PDK kërkon ulje të menjëhershme të taksave për naftën

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka akuzuar Qeverinë Kurti se po e thellon krizën ekonomike në vend duke neglizhuar rritjen e çmimit të naftës, gjë që sipas tij po ndikon drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve.

Në një konferencë për media, Mustafa tha se prioritet i kësaj qeverie është mbledhja e taksave, duke e cilësuar atë si të papërgjegjshme.

“Sot, për çdo litër naftë, shteti merr rreth 60 centë taksa 36 centë akcizë dhe 24 centë TVSH. Pra, kur një qytetar furnizohet me naftë, në çmimin prej 1.80 euro për litër, nuk paguan vetëm çmimin e naftës, por i paguan edhe shtetit 60 centë taksa. Kjo është një barrë që duhet të lehtësohet në këtë kohë krize. Heqja dorë përkohësisht nga këto taksa, në tërësi apo edhe pjesërisht, do të nënkuptonte një zbritje të menjëhershme të çmimit të naftës dhe frenim të efektit zinxhiror të rritjes së çmimeve”, shtoi ai.

Mustafa theksoi se pas rritjes së çmimeve në vitin 2022, Kosova nuk mund të përballojë një valë tjetër të varfërimit të qytetarëve.

“Rritja e çmimit të naftës nuk prek vetëm ata që furnizohen në pompë. Ajo rritë shpenzimet e transportit, të prodhimit dhe, rrjedhimisht, çmimet e të gjitha produkteve që konsumojmë. Në prag të sezonit të bujqësisë, kjo rritje godet drejtpërdrejt bujqit tanë, duke i detyruar të prodhojnë me shpenzime më të mëdha dhe, rrjedhimisht, ti shtrenjtojnë produktet e tyre”, theksoi deputeti i PDK-së.

PDK ka kërkuar ulje të menjëhershme të taksave për derivatet e naftës, në mënyrë që çmimi të reflektojë realitetin ekonomik të qytetarëve dhe jo vetëm interesin fiskal të shtetit.

“Masa konkrete dhe të drejtpërdrejta për mbrojtjen e bujqve dhe prodhuesve vendorë, përfshirë subvencione shtesë dhe mbështetje për inputet bazë në këtë sezon kritik. Një plan emergjent, të qartë dhe të matshëm, për përballimin e rritjes së çmimeve, që garanton stabilitet për familjet dhe bizneset. Pra, një plan emergjent anti-inflacion, me objektiva konkrete për stabilizimin e çmimeve dhe masa të koordinuara mes ministrive. Kontroll dhe transparencë në treg për t’i parandaluar abuzimet, me inspektime të shtuara ndaj çmimeve, monitorim të zinxhirit të furnizimit, penalizim të marrëveshjeve të fshehta dhe rritjeve artificiale, sepse, shumë rritje çmimesh nuk janë vetëm nga tregu, por edhe nga abuzimet”, bëri thirrje Mustafa.

Të tjera