Rama ngre alarmin: Prishtina duhet të funksionojë dhe nuk mund të bllokohet

 

Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, ka mbajtur sot konferencë për media, ku ka paralajmëruar rrezikun që u kanoset shërbimeve bazike të qytetarëve të Prishtinës, si pasojë e bllokimit  buxhetit të Kryeqytetit nga Qeveria qendrore.

Kryetari theksoi se, për herë të parë në historinë e Kosovës, Qeveria qendrore ka bllokuar të hyrat vetanake të Kryeqytetit, duke rrezikuar shërbime jetike si: ushqimi në shkolla, transporti publik, shëndetësia, ndihmat sociale dhe funksione të tjera thelbësore për mirëqenien e qytetarëve, fëmijëve dhe familjeve të Prishtinës.

Ai sqaroi se prej më shumë se një viti, Komuna ka kërkuar alokimin e buxhetit të saj në përputhje me procedurat ligjore, por asnjë kërkesë nuk është trajtuar. Buxheti i Prishtinës, në vlerë 35 milionë euro, mbetet i bllokuar: 25 milionë euro të hyrat vetanake dhe 10 milionë euro të grantit qeveritar, në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën.

Për këtë arsye, Kryetari ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, si dhe ndaj zyrtarëve përgjegjës të kësaj ministrie, për shkelje të qarta ligjore. Ndërkohë, ai është drejtuar edhe Kryeministrit në detyrë, Presidentes së vendit dhe ka kërkuar shqyrtim urgjent nga Gjykata Kushtetuese.

Gjatë konferencës, Kryetari bëri të ditur se përfaqësues të Transportit Urban dhe të transportit privat e kanë njoftuar se nga nesër transporti publik në Kryeqytet rrezikon të ndalet, për shkak të mungesës së pagesave. Paralajmërime të ngjashme janë marrë edhe nga ndërmarrje të tjera publike.

Ai shprehu keqardhjen e thellë që qytetarët e Prishtinës po cenohen për shkak të interesave zgjedhore, duke theksuar se zgjedhjet kanë përfunduar dhe qytetarët kanë votuar për zhvillim, jo për bllokim.

Kryetari shprehu mirënjohje të veçantë për punonjësit e ndërmarrjeve publike, mësimdhënësit, personelin shëndetësor e social, punëtorët komunalë, si dhe punonjësit e sektorit kulturor, sportiv e privat, të cilët kanë vazhduar punën me dinjitet pavarësisht sfidave.

Ai theksoi se qytetarët kanë mandatuar Kryetarin të udhëheqë Kryeqytetin edhe për katër vitet e ardhshme, ndaj Prishtina duhet të funksionojë dhe nuk mund të bllokohet.

Thirrjet publike të Kryetarit:
• Zyrtarët dhe ministrat në detyrë të veprojnë profesionalisht dhe në pajtim me ligjin;
• Të kthehen në punë, pasi zgjedhjet tashmë kanë përfunduar;
• Të lihet anash logjika partiake dhe të vihet qytetari në qendër.

Kryetari kërkoi bashkëpunim për të siguruar që:
• fëmijët të kenë ushqim dhe siguri në shkolla;
• të moshuarit të kenë kujdes e mbështetje;
• qytetarët të kenë transport publik funksional;
• rrugët të jenë të ndriçuara;
• shërbimet komunale të mos ndërpriten;
• jeta kulturore, artistike e sportive në Kryeqytet të vazhdojë;
• projektet e mëdha transformuese të mos ndalen.

Në fund të konferencës, Kryetari theksoi se Prishtina është zemra e vendit dhe nuk mund të bllokohet për interesa të ngushta, joprofesionale dhe jashtëligjore.

Ai u bëri thirrje institucioneve që të ndalin këtë mendësi shkatërruese dhe të bashkohen për t’i shërbyer qytetarëve të vendit.