Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka reaguar ashpër pas aprovimit të pagës së 13-të për punëtorët e sektorit publik, duke theksuar se minatorët janë lënë jashtë çdo llogarie dhe po përballen me padrejtësi sistematike.
Të martën, punëtorëve të sektorit publikë u ekzekutua paga e 13-të, një ditë pasi Qeveria mori vendimin për ta miratuar atë për këtë sektor. Sindikata ka theksuar se minatorët nuk kanë marrë asnjë rritje page që nga viti 2016, nuk kanë përfituar pagë të 13-të dhe nuk trajtohen me dinjitet.
“Kjo nuk është më çështje pagash. Kjo është padrejtësi sistematike. Deputetët dhe ministrat kujdesen me përpikëri për veten. Çdo vit rritje page. Pagë e 13-të. Vendime të shpejta kur është fjala për privilegjet e tyre. Shteti funksionon perfekt vetëm kur duhet të shpërblejë pushtetin. Ndërsa minatori është lënë jashtë çdo llogarie. Që nga viti 2016 pa asnjë rritje page. As pagë të 13-të. As trajtim të dinjitetshëm. Vetëm heshtje dhe harresë. Minatori zbret çdo ditë në nëntokë, aty ku rreziku është real, ku shëndeti shkatërrohet ngadalë, ku çdo ditë pune paguhet me jetë. Ndërkohë, mbi tokë, çmimet rriten, jeta shtrenjtohet, dhe askush nuk pyet për të.”
Sindikata ka shtuar se minatorëve nuk po u paguhet as trusti pensional dhe kur kërkojnë drejtësi, nuk gjejnë mbështetje.
“As trusti pensional nuk i paguhet. Dhe kur kërkon drejtësi, kur përballet me institucionet, ai nuk gjen mbështetje. Edhe gjykata i kthen shpinën. Padrejtësia vuloset me vendim. Minatori del në pension i lodhur, i sëmurë, i dërrmuar nga puna e rëndë. Dhe në vend që të gjejë mbështetje, ai përballet me një tjetër padrejtësi: nuk mund t’i marrë as kursimet e veta kur i duhen më së shumti. Ky është turp shtetëror. Kjo është përbuzje e hapur ndaj punës, ndaj sakrificës, ndaj jetës së minatorit. Një shtet që shpërblen luksin e pushtetit dhe ndëshkon punën e ndershme nuk është i drejtë. Minatori sot nuk kërkon lëmoshë. Kërkon atë që i takon. Kërkon dinjitet. Kërkon drejtësi. Dhe ndërkohë që të gjithë të tjerët marrin pagën e 13-të, minatori vazhdon të presë. Jo sepse nuk e meriton, por sepse është lënë në harresë. Mjaft më.”
Sindikata ka bërë thirrje që të shqyrtohet mundësia e stimulimit të minatorëve për punën dhe sakrificën e tyre dhe ka paralajmëruar veprime nëse nuk ndërmerren masa.
“Kjo heshtje nuk është më durim. Është padrejtësi që po zgjat shumë. U bëjmë thirrje Ministrisë, Bordit Mbikëqyrës dhe menaxhmentit të njësisë biznesore që, pas një viti sakrifice, djersë dhe pune pa kushte, me vetëmohim të plotë, të shikojnë mundësinë e stimulimit para se ne të veprojmë. Durimi po soset.”



Të tjera
Aktuale
Izraeli konfirmon vrasjen e komandantit iranian të Drejtorisë së Naftës
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF)
Showbiz
Moderatorja shqiptare ‘trazon’ imagjinatën e ndjekësve me poza nga vaska
Moderatorja shqiptare Franceska Rustem ka rikthyer
Lajme
Njoftim nga KEDS, ja ku do të ketë ndërprerje të rrymës gjatë ditëve të ardhshme
Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë