konkrete për gratë punëtore, bizneset e vogla dhe qytetarët që mbajnë ekonominë.

Të tjera