Janë bërë tre vjet që kur Kosova aplikoi për anëtarësim në BE, por Këshilli i BE-së akoma s’e ka ekzaminuar “dosjen” e Kosovës.
Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) ka tre vjet që mbledhë pluhur në sirtarët e Këshillit të BE-së, për shkak se shtetet anëtare nuk janë treguar të gatshme t’ia dërgojnë kërkesën Komisionit Evropian për të vlerësuar nëse vendi i vogël ballkanik e meriton hapjen zyrtare të negociatave për t’u bërë pjesë e BE-së.
Edhe pse autoritetet kosovare kanë insistuar se i kanë përmbushur kriteret dhe reformat e nevojshme për të pranuar pyetësorin e KE-së, i cili është hapi i parë zyrtar në rrugën e gjatë drejt anëtarësimit, disa shtete vazhdojnë të pengojnë avancimin e mëtejshëm të vendit, duke e lidhur me dialogun për normalizim me Serbinë.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në bllok më 15 dhjetor 2022. E përgjatë kësaj periudhe, presidenca e Këshillit të BE-së është ndarë mes shtatë shteteve anëtare: Çekisë, Suedisë, Spanjës, Belgjikës, Hungarisë, Polonisë dhe Danimarkës. E para e ka pranuar aplikimin, por asnjë tjetër nuk e ka ekzaminuar “dosjen” e Kosovës.
Presidencën e Këshilli të BE-së, nga 1 janari 2026, do ta marrë Qiproja, një nga pesë shtetet anëtare që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, duke sugjeruar se vendi mund të përballet me pengesa shtesë në procesin e avancimit të aplikimit për anëtarësim në BE.
BE-ja i ka siguruar vendet e Ballkanit Perëndimor se e ardhmja e tyre qëndron në BE, por nën kushtin që t’i zgjidhin çështjet e hapura, kryesisht Kosova dhe Serbia. E për t’iu dhënë shtysa në këtë drejtim, ajo vazhdimisht ndan edhe mjete financiare për rajonin. E fundit është paketa e rritjes prej 6 miliardë eurosh për lehtësimin e reformave.
Në procesin e zgjerimit ndodhen dhjetë vende, nëntë prej të cilave kanë statusin e vendit kandidat. Kosova vazhdon të mbetet shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk e ka fituar ende statusin e kandidatit, ndërsa as sanksionet e vendosura nga BE-ja në vitin 2023 nuk janë larguar ende, duke komplikuar rrugën drejt integrimit në BE.
Adnan Çerimagiç nga Inciativa Evropiane për Stabilitet (ESI) ka kujtuar se Kosova, së bashku me Serbinë dhe Turqinë, është i vetmi vend që nuk ka bërë asnjë hap formal në procesin e anëtarësimit që prej “fërshëllimës së zgjerimit” në vitin 2022.
Në këtë kontekst, ai ka vlerësuar se Kosova ka përmirësuar nivelin e përgatitjes për anëtarësim në 8 nga 31 fushat e politikave të vlerësuara nga KE-ja, duke kapërcyer Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Turqisë dhe Moldavisë.



Të tjera
Lajme
Federata e Sindikatave apel Qeverisë, rreth rritjes së pagës minimale
Federata e Sindikatave të Punëtorëve të
Aktuale
Aksident i rëndë në autostradë, rrokulliset një kamion – pamje
Një aksident i rëndë ka ndodhur
Aktuale
Izmaku: Nëse Nisma s’është pjesë e Kuvendit, Kosova do të jetë përsëri në krizë
Kandidatja për deputete nga radhët e