Gratë lehona nuk i kanë marrë shtesat për muajt janar dhe shkurt në vlerën e pagës minimale prej 425 eurosh, ndonëse një gjë e tillë ishte premtuar në programin qeverisës të Vetëvendosjes. Për muajin shkurt, pagesat janë ekzekutuar në shumën 325 euro, dy javë pas formimit të Qeverisë, ka shkruar KOHA, të martën.
Premtimi për rritjen e shtesave në nivelin e pagës minimale ishte dhënë nga kryeministri Albin Kurti në Kuvend, para votimit të kabinetit qeveritar në tetor, me zotimin se do të realizohej që në javën e parë të mandatit. Megjithatë, deri më tani, edhe pas miratimit të buxhetit për vitin 2026, Qeveria nuk ka marrë vendim për rritjen e këtyre shtesave.
Nga Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare është bërë e ditur se çdo rritje e shtesave do të rregullohet me vendim të Qeverisë dhe Ministrisë, në kuadër të të cilit do të përcaktohet edhe mënyra e zbatimit. Megjithatë, nuk është dhënë ndonjë afat se kur mund të merret një vendim i tillë.
Lehona Mirjeta Hoxha ka thënë për KOHA-n se pagesa e parë e marrë në shkurt ishte 325 euro dhe jo 425 euro, siç ishte premtuar.
“Në muajin shkurt e kam marrë pagesën e parë, e cila ka qenë 325 euro dhe jo 425. Shtesat do t’i marr edhe për dy muaj. Pasi ka qenë premtim, pres që nëse merret vendimi për rritjen e tyre në 425 euro, të vlejë retroaktivisht edhe për muajin shkurt”, ka thënë Hoxha.
Ndërsa, ekonomisti Fidan Qerimi ka vlerësuar se shtesat për lehona nuk duhet të shkëputen nga paga minimale, pasi sipas tij ato ofrojnë më shumë siguri për gratë në kohë inflacioni dhe mund të kenë efekt pozitiv demografik.
“Është një inkurajim i lindshmërisë, ndoshta jo në efektin e dëshiruar, por është hap pozitiv për mendimin tim dhe do të duhej që të vazhdohej që të zbatohej kjo pagë minimale për lehonat”, ka thënë Qerimi.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se nga shtatori 2021 deri më 2024 numri i lindjeve është rritur për rreth dy mijë në vit, ndërsa në vitin 2025 ka pasur rënie prej rreth katër mijë lindjesh krahasuar me vitin paraprak, kur u regjistruan mbi 31 mijë lindje.



Të tjera
Lajme Showbiz
E papritur: Ky banor lë shtëpinë e BBVA në Prime
Ky prime i Big Brother VIP
Ekskluzive Lajme
Me një deklaratë të Trumpit bien çmimet e karburanteve në tregjet ndërkombëtare
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar
Aktuale
Shpërthime në Dubai, merr flakë Konsullata amerikane
Tensionet në Lindjen e Mesme janë