Debati disaditor se në Kosovë ka njehsorë elektrikë me orë tarifore të pasakta u kurorëzua më 1 prill, me tërheqjen e disa sosh prej funksionit nga një komision i themeluar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI).
Komisioni doli në terren pasi partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), dhe media lokale Nacionale, publikuan gjetjet e hulumtimeve të tyre – rreth 2 mijë mostra në total – për mospërputhjet mes orës në njehsorët e rrymës me orën lokale.
Sipas autoriteteve, standardi i lejuar për pasaktësi është +/- 0.5 sekonda në ditë, varësisht prej temperaturës dhe kohëzgjatjes së njehsorit, ndërsa ka qytetarë që pretendojnë se pasaktësia shkon në disa orë.
Pse koha e saktë ka rëndësi?
Sepse çmimi i energjisë elektrike në Kosovë është ndryshe-ndryshe, varësisht se kur shpenzohet.
Ekziston tarifa e lartë gjatë ditës, dhe tarifa e ulët gjatë natës. Kjo e fundit, në dimër aplikohet në periudhën kohore 22:00 – 07:00, ndërsa verës gjatë orëve 23:00 – 08:00.
Sipas tarifave aktuale, konsumatorët familjarë që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë (kWh) paguajnë 9.05 centë për kilovat, ndërsa 15.43 centë nëse e tejkalojnë këtë prag.
Gjatë tarifës së ulët, konsumatorët e paguajnë 3.88 centë kilovatin, ndërsa 7.28 centë nëse e tejkalojnë shifrën prej 800 kilovatësh.
LDK-ja pretendon se qytetarët janë dëmtuar nga “një skemë e madhe mashtrimi”, meqë ata mund të kenë besuar se e kanë shpenzuar energjinë në orët kur zbatohet tarifa e ulët, por me dallimet në kohë ata kanë shpenzuar shumë më tepër.
Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) tha në një konferencë për media, më 1 prill, se mospërputhjet janë çështje teknike dhe nuk përfaqësojnë manipulim. Sipas kompanisë, nëse kalimi në tarifë është bërë me disa minuta vonesë, atëherë edhe ka përfunduar më vonë – por, në rast të identifikimit të pasaktësive jashtë normave të lejuara, “qytetarët do të kompensohen deri në centin e fundit”.
“KEDS dhe KESCO [Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike] nuk mund të përfitojnë financiarisht nga kjo situatë. Një gjë të tillë nuk e lejon as korniza rregullative, e cila vendoset në bazë të parimit të të hyrave të lejuara maksimale”, thanë mes tjerash zyrtarë të kompanisë.
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) – e cila mbikëqyr KEDS-in dhe KESCO-n – është zotuar se do të marrë masa në rast të konstatimit të gabimeve në funksionimin e njehsorëve elektrikë, dhe ka rikujtuar se përgjegjës për kalibrimin e njehsorëve është Agjencia e Metrologjisë së Kosovës, e cila funksionon në kuadër të MINTI-t.



Të tjera
Aktuale
Vetaksident trafiku afër Klinës, vetura përfundon në hendek (Video)
Një vetaksident trafiku ka ndodhur para
Lajme
Gjykata rrëzon kërkesën e Thaçit për ndalimin e materialeve shtesë
Trupi Gjykues në Dhomat e Specializuara
Aktuale
Kuvendi miraton një sërë marrëveshjesh ndërkombëtare në vlerë prej miliona eurosh
Ligjvënësit kosovarë i kanë ratifikuar të