KQZ merr vendim të rinumërohen 914 vendvotime – 10 komuna shkojnë 100% në rinumërim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka njoftuar se kanë marrë vendim për rinumërimin e 914 vendvotimeve që i takojnë të gjitha komunave të Kosovës.

Nga KQZ është bërë e ditur edhe se, në 10 komuna do të rinumërohen 100% të vendvotimeve (Dragash, Kaçanik, Lespoaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug), ndërkaq në 28 komunat tjera, do të rinumërohen nga 10% e vendvotimeve.

”Rinumërimi i këtyre vendvotimeve do të zhvillohet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe do të fillojë më 13 janar 2026, në orën 18:00.”, thuhet mes tjerash nga KQZ.

Komunikata:

Njoftim nga mbledhja e 3-të: KQZ merr vendim të rinumërohen 914 vendvotime nga zgjedhjet e 28 dhjetorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e 3-të në këtë vit, të kryesuar nga kryesuesi, Kreshnik Radoniqi.

Në fillim të mbledhjes së KQZ-së, u paraqit një raport nga verifikimi i votave të kandidatëve për 2% të vendvotimeve nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur më 28 dhjetor 2025.

Sipas këtij raporti, më 10 janar 2026, Sekretariati i KQZ-së ka bërë shikimin e videoincizimeve të kamerave në vendosura në tavolinat e numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit dhe është evidentuar se ka raste të mospërputhjeve të votave për kandidatë. Pas këtyre evidentimeve, SKQZ ka bërë verifikimin e brendshëm të fletëvotimeve për kandidatë në 2% të vendvotimeve apo 52 vendvotime nga të gjitha komunat e Republikës së Kosovës. Deri në përfundim të ditës së hënë, 12 janr 2026, janë verifikuar 33 vendvotime, ku rezulton se votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit nuk pasqyrojnë numrin e votave të kandidatëve të evidentuara në fletëvotime.

Duke u mbështetur në këto gjetje, KQZ mori vendim për rinumërimin e 914 vendvotimeve që i takojnë të gjitha komunave të Republikës së Kosovës. Në 10 komuna do të rinumërohen 100% të vendvotimeve (Dragash, Kaçanik, Lespoaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug), ndërkaq në 28 komunat tjera, do të rinumërohen nga 10% e vendvotimeve (Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut).

Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi bëri të ditur se nëse pas rinumërimit do të vërtetohen manipulimet eventuale me votat e kandidatëve, KQZ do të procedojë në organet kompetente anëtarët e ekipeve të numërimit.

Rinumërimi i këtyre vendvotimeve do të zhvillohet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe do të fillojë më 13 janar 2026, në orën 18:00.

Të tjera