Kurti nuk e ndërron taktikën e lojës, LDK thotë se ai s’e ka ndërmend të gjejë zgjidhje për Presidentin

Kryeministri Albin Kurti u shpreh optimist dhe foli për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje politike me LDK-në për Presidentin, pasi e takoi në Kuvend kryetarin e kësaj partie, Lumir Abdixhikun. Atmosferën e përshkroi si “konstruktive dhe dashamirëse”, por tha ndërkohë se “nevojiten 84-85 deputetë” në sallë, aq sa LVV dhe LDK s’mund t’i bëjnë bashkë për Presidentin. Kreu i LDK-së tha se “të tri pozitat nuk mund t’i takojnë një partie politike”, ndërsa zyrtarë të kësaj partie e akuzuan Kurtin për qasje destruktive. Pasi pati disa vërejtje për qëndrimin e PDK-së, Kurti tha se do të takohet edhe me kryetarin e kësaj partie, Bedri Hamzën.

 

Kryeministri Albin Kurti e përshkroi si “konstruktive dhe dashamirëse” atmosferën në një takim që e pati sot në Kuvend me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku për çështjen e Presidentit.

Ata u ulën sërish përballë njëri-tjetrit. Ishte takimi i katërt mes tyre me të njëjtën temë në tavolinë dhe i pari pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila më 25 mars dha një afat prej 34 ditësh për zgjedhjen e shefit të ri të shtetit.

Kurti i do “të paktën 84-85 deputetë” në sallë

Kurti tha se është optimist për arritjen e një “marrëveshjeje politike” me LDK-në, ndërsa tha se çështja e Presidentit ishte “kryesorja” që u diskutua, por “jo e vetmja”.

“Jemi të përcaktuar që t’i shmangim zgjedhjet e reja, sepse zgjedhjet e reja nuk do të ishin zgjidhje për numrin prej 80 deputetësh”, tha Kurti, por ndërkohë përsëriti se “do të ishte rrezik tepër i madh” nëse janë “vetëm 80 veta në sallë”. Tha se “nevojiten të paktën 84-85 deputetë”.

“Unë vazhdoj të jem optimist se me takime dhe bisedime të këtilla do të mund ta arrijmë një marrëveshje politike, por këtë nuk mund ta them që e kemi sot. Veçse atmosfera konstruktive në njërën anë dhe dashamirësia që t’i shmangim zgjedhjet e reja që nuk janë zgjidhje e re në anën tjetër, më bën optimist për këto tri javët e mbetura që uroj të mos i shfrytëzojmë deri në ditën, apo nganjëherë siç po bëhet në institucionet tona, orën e fundit”, tha ai.

Kur u pyet për opsionet që u shqyrtuan në takim, Kurti përmendi ruajtjen e “konfidencialitetit të bisedimeve”.

“Tash, ne jemi udhëheqës të subjekteve që janë demokratike dhe jemi transparentë sa i përket procesit, mirëpo megjithatë takimi ishte ‘tête-à-tête’ dhe ne duhet ta ruajmë konfidencialitetin e bisedimeve”, tha ai.

Kur “iniciativat sjellin rezultat konkret”, ai tha se do të mund të përgjigjen “konkretisht për të arriturat”.

Abdixhiku: Të tri pozitat s’mund t’i takojnë LVV-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i cili doli i pari nga Kuvendi, tha për mediat se “nuk kemi ndonjë të re” dhe “po përpiqemi të bëjmë zgjidhje”.

Ai theksoi disa herë se “të tri pozitat nuk mund t’i takojnë një partie politike”.

Ndonëse tha se s’pati ndonjë marrëveshje, Abdixhiku shtoi se kjo “është rruga që duhet ndjekur”.

“Po provojmë të gjejmë zgjidhje të përbashkët, konsensuale, me takime. Kjo është rruga që duhet ndjekur përpara. Do ta ndjekim këtë rrugë sa herë që mundemi për t’i shmangur zgjedhjet”, tha ai.

Ndërsa foli për mundësinë e një marrëveshjeje politike, ai tha se “njëherë duhet të merremi vesh rreth parimeve të procesit”.

“Pra, a duhet të kemi një situatë, të gjitha pozicionet institucionale i takojnë vetëm një partie politike. E më pas, në qoftë se jo, si do të duket kjo marrëveshje. Pra, në këto rrethana ende nuk kemi diskutime politike për pozicione”, tha ai.

Reagime nga LDK

Pak minuta pasi përfundoi takimi ndërmjet Kurtit e Abdixhikut, zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa tha se shefi i Qeverisë “nuk po don me gjetë zgjidhje për president”.

Mustafa iu referua deklaratës së Kurtit se “nevojiten të paktën 84-85 deputetë”, ndërsa shkroi në Facebook: “Albini sapo përsëriti “80-81 vota për President nuk është caku ynë”. Pra, NUK po don me gjetë zgjidhje për president bashkë me LDK-në. Veq mos thuani pastaj “LDK po na qon në zgjedhje”!”.

Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Hykmete Bajrami, kujtoi se në vitin 2021, as nuk i kanë pasë 80 vota të sigurta, as kandidatja s’ka qenë konsensuale”, duke iu referuar zgjedhjes së Vjosa Osmanit presidente. “Sot, Kurti po kërkon figurë jopartiake/unifinuese dhe garanci me 85 vota”, shtoi ajo.

“Veç një gjë duhet ta dimë: nëse shkojmë në zgjedhje prapë, as vota për kryetar të Kuvendit s’ka me pasë, e lëre më për president”, shkroi ajo në një postim në Facebook.

“Pra, prej bllokade në bllokadë, prej krize në krizë, me rëndësi Kurti të ketë kontroll të plotë mbi buxhetin dhe institucionet. Të mjerët ne kush po na udhëheqë! Uroj ta kuptojmë sa më parë”, shtoi Bajrami.

Me vërejtje, Kurti paralajmëroi takim me Hamzën e PDK-së

Kurti tha se do të diskutojë për Presidentin edhe me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamzën.

Ai tha se marrëveshjen e bën “të pamundur” kërkesa e kësaj partie më herët që propozimi të vijë nga ta.

“PDK-ja asnjëherë nuk ka nxjerrë asnjë emër përpara nesh, vetëm ka kërkuar që ne t’i besojmë në mënyrë absolute dhe të verbër që dy kandidatët të jenë të PDK-së dhe të mos na tregojnë paraprakisht. Kjo e bën të pamundur marrëveshjen, uroj që në komunikimet në vijim kjo të ndryshojë”, tha Kurti.

PDK: Hamza i kërkoi Kurtit ta konkretizojë iniciativën për takim, më pas e shqyrtojmë në parti

PDK-ja tha se kryetari Bedri Hamza “i ka kthyer përgjigje z.Kurti lidhur me ftesën për takim”.

“Atij i është kërkuar që ta konkretizojë iniciativën e tij të re përmes një letre zyrtare, në mënyrë që të rritet serioziteti në trajtimin e kësaj çështjeje. Pas këtij konkretizimi nga ana e tij, çështja do të shqyrtohet në organet e partisë dhe më pas do të paraqitet qëndrimi përfundimtar i PDK-së”, thuhet në një përgjigje të Zyrës së Informimit të PDK-së.

Çdo zhvillim të mëtejmë rreth kësaj çështjeje, PDK-ja tha se do ta trajtojë në përputhje me procedurat e brendshme partiake.

Gjykata Kushtetuese vendosi më 25 mars që Presidenti të zgjidhet në një afat prej 34 ditësh, duke e shpallur pa efekt juridik një dekret të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.

Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu u bë të shtunën ushtruese e detyrës së Presidentes – detyrë që mund ta ushtrojë maksimumi 6 muaj – ndërsa Vjosa Osmani përfundoi mandatin e saj pesëvjeçar si Presidente.

Mundësia që Osmani të rizgjidhej presidente duket se u hodh përfundimisht poshtë më 5 mars, kur partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje njoftoi se për shef të shtetit e kishin propozuar Glauk Konjufcën, ministrin e Punëve të Jashtme.

Të tjera

Aktuale

Pamje ekskluzive, momenti i plagosjes në Preview Bar

Një ngjarje e rëndë me armë

Aktuale

Treni godet një këmbësor në Dobroshec

Një person është goditur sot nga

Aktuale

KRU Prishtina: Deri nesër “Dardania” mbetet pa ujë, tregohet shkaku

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” sh.a,