Avdullah Hoti, ish-kryeministër i Qeverisë së Kosovës përmes një postimi në Facebook ia ka rikujtuar kryeministrit aktual Albin Kurtit disa prej obligimeve dhe premtimeve të tij të parealizuara para takimit me Presidentin serb Aleskandër Vuciq në Bruksel, shkruan Botapress.
Hoti ia ka rikujtuar Kurtit rezolutën e miratuar në Kuvend me të cilën: “Kryeministri duhet të raportojë në Kuvend para dhe pas çdo takimi në Bruksel”, platforëmn e munguar të dialogut, kërkim faljen nga Serbia për krime lufte në Kosovë dhe reciprocitetin.
Ja postimi i Hotit në Facebook:
Sot po mbahet takimi në kuadër të dialogut me palën serbe në Bruksel. Disa çështje për përkujtim për të gjithë:
1. Raportim për dialog në Kuvend nuk është bërë siç kërkohet me rezolutën e propozuar nga vetë ata që tani po dialogojnë, e cila rezolutë thotë se “Kryeministri duhet të raportojë në Kuvend para dhe pas çdo takimi në Bruksel”.
2. Platformë për dialog nuk është prezantuar në Kuvend, ku do të përcaktoheshin parimet dhe objektivat e dialogut. Në vend të kësaj, janë prezantuar katër pika në një konferencë për medie në Bruksel, të cilat në fakt e ruajnë “status quo” sa i përket marrëdhënieve në mes të dy vendeve, për të cilën gjë është e interesuar pala serbe.
3. Kërkim falja nga pala serbe para se të nisë dialogu është harruar.
4. Kushtëzimi i dialogut me zbardhjen e fatit të të pagjeturve është harruar.
5. Masat e reciprocitetit, që ishin çështje javësh pas formimit të qeverisë, janë harruar.