Ambasada e ShBA-së në Kosovë i ka reaguar ashpër VV-së për moscertifikimn e Listës Serbe për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Ambasada ka vlerësuar përpjekjet e VV-së për ta bllokuar certifikimin e këtij subjekti politik në KQZ janë shkurtpamëse dhe përçarëse.
Në reagimin e ambasadës është bërë me dije se veprime të tilla minojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-së, përfshirë rinisjen e dialogut strategjik.
“Përpjekjet e VV-së për ta bllokuar certifikimin që Lista Srpska të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës janë shkurtpamëse dhe përçarëse. Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike. Veprime të tilla minojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-së, përfshirë rinisjen e dialogut tonë strategjik për avancimin e mundësive për bizneset amerikane dhe kosovare”, është thënë në reagim.
Moscertifikimi i Listës Serbe në mbledhjen e djeshme të KQZ-së është dënuar edhe nga BE-ja dhe OSBE-ja.
Bashkimi Evropian, Ambasada e Britanisë së Madhe dhe Misioni i OSBE-së kanë shprehur shqetësime serioze për pavarësinë e institucionit që menaxhon zgjedhjet, duke akuzuar drejtpërdrejt partitë politike – specifikisht Lëvizjen Vetëvendosje – për ndërhyrje dhe politizim të procesit.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka shprehur “keqardhje” për vendimin, duke e cilësuar atë si të dëmshëm për një proces gjithëpërfshirës zgjedhor.
“Politizimi i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje dhe partitë e tjera politike është i dëmshëm për një proces zgjedhor gjithëpërfshirës, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe raportin e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të BE-së”, është thënë në reagimin e tyre.
Shqetësim serioz ka shprehur edhe Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves. Diplomati britanik ka paralajmëruar se pengimi i pjesëmarrjes së subjektit kryesor serb në zgjedhje mund të ketë pasoja afatgjata për imazhin demokratik të shtetit.
“Ndihem seriozisht i shqetësuar me përpjekjen e fundit të akterëve politikë për të penguar Listën Serbe që të marrë pjesë në proceset zgjedhore. Veprime të tilla rrezikojnë të gërryejnë reputacionin me mund të fituar të Kosovës si demokraci shumetnike dhe dëmtojnë marrëdhëniet me partnerët e saj të afërt”, ka deklaruar Hargreaves në një postim në Facebook.
Shqetësimeve për vendimin e KQZ-së u është bashkuar edhe Misioni i OSBE-së, i cili ka vlerësuar se një veprim i tillë përbën hap prapa nga standardet ndërkombëtare.
“Jemi seriozisht të shqetësuar nga polarizimi politik në rritje brenda KQZ-së, i reflektuar në sjelljen e votimit që duket se drejtohet nga interesa partiake dhe jo nga kriteret ligjore… Një sjellje e tillë minon paanshmërinë dhe besueshmërinë thelbësore për një organ të pavarur,” është thënë në reagimin e OSBE-së.
Në mbledhjen e djeshme të KQZ-së, ku janë certifikuar subjektet politike për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje e ka kthyer në skenë filmin e njëjtë para zgjedhjeve.
Në këtë mbledhje dy zyrtarët e VV-së kanë votuar kundër certifikimit të këtij subjekti politike.
Në këtë mënyrë ata kanë vepruar edhe për zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit dhe për zgjedhjet lokale të tetorit.
Për këto zgjedhje certifikimi i Listës Serbe ka ndodhur vetëm pasi ankesës së këtij subjekti politik i ka dhënë të drejt PZAP-ja dhe Gjykata Supreme.



Të tjera
Aktuale
Çeku në listën për deputetë të AAK’së, Haradinaj: Që në ditët e para në krye të UÇK
Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj, ka
Aktuale
“50% e rrymës nga Serbia”, Ymeri thotë se në Kosovë ka udhëhequr VukVendosja, akuzon Kurtin
Ekspertja e energjisë, Janina Ymeri,
Aktuale
Shkon të blejë ilaçe, i moshuari ndërron jetë në farmaci
Një i moshuar rreth 87-88 vjeç