Reporterët pa Kufij bashkë me një numër të madh të organizatave ndërkombëtare të cilat mbrojnë lirinë e medias dhe gazetarëve kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që drejtohet nga kryeministri, Albin Kurti, që të ndalojë gërryerjen e mëtejshme të lirisë së mediave, shkruan Gazeta Express.
Në një reagim të përbashkët, Reporterët pa Kufij dhe organizatat e tjera kujtojnë faktin se në Kosovë ka rënie të lirisë së medias për shkak të presionit politik mbi median publike, zhvillimet shqetësuese legjislative dhe sulmeve verbale ndaj gazetarëve nga politikanët.
“Reporterët pa Kufij (RSF) dhe partnerët e saj i kanë bërë thirrje Kryeministrit të Kosovës të krijojë një grup pune për të adresuar çështjet e lirisë së shtypit dhe për t’u përgatitur për zbatimin e Marrëveshjes Evropiane për Lirinë e Medias (EMFA), ndërsa vendi kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE)”, potencon reagimi.
Në reagim thuhet se ndonëse Kosova ka peisazh të larmishëm mediatik dhe nivel të ulët të dhunës fizike, disa standarde janë dobësuar nga Lëvizja Vetëvendosje si parti në pushtet.
“Pas takimeve me dhjetëra gazetarë dhe media në Kosovë më 24 mars, organizatat partnere të Platformës së Këshillit të Evropës për Sigurinë e Gazetarëve – përfshirë Reporterët pa Kufij (RSF) – diskutuan gjendjen e lirisë së shtypit me Kryeministrin Albin Kurti dhe këshilltarët e tij. Ndërsa Kosova ka një peizazh të larmishëm mediatik, një nivel të ulët të dhunës fizike ndaj gazetarëve dhe një kornizë ligjore përgjithësisht në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, disa standarde janë dobësuar nga partia në pushtet, Vetëvendosje”, thuhet në reagim.
“ Na duhet një sinjal i fortë nga qeveria në mbështetje të një peizazhi mediatik të lirë, të pavarur dhe të larmishëm. Ngritja e një grupi pune të dedikuar i përbërë nga palë të interesuara lokale dhe duke u mbështetur në praktikat më të mira ndërkombëtare do të ishte një hap i parë. Rregullorja Evropiane për Lirinë e Medias (EMFA), të cilën Kosova do të duhet ta zbatojë si shtet kandidat për në BE, adreson problemet kryesore të vendit: mungesën e pavarësisë për transmetuesin publik, mbrojtjet e dobëta për burimet gazetareske dhe transparencën e pamjaftueshme në lidhje me pronësinë dhe financimin e medias. Kjo është një thirrje për veprim të menjëhershëm.”, ka deklaruar Pavol Salzai i RFE.



Të tjera
Aktuale
Janina Ymeri: Ligji për naftën është në favor të naftëtarëve, jo të konsumatorëve
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës,
Aktuale
E dhimbshme, publikohet foto e punëtorit që vdiq sot në Strellc të Deçanit
Një person e ka humbur jetën
Aktuale
Kurti: Anëtarësimi në NATO, objektiv strategjik i yni
Kryeministri Albin Kurti tha se anëtarësimi