Vuçiq refuzon samitin e BE-së, rreshtohet hapur krah Putinit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka refuzuar të marrë pjesë në samitin Bashkimi Evropian–Ballkani Perëndimor që po mbahet sot në Bruksel, ku një nga temat kryesore të diskutimit është mbështetja dhe solidariteti i BE-së dhe i rajonit ndaj Ukrainës. Lidhjet e ngushta të Vuçiqit me presidentin rus Vladimir Putin dhe raportet e Serbisë me Rusinë janë të njohura prej vitesh dhe vazhdojnë të ndikojnë në pozicionimin e Beogradit në skenën ndërkombëtare.

Vendimi është bërë publik nga vetë Vuçiq të martën në mbrëmje, i cili tha se nuk do të udhëtojë në Bruksel për të marrë pjesë as në samit dhe as në konferencën ndërqeveritare që zhvillohet në kuadër të tij. Ai theksoi se për herë të parë në 14 vjet, Serbia nuk do të ketë asnjë përfaqësues në këtë format takimi me Bashkimin Evropian.

Në një deklaratë për Radion dhe Televizionin e Serbisë, Vuçiq u shpreh se vendimi është marrë, sipas tij, për të mbrojtur interesat shtetërore dhe për të shmangur presionet politike ndaj qeverisë serbe. Ai shtoi se me këtë hap synon të mos ngarkojë zyrtarë të tjerë me përgjegjësi që, sipas tij, mund të sillnin pasoja për Serbinë.

Megjithëse tha se Serbia mbetet formalisht e përkushtuar ndaj integrimit evropian, Vuçiq pranoi se vendi i tij nuk do të jetë i përfaqësuar në këtë samit të rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor. Ai bëri të ditur se gjatë 24 orëve të fundit ka zhvilluar biseda me disa zyrtarë evropianë dhe falënderoi Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, si dhe Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, për atë që e cilësoi si një qasje të drejtë ndaj Serbisë.

Në fund të samitit pritet të miratohet deklarata e përbashkët BE–Ballkani Perëndimor, me të cilën partnerët e rajonit pritet të pajtohen. Sipas njoftimeve të BE-së, liderët do të diskutojnë gjithashtu çështje të politikës së jashtme dhe të sigurisë, me theks të veçantë në mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën.

“Udhëheqësit e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor janë të bashkuar në mbështetjen dhe solidaritetin e tyre të palëkundur për Ukrainën”, thuhet në komunikatën zyrtare të Bashkimit Evropian.

BE-ja ka rikujtuar po ashtu rëndësinë e linjëzimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë. Në këtë aspekt, Serbia vazhdon të mbetet prapa, për shkak të marrëdhënieve të saj me Rusinë dhe refuzimit për të vendosur sanksione ndaj Moskës për luftën në Ukrainë. Bashkimi Evropian ka përgëzuar vendet e rajonit që tashmë janë plotësisht të përafruara me këtë politikë dhe ka inkurajuar të tjerët, përfshirë Serbinë, që të bëjnë hapa konkretë në këtë drejtim.

Të tjera

Aktuale

Fushata 12-ditore për zgjedhjet e 28 dhjetorit: Çfarë u lejohet partive politike?

Subjektet politike të certifikuara për pjesëmarrje

Showbiz

PLAS GRUSHTI në “Përputhen”, çfarë ndodhi mes djemve?

Një situatë e pakëndëshme ka ndodhur