Zyrtarët amerikanë dhe izraelitë u habitën kur mësuan të hënën informacionin që vinte nga Irani teksa ultimatumi i Donald Trump ndaj Teheranit po i afrohej skadimit. Udhëheqësi suprem fetar i Republikës Islamike, Mojtaba Khameneiu kishte dhënë udhëzime në favor të një armëpushimi negociatorëve iranianë, për herë të parë që nga fillimi i konfliktit 5 javë e gjysmë më parë.
Prapaskenat e armëpushimit SHBA – Iran zbulohen nga agjencia e njohur Axios, e cila citon tre burime, përfshirë një zyrtar izraelit dhe një zyrtar rajonal.
Teksa presidenti amerikan po kërcënonte të “asgjësonte qytetërimin iranian” dhe forcat ushtarake amerikane ishin në gatishmëri të plotë për të nisur operacione të gjera, sfondi diplomatik ishte shumë intensiv dhe gjithnjë e më shumë i orientuar drejt arritjes së një marrëveshjeje armëpushimi me kalimin e orëve.
I dërguari special i Trump, Steve Witkoff, thuhet se ishte “shumë i zemëruar” për planin 10-pikësh të propozuar nga Teherani dhe kishte nxituar të bënte një sërë telefonatash me të gjitha palët. Ai u tha ndërmjetësve se kundërpropozimi iranian ishte “një katastrofë”, tha për Axios një burim me njohuri të drejtpërdrejta të çështjes.
Kjo ishte pikënisja e një dite “kaotike”ndryshimesh, me ndërmjetësues pakistanezë që negocionin plane të reja midis Wittkoff dhe ministrit të Jashtëm iranian, Abbas Araghchi. Ndërkohë ministrat e jashtëm egjiptianë dhe turq po përpiqeshin të ndihmonin në kapërcimin e boshllëqeve.
Mbrëmjen e së hënës, ndërmjetësit kishin miratimin e SHBA-së për një propozim të përditësuar për një armëpushim 2-javor. Pas kësaj, i takonte djalit të Khameneit, i cili, sipas burimeve, ishte i përfshirë aktivisht në proces dhe pritej të merrte një vendim.
Sipas agjencisë amerikane, përfshirja e udhëheqësit të ri suprem të Iranit ishte domosdoshmërisht sekrete, por edhe intensive. I përballur me kërcënimin aktiv të vrasjes nga Izraeli, Khamenei komunikoi kryesisht nëpërmjet ndërmjetësve që përcillnin mesazhet.
Dy burime e përshkruan direktivën e Khameneit drejtuar negociatorëve të tij për të arritur një marrëveshje derisa “të zgjidhet ngërçi”. Kjo mund të shpjegojë referencën e Trump ndaj “udhëheqjes së re iraniane”.
Burimi rajonal (i cili, sipas raportit, mund të jetë nga Turqia) tha se Abass Aragchi luajti gjithashtu një rol qendror si në menaxhimin e negociatave ashtu edhe në presionin ndaj komandantëve të Gardës Revolucionare për të pranuar një marrëveshje.
Kina gjithashtu po e këshillonte Iranin të kërkonte një dalje, diçka që vetë Trump e pranoi pasi përfundoi marrëveshja.
Në fund të fundit, të gjitha vendimet e rëndësishme u morën nga vetë Khamenei. “Pa dritën e tij jeshile, nuk do të kishte marrëveshje”, – tha burimi rajonal për Axios.
Kështu, teksa informacionet nga Uashingtoni flisnin për një ndërprerje të bisedimeve nga Teherani, në realitet procese intensive ishin duke u zhvilluar për të mbyllur marrëveshjen. Ndërkohë kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ishte në komunikim të vazhdueshëm me kryeqytetin amerikan. Izraelitët ishin të shqetësuar se kishin humbur kontrollin e situatës, shton raporti.
Më në fund, rreth orës 7 të mbrëmjes (ora amerikane) të së martës, u bë e qartë se kishte një marrëveshje midis dy palëve (Iranit dhe SHBA-së) për një armëpushim dyjavor. Disa orë më vonë, kryeministri pakistanez Shahbaz Sharif zbuloi detajet e propozimit për armëpushim, duke u bërë thirrje të dyja palëve ta pranonin atë.
Pastaj Trump menjëherë filloi të merrte telefonata dhe mesazhe nga aleatë agresivë, siç i përshkruan Axios, dhe njerëz të besuar që e nxisnin ta refuzonte atë marrëveshje.
I tillë ishte konfuzioni rreth Trump, sa edhe midis ndihmësve të tij të ngushtë, që kishin folur me presidentin e SHBA-së vetëm 1 ose 2 orë më parë, besonin ende se ai do ta refuzonte ofertën e armëpushimit, por ai e pranoi atë.
Pak para se të publikonte përgjigjen e tij, Trump foli me Netanyahun për të siguruar angazhimin e tij për të respektuar armëpushimin. Pastaj ai foli me feldmarshallin pakistanez, Asim Munir, për të mbyllur marrëveshjen. Forcat amerikane morën urdhër të tërhiqeshin 15 minuta pas postimit në X të Trump.
Araghchi deklaroi më pas se Irani do të respektonte armëpushimin dhe do të hapte Ngushticën e Hormuzit për anijet në rajon“në koordinim me forcat e armatosura të Iranit”.
Gjithashtu, një zyrtar i lartë izraelit i tha Axios se Netanyahu kishte marrë garanci se SHBA-të do të këmbëngulnin në bisedimet e paqes në mënyrë që Irani të hiqte dorë nga materiali i tij bërthamor, të ndalonte pasurimin e uraniumit dhe të braktiste kërcënimin e raketave balistike. /Axios. Përshtati në shqip Lapsi.al



Të tjera
Lajme Showbiz
Asistentja ia ngrit fustanin Luana Vjollcës, i zbulohen pjesë intime
Luana Vjollca po vazhdon të shijojë
Aktuale
“Armëpushimi” e shtrenjton naftën, MINT i publikon çmimet tavan të derivateve për sot
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë
Aktuale
Aksident i rëndë në Obiliq – 15-vjeçari përfundon në gjendje të rëndë
Një aksident i rëndë trafiku ka