Kongresisti Lawler: Mbështetja e SHBA-së për Kosovën është e fortë dhe dypartiake

Kongresisti republikan i Shteteve të Bashkuara, Mike Lawler, ka konfirmuar se mbështetja e Amerikës për Kosovën mbetet e “fortë dhe dypartiake” në Kongresin amerikan, në një letër drejtuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, në këtë letër, kongresisti Lawler e ka falënderuar kryeministrin për takimin që bashkë zhvilluan në New York në shtator të këtij viti.

Ai theksoi se mbështetja për Republikën e Kosovës në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbetet e fortë dhe dypartiake.

“Veprimet e fundit legjislative, duke përfshirë miratimin e Ligjit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare për vitin fiskal 2026, nënvizojnë përkushtimin e vazhdueshëm të Amerikës ndaj së ardhmes euro-atlantike të Kosovës. Këto përpjekje janë të domosdoshme për promovimin e stabilitetit afatgjatë, sigurisë dhe sundimit të ligjit në mbarë Ballkanin Perëndimor”, thuhet në letrën e kongresisti Lawler.

Ai i shprehu urimet e tij kryeministrit dhe familjes së tij në këtë sezon festiv, dhe tha se mezi pret që të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë dhe angazhimin konstruktiv vitin e ardhshëm

Kryeministri Kurti dhe kongresisti Lawler ishin takuar në New York në fund të muajit shtator, gjatë qëndrimit të kryeministrit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kongresisti Lawler, njëherësh është edhe anëtar i Komitetit për Punët të Jashtme në kongresin amerikan.

Komentet e kongresistit republikan vijnë në një kohë kur marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së pësuan goditje gjatë vitit 2025, kryesisht për shkak të vendimeve të Kurtit për ta shtrirë sovranitetin në veriun e banuar me shumicë serbe pa bashkërendim me bashkësinë ndërkombëtare.

Të tjera