Shpërndarja e Kuvendit në “dorë” të Kushtetueses

Nën tensionet e deklarimeve publike të subjekteve politike nëse vendi duhet të shkojë në zgjedhje apo jo, Gjykata Kushtetuese ka filluar shqyrtimin e lëndës së dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit. Sekretari i përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese, Veton Dula, konfirmoi se lënda ka hyrë në fazën e shqyrtimit.

“Pas pranimit të komenteve nga palët e interesit fundjavën e kaluar dhe kompletimit të dosjes, në fillim të kësaj jave lënda ka kaluar në fazën e shqyrtimit.”

Lëvizja Vetëvendosje pret që Gjykata Kushtetuese të vendosë mbi bazën e argumenteve të tyre se dekreti i presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit është jokushtetues. Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, tha se nuk duhet të ketë zgjedhje të reja.

“Edhe një palë zgjedhje janë të panevojshme dhe nuk duhet të mbahen. Në këtë frymë janë edhe ftesat për takime, ndonëse jemi në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo nënkupton se ne, përveçse besojmë se adresimi në Gjykatë i çështjes së dekretit për shpërndarjen e Kuvendit është i duhur, konsiderojmë se me anë të atij dekreti është shkelur Kushtetuta dhe ka pasur ndërhyrje në kompetencat e Kuvendit. Kjo tregon edhe gatishmërinë tonë që sa më parë të ofrohet një zgjidhje dhe të vazhdojë puna.”, tha Nagavci për rtv21

Deputetja e PDK-së, Arbnora Salihu, ka kritikuar qasjen e kryeministrit Kurti dhe të zyrtarëve të LVV-së, të cilët kanë kërkuar nga Gjykata Kushtetuese të vendosë në favor të kërkesës së tyre që dekreti i presidentes të shpallet kundërkushtetues. Sipas saj, kjo është praktikë e LVV-së për të ndikuar në vendimet e Gjykatës.

“Unë nuk çuditem më për sjelljen e Albin Kurtit dhe të LVV-së. Kemi parë mjaftueshëm që absurditeti është bërë normalitet tek ta. Por, është mjaft shqetësuese të shohësh kryeministrin e vendit, deputetët dhe ministrat e tij duke dhënë deklarata të shumta se si Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë në favor të tyre. Kjo është definitivisht presion i drejtpërdrejt dhe tentativë për të ndikuar në vendim.”, tha ajo për rtv21

Shefja e grupit parlamentar të LVV-së Arbërie Nagavci, beson se ka ende kohë që të ketë bisedime me partitë opozitare për marrëveshje sa i përket presidentit. Ndërkohë, Nagavci tha se do ta respektojnë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese.

“LVV-ja gjithmonë ka respektuar vendimet e gjykatave dhe institucioneve. Edhe pse kemi pasur qëndrime publike, kemi organizuar aksione politike dhe kemi shprehur bindjet tona, gjithmonë kemi respektuar vendimet e institucioneve tona.”

Por, deputetja e PDK-së Arbnora Salihu, thotë se partitë opozitare kanë shkuar në takime me kryeministrin Kurti, por akuzon Kurtin për mos gatishmëri që të arrijë  marrëveshje politike nga e cila do të burojë një kandidat konsensual për president të ri.

‘’Ne duhet të jemi realist se Kuvendi e ka humbur afatin kushtetues për zgjedhjen e presidentit. Fajtor është Albin Kurti.’’

Avokati Ardian Bajraktari vlerëson se zgjedhjet e jashtëzakonshme pothuajse janë të pashmangshme, bazuar në qëndrimet e subjekteve politike dhe në dështimin e deputetëve për të zgjedhur presidentin e ri brenda afatit 30 ditor. Por, ai përmend dy skenarë mbi të cilët Gjykata Kushtetuese mund të vendosë sa i përket dekretit për shpërndarjen e Kuvendit.

“Ndërsa, në varësi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në rast se vlerësohet se kjo rrethanë është e pamjaftueshme që vendi të shkojë në zgjedhje, për faktin se, siç dihet, brenda këtij afati, në kuptimin formal, ka filluar procesi i zgjedhjes së presidentit, atëherë rrjedhimisht mund të konstatohet se çështja do të kthehet në Kuvend dhe të vazhdojë afati në përpjekje për të zgjedhur presidentin e ri. Ndërsa varianti tjetër është që të konstatohet se dekreti është në përputhje me Kushtetutën dhe, rrjedhimisht, të shpallen zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.”, tha Bajraktari për rtv21

Presidentja Vjosa Osmani, duke u thirrur në mbrojtje të Kushtetutës, më 6 mars kishte shpërndarë Kuvendin përmes dekretit, pasi deputetët kishin dështuar ta zgjedhin presidentin e ri.

Të tjera

Lajme

Këta janë emrat e propozuar nga LVV, PDK, LDK dhe AAK për anëtarë të KQZ-së

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Partia Demokratike e

Lajme

Irani: Pse tani dhe pse kjo ndërhyrje?

Arsyetimi pas Operacionit “Roaring Lion” —