Plani i Rritjes, peng i krizës në Kosovë

Përderisa Bashkimi Evropian synon që përmes planit të rritjes të integrojë vendet e Ballkanit Perëndimor në tregun e vetëm të BE-së si dhe të stimulojë reformat e nevojshme që lidhen me unionin, Kosova është pothuajse vendi i vetëm në rajon përveç Bosnjë dhe Hercegovinës që ende nuk ka e ka shfrytëzuar këtë mundësi.

Nga fondi prej 6 miliardë eurosh për Ballkanin, Kosovës i janë premtuar rreth 900 milionë euro,  një pjesë në formë granti dhe një pjesë në formë kredie por vendi ende nuk ka marrë as parafinancimin prej 62 milionë eurosh për shkak të krizës institucionale.  Kjo pasi në Kuvend duhet të miratohen marrëveshjet që mundësojnë alokimin e këtyre mjeteve.

E pyetur për këtë çështje, qeveria në detyrë akuzoi ish-opozitën për bllokim dhe rrezikim të mjeteve nga Plani i Rritjes i BE-së.

“Kosova ka qenë vendi i parë që ka prezantuar agjendën e reformave duke dëshmuar vullnetin, gatishmërinë dhe nivelin e përgatitjes për përfitim nga Plani i Rritjes. Mosvotimi në Kuvend, po sjell vonesa në alokimin e pagesës së parë nga BE. Refuzimi i opozitës për votim në Kuvend të marrëveshjes së Planit të Rritjes po i bllokon dhe rrezikon 882 milionë euro për Kosovën”.

Ish-diplomati, Avni Arifi, ndërkaq vlerëson se Kosova rrezikon të humbasë milionat e BE-së për shkak papërgjegjshmërisë të klasës politike në vend.

“Janë vonuar institucionet e Kosovës që nuk e kane ratifikuar marrëveshjen para zgjedhjeve. Mbi 120 milionë euro  si kemi marre nga BE-ja  për shkak te papërgjegjshmërisë  politike. Jo vetëm këto fonde por edhe të tjerat qe i kemi humbë rreth 670 milionë uro thonë se nuk i kemi humbe por janë shty e vërtet qe nuk i humbim një pjesë  por vend se me marr fonde tjera ne i marrim ato që kanë qenë të dedikuara për viti. 2024 2025 në po e shtynë zhvillimin e Kosovës. Ky cikël është shkatërrues për Kosovën sepse nëse jo për diçka po na lë shumë mbrapa vendeve të rajonit”, tha Arifi për rtv21.

Se milionat e BE-së të destinuara për Kosovën mund të humbasin e thonë edhe në Grupin për Studime Juridike dhe Politike. Sipas Arbëresha Loxhës, Kosova ka nevojë për një qeveri stabile për të shtyrë përpara këtë çështje.

“Ky do duhej te ishte alarm për të  gjitha partitë dhe spektrin politik në vend që pas zgjedhjeve të ulën të bisedojnë dhe të kemi krijimin e një qeverie me kompetenca të plota dhe stabile qe do t’i qonte përpara proceset siç është  plani i rritjes…Kosova mund t’i humbasë mjetet sepse marrëveshja ka një klauzolë që thotë se fondet mund te ridestinohen për vende tjera nëse ndonjë nga vendet s’arrin te përfitojë nga to”.

Bashkimi Evropian vazhdimisht ka inkurajuar Kosovën që ta përshpejtojë procesin e miratimit të marrëveshjeve sa i përket Planit të Rritjes në mënyrë që të zhbllokohet pagesa e parafinancimit. Por kriza institucionale prej më shumë se dhjetë muajsh dhe zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme e kanë shtyrë miratimin e tij në Kuvend

Të tjera

Aktuale

Abdixhiku nga Malisheva: Do ta kthejmë rendin kushtetues

Nga tubimi i mbajtur në Malishevë,

Lajme Opinione

Syla direkt: Si heq SHBA e BE masat për hatrin e Osmanit e Kurtit

Gazetari e komentatori politik, Valon A.