Presidenca thotë se Osmani përballet me thirrje për pushkatim, kërkon reagim urgjent të drejtësisë

Presidenca e Republikës së Kosovës ka reaguar ashpër ndaj gjuhës së përdorur në debatet politike ku është bërë thirrje për “pushkatim” të Vjosa Osmani, duke e cilësuar këtë si nxitje të rrezikshme për dhunë dhe jo si kritikë apo opinion politik.

Në reagimin zyrtar thuhet se përdorimi i termit “pushkatim” në debat publik nuk përbën mendim politik, por një gjuhë që nxit urrejtje dhe normalizon dhunën në politikë.

“Kur në debat politik përdoret fjala ‘pushkatim’, kjo nuk ka të bëjë me kritikë apo opinion, por me një gjuhë të rrezikshme që nxit urrejtje dhe normalizon dhunën politike,” thuhet në reagimin e Presidencës.

Sipas Presidencës, Kosova nuk duhet të jetë vend ku aktivistë politikë vetëshpallen gjykatës dhe shpallin dënime me jetë ndaj figurave të zgjedhura nga qytetarët. Në reagim theksohet se një mentalitet i tillë ka dëmtuar për dekada debatin publik përmes etiketimeve, shpifjeve dhe linçimeve.

“Presidentja Osmani nuk është ‘vegël’ e askujt dhe as pjesë e fantazive konspirative për kinse tradhti. Ajo është Presidente e Republikës së Kosovës, e zgjedhur në mënyrë legjitime dhe që ushtron mandatin e saj mbi bazën e Kushtetutës,” thuhet më tej në deklaratë.

Në reagim theksohet se ata që përdorin akuza për “tradhti” dhe bëjnë thirrje për “pushkatim” në fakt po nxisin dhunë dhe vrasje politike.

“Thirrjet për ‘pushkatim’ nuk janë retorikë politike, por nxitje e drejtpërdrejtë për dhunë dhe krim,” thekson Presidenca.

Në fund, Presidenca e Republikës së Kosovës u bën thirrje organeve të rendit dhe drejtësisë që të trajtojnë urgjentisht këto raste në përputhje me ligjin.

Të tjera