Isuf Bajraktari: 28 dhjetori: votë nën presion dhe pushtet pa garë të barabartë

 

 

Zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk mund të trajtohen thjesht si një proces i rregullt demokratik. Ato përfaqësojnë një moment kritik për të kuptuar raportin real ndërmjet pushtetit dhe votuesit. Dhe ky raport, fatkeqësisht, nuk u ndërtua mbi liri zgjedhjeje, por mbi presion, varësi dhe manipulim.

Në këto zgjedhje, qeveria në detyrë nuk garoi si subjekt politik i barabartë, por si strukturë pushteti që kishte në dispozicion institucionet dhe buxhetin e shtetit. Paratë e taksapaguesve u përdorën si instrument fushate, përmes shpërndarjeve selektive fondesh, projekteve të improvizuara dhe premtimeve të përshpejtuara në prag të zgjedhjeve. Ky veprim nuk përfaqëson qeverisje, por shfrytëzim të burimeve publike për qëllime elektorale.

Në këtë kontekst, votuesi nuk u gjend përballë një zgjedhjeje të lirë. Ai u gjend përballë frikës për vendin e punës, pasigurisë ekonomike dhe varësisë nga pushteti. Për shumë qytetarë, vota u shndërrua në akt mbijetese dhe jo në shprehje të vullnetit të lirë. Kur frika dikton zgjedhjen, demokracia humb kuptimin e saj substancial.

Një element po aq shqetësues i këtyre zgjedhjeve ishte mungesa pothuajse totale e debatit programor. Programet politike mbetën dokumente formale, të palexuara dhe të padiskutuara. Diskursi publik u dominua nga slogane të zbrazëta, ndarje emocionale dhe propagandë e thjeshtuar. Politika nuk u shpjegua, por u imponua përmes frikësimit dhe etiketimit të alternativave.

Takimet e përditshme me qytetarët e dëshmojnë këtë realitet: bindje të forta pa njohuri minimale. Votues që flasin me siguri absolute për subjekte politike, por që nuk janë në gjendje të përmendin asnjë pikë konkrete programore. “Ky bën, të tjerët s’bëjnë” është shndërruar në formulë politike, ndërsa mendimi kritik është përjashtuar si i panevojshëm ose i rrezikshëm.

Kjo gjendje nuk është rastësi. Ajo është rezultat i një strategjie të qëllimshme pushteti që synon ta mbajë votuesin në gjendje varësie, lodhjeje dhe konfuzioni. Një votues i tillë nuk pyet, nuk krahason dhe nuk kërkon llogari. Ai përshtatet dhe hesht.

Zgjedhjet e 28 dhjetorit po tregojnë se demokracia nuk dëmtohet vetëm nga mungesa e konkurrencës, por nga keqpërdorimi i pushtetit dhe i parasë publike për të deformuar vullnetin qytetar. Kur buxheti i shtetit shndërrohet në mjet fushate dhe vota në akt frike, zgjedhjet mbeten procedurë formale, jo shprehje e sovranitetit qytetar.

Humbja më e madhe e këtyre zgjedhjeve nuk i përket asnjë subjekti politik. Ajo i përket qytetarit të lirë dhe vetë demokracisë.

 

Të tjera